Auditimi zbulon parregullsi në MPB: Pagesa të jashtëligjshme dhe emërime në kundërshtim me rregullat

Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar një raport kritik për Ministrinë e Punëve të Brendshme, ku ka evidentuar një sërë parregullsish që përfshijnë pagesa të jashtëligjshme, emërime pa bazë ligjore dhe moszbatim të projekteve kapitale. Sipas raportit, MPB ka shpërndarë 55,550 euro në formë shtesash për 65 zyrtarë policorë të suspenduar, të cilët nuk ishin në detyrë aktive dhe rrjedhimisht nuk ishin të ekspozuar ndaj rreziqeve që do të justifikonin këto pagesa. Kjo bie ndesh me Rregulloren për të Punësuarit në Sektorin Publik, ku parashihet që shtesat për rrezikshmëri u takojnë vetëm zyrtarëve të angazhuar në kushte specifike pune. Zyrtarët e MPB-së e kanë arsyetuar gabimin me vonesa në përpilimin e listave, por Auditori vëren se gjatë gjithë vitit nuk është ndërmarrë asnjë veprim për ndaljen apo korrigjimin e këtyre pagesave. Në një tjetër gjetje shqetësuese, raporti thekson se 341 zyrtarë policorë mbajnë pozita për të cilat nuk e kanë gradën e kërkuar, një rritje prej 156 rasteve krahasuar me vitin e kaluar. Konkursi për avancimin në pozitën e rreshterit, i shpallur në shkurt 2024, u anulua pas ndërhyrjes së Inspektoratit Policor për shkak të shkeljeve procedurale.

Kontrolloni gjithashtu

KDI: Kuvendi është shndërruar në cirk, deputetët po paguhen për dy minuta punë

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka reaguar ashpër ndaj bllokadës së vazhdueshme politike …