Deklarata e Avokatit të Popullit

Avokati i Popullit publikoi raportin për të kthyerit nga Maqedonia e Veriut në Obiliq

 Avokati i Popullit, në bazë të mandatit të tij kushtetues dhe sipas kompetencave dhe përgjegjësive të përcaktuara me Ligjin për Avokatin e Popullit, më 10 nëntor 2023 ka publikuar Raportin me rekomandime Ex officio nr. 453/2018 lidhur me mungesën e kushteve të përshtatshme për banim të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, të kthyer në Obiliq nga Maqedonia e Veriut. Raporti ka për qëllim të tërheqë vëmendjen e qeverisjes lokale dhe të asaj qendrore për nevojën e ndërmarrjes së veprimeve me qëllim të krijimit të kushteve të dinjitetshme dhe të përshtatshme të jetesës për të kthyerit në fshatit Plemetin. Avokati i Popullit vlerëson se çështjet lidhur me të kthyerit në fshatin Plemetin janë shtresuar ndër vite, si: procesi dhe mënyra e kthimit, përqendrimi i të kthyerve në një hapësirë të caktuar, mungesa e pronës, fakti se të kthyerit nuk kanë qenë banorë të këtij lokaliteti më parë, reagimi dhe mënyra e pranimit të të kthyerve nga komuniteti pritës, mungesa e regjistrimit në regjistrat e gjendjes civile etj.

Ky raport, nëpërmjet një analize të gjendjes aktuale, veprimeve të deritanishme të autoriteteve dhe analizës ligjore, synon të adresojë nevojën e ndërmarrjes së veprimeve nga ana e autoriteteve në drejtim të ndryshimit të kësaj gjendjeje. Në këtë drejtim, Avokati i Popullit ka konstatuar se ka shkelje të së drejtës për ta zgjedhur vendbanimin, e drejtë kjo e garantuar me nenin 35 të Kushtetutës, dhe shkelje të Nenit 1 të Protokollit 12 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, i cili shtrin fushën e mbrojtjes për “çdo të drejtë të parashikuar nga ligji” dhe vendos një ndalim të përgjithshëm të diskriminimit, që nënkupton situata kur çështja bie në fushën e veprimit të një të drejte substanciale të garantuar nga ligji i brendshëm. Duke u bazuar në situatën komplekse të kthimit të tanishëm dhe në shqetësimet e banorëve të Plemetinit, Avokati i Popullit vlerëson se çështja duhet të zgjidhet përmes bashkëpunimit të autoriteteve qendrore përkatëse, përfshirë këtu Ministrinë për Kthim dhe Komunitete, Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, me Komunën e Obiliqit, duke rekomanduar si në vijim:

Ministria për Komunitete dhe Kthim – në bashkëpunim me komunat në Republikën e Kosovës, të krijojë kushte për kthim të qëndrueshëm, mbrojtje, integrim dhe zhvillim të komuniteteve, bazuar në misionin dhe vizionin për të cilin është themeluar si institucion shtetëror. Komuna e Obiliqit – të ndërmarrë veprime për krijimin e kushteve të përshtatshme për banim për familjet e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, të kthyera në fshatin Plemetin.

Kontrolloni gjithashtu

Gëzim Shala: Ndërhyrjet në sistemin e drejtësisë nga Qeveria Kurti përbëjnë ndërhyrje të papranueshme në drejtësi

Hulumtuesi i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Gëzim Shala, ka deklaruar se Qeveria …