Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, ka ngritur alarmin për gjendjen politike dhe institucionale në vend, duke deklaruar se Kosova po kalon një fazë të rrezikshme të çmontimit të shtetit. Gjini ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për shpërfillje të hapur të rendit kushtetues dhe mosbashkëpunim me organet e drejtësisë. “Duhet me qenë seriozisht të brengosur, jemi në një proces të çmontimit të shtetit. Këto çka po ndodhin po e çmontojnë Kosovën… Jemi në proces të rrënimit të rendit kushtetues dhe ligjor, është i sfiduar si kurrë më parë,” deklaroi Gjini, duke paralajmëruar pasoja serioze në të ardhmen. Ai kritikoi ashpër mosgatishmërinë e Kurtit për t’iu përgjigjur thirrjeve të Prokurorisë, duke e cilësuar këtë si një precedent të rrezikshëm që rrezikon të shndërrojë pushtetin në diktaturë. “Një kryeministër që nuk i përgjigjet ligjit, është shumë i ulët,” tha Gjini, duke shtuar se kjo qasje po nxit rrënimin institucional dhe mungesën e përgjegjësisë kushtetuese. Sipas tij, edhe Gjykata Kushtetuese po shpërfillet nga institucionet qeveritare, gjë që rrezikon të minojë vetë themelet e shtetit të Kosovës.
