leoni

Arbër Ademi: Nga Balancuesi te Badenteri, kjo që po ndodh është atentat i sërishëm mbi Marrëveshjen e Ohrit

Arbër Ademi: Nga Balancuesi te Badenteri, kjo që po ndodh është atentat i sërishëm mbi Marrëveshjen e Ohrit

Sot jemi këtu sepse padrejtësitë po përsëriten dhe themelet e Marrëveshjes së Ohrit po sulmohen hapur.
Nga Balancuesi te Badenteri, kjo që po ndodh është atentat i sërishëm mbi Marrëveshjen e Ohrit.
Deklaratat e përsëritura të përfaqësuesve të qeverisë për “rishikimin” e shumicës së Badenterit nuk janë lapsus politik; janë pjesë e një skenari të qëllimshëm për të realizuar sërish atentat mbi Marrëveshjen e Ohrit dhe mbi themelet kushtetuese që garantojnë barazi dhe stabilitet në vend.
Që nga dita e parë e këtij mandati, kjo qeveri dhe partnerët e saj kanë ndjekur një agjendë të rrezikshme:
• shfuqizuan Balancuesin, duke cenuar përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera,
• nuk respektojnë ligjin për gjuhët, duke dobësuar Inspektoratin dhe Agjencinë dhe duke lejuar që mbi 100 institucione të injorojnë gjuhën shqipe,
• ulën padrejtësisht numrin e këshilltarëve në komuna, në kundërshtim me Kushtetutën, ligjin dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese,
• fshinë diasporën shqiptare nga përfaqësimi politik dhe
• ia dorëzuan implementimin e Marrëveshjes së Ohrit figurave me qëndrime hapur antishqiptare dhe antiperëndimore, si Ivan Stoillkoviç.
Në fillim nuk respektuan vullnetin politik të shqiptarëve – i zgjodhën ata që shqiptarët i refuzuan. Më pas ndaluan përdorimin e flamurit kombëtar nga zyrtarët shtetërorë. E radhës ishte gjuha shqipe. Pas kësaj sulmuan mekanizmin mbrojtës të përfaqësimit të drejtë dhe hoqën Balancuesin. Tani po shohim se si duan të heqin edhe votimin me “Badenter”!
Sot, pra, i njëjti plan avancon drejt rishikimit të shumicës së Badenterit, shtyllës kushtetuese që mbron nga majorizimi dhe siguron funksionimin multietnik të shtetit. Çdo tentativë për ta shfuqizuar Badenterin pas zgjedhjeve, ashtu siç janë deklaruar, është tentativë për ta kthyer vendin pas – në padrejtësi dhe përjashtim.
Në vend që të përmbushë premtimin publik se “nuk ka qeveri pa ndryshime kushtetuese”, VLEN po mbijeton me arsyetime boshe, me relativizim të politikave të dëmshme dhe me mbulim të politikave etnocentriste. Kolltuku dhe mbijetesa politike janë vënë mbi Marrëveshjen e Ohrit dhe mbi integrimin europian të vendit.
Sot, më shumë se kurrë, jemi dëshmitarë të përhapjes së ideve të rrezikshme që pretendojnë se shtetet multietnike nuk funksionojnë dhe që kërkojnë ndërtimin e shteteve të pastra etnike. Këto ide po manifestohen qartë: nga njëra anë përmes goditjes së Marrëveshjes së Ohrit dhe mekanizmave kushtetues, nga ana tjetër përmes bllokimit të rrugës europiane dhe izolimit të vendit.
Ky plan po realizohet sepse qeveria ka gjetur disa pa legjitimitet që, për një pozicion, janë të gatshëm të heqin dorë nga gjithçka që ka vlerë për shtetin multietnik dhe unitar.
Po përballemi me një rrezik të madh që synon ta kthejë vendin mbrapa.
Por këtë rrezik do ta ndalë vota e qytetarëve. Më 19 tetor, shqiptarët do të tregojnë se barazia nuk negociohet dhe Marrëveshja e Ohrit nuk cenohet.

Kontrolloni gjithashtu

Arbana Qeriqi: Kur Qemajl Aliu, humb busullën dhe frikësohet nga e vërteta

Mbledhja e fundit e Kuvendit komunal në Shtime, na solli një shembull të qartë se …