Deputetja e NISMA Socialdemokrate, Arbëreshë Krasniqi, ka deklaruar se subjekti i saj politik nuk do ta votojë Glauk Konjufcën për kryeministër, duke e cilësuar mandatimin e tij nga presidentja Vjosa Osmani si “hap joligjor dhe të papranueshëm”. NISMA qëndron e prerë në vendimin e saj, duke argumentuar se “procesi i mandatimit ka qenë në kundërshtim me ligjin dhe procedurat kushtetuese”. “Pse NISMA nuk e voton Konjufcën tashmë është e ditur – për ne është e papranueshme mënyra se si Presidentja e ka bërë këtë hap. Kuvendi, deri në këtë fazë, ka vepruar në shkelje ligjore”, u shpreh Krasniqi. Ajo e cilësoi situatën aktuale si “të rëndë dhe në dëm të qytetarëve”, duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për joseriozitet dhe mungesë sinqeriteti politik. Kosova po përballet me pasojat e një sjelljeje joserioze të Vetëvendosjes. Kjo parti ka dështuar të tregojë pjekuri politike dhe të mbajë përgjegjësi ndaj votuesve të saj. Çdo ditë pa institucione funksionale është dëm për vendin”, theksoi ajo. Krasniqi bëri të qartë se në rast të thirrjes së një seance për miratimin e buxhetit të shtetit, NISMA do ta mbështesë atë, duke e konsideruar si “çështje të interesit të përgjithshëm kombëtar”. Ky qëndrim i NISMA-s, sipas vëzhguesve politikë, e vështirëson edhe më tej aritjen e shumicës së nevojshme për formimin e qeverisë së re, në një moment kur vendi po përballet me tensione të theksuara politike dhe institucionale.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
