Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami, ka ngritur akuza të rënda ndaj pushtetit qendror, duke pretenduar se në balotazhin e 9 nëntorit në Mitrovicën e Jugut janë vërejtur manipulime të organizuara në procesin e votimit. Behrami tha se në vendvotimet e mëdha janë gjetur fletëvotime me numra serikë të çrregullt, të shpërndara nëpër klasa të ndryshme, çka sipas tij tregon për trafikim të fletëvotimeve dhe një operacion të organizuar nga struktura shtetërore. “Sipas asaj që po shihet nga procesi i numërimit, në Mitrovicë nuk ka pasur tren bullgar, aty ka pasur tren qeveritar. Pra, një fabrikim shtetëror, jo individual apo i udhëhequr vetëm nga grupe kriminale,” shkroi Behrami. Ai shtoi se masiviteti i këtyre parregullsive është “i frikshëm”, duke e cilësuar rastin si një ndër më të rëndët që mund të ketë ndodhur në historinë zgjedhore të Kosovës së pasluftës. “Masiviteti i këtij fenomeni është një shenjë e qartë se këtu nuk bëhet fjalë për individë, por për një sistem të organizuar nga institucionet e okupuara. Ftoj vëzhgues ndërkombëtarë, organizatat joqeveritare dhe mediat që 24 orë të monitorojnë numërimin në QNR-në e Mitrovicës,” theksoi ai. Behrami po ashtu akuzoi kryeministrin Albin Kurti se gjatë pesë viteve të fundit ka “suspenduar logjikën dhe injektuar urrejtjen e përçarjen në shoqëri”, duke shtuar se kjo gjendje po reflektohet tashmë edhe në zgjedhjet lokale. Deri më tani, as Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, as Prokuroria nuk kanë dhënë ndonjë reagim zyrtar lidhur me akuzat e ngritura nga deputeti Behrami.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
