Avokatja e akredituar pranë Gjykatës Speciale në Hagë, Fehmije Bytyqi-Gashi, ka deklaruar se faza e prokurorisë në gjykimin ndaj liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka përfunduar, dhe tashmë është radha e mbrojtjes për të paraqitur provat dhe dëshmitarët e saj. Ajo tha se mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së, përfshirë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, do të përpiqet të zbehë fuqinë e provave të paraqitura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. “Prokuroria i ka kryer të gjitha paraqitjet e saj. Tash është rendi i mbrojtjes për të paraqitur dëshmitarët dhe provat, sipas ligjit. Pas kësaj do të vijnë fjalët përfundimtare dhe do të merret aktgjykimi”, tha Bytyqi-Gashi. Ajo theksoi se mbrojtja synon të demantojë pretendimet e prokurorisë dhe të paraqesë prova që hedhin poshtë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. “Ne si mbrojtje e liderëve tanë do t’i zbehim ato deklarata të cilat nuk janë prova të forta. Nuk e dimë saktësisht sa do të zgjasë procesi, por shpresojmë që të përfundojë para vitit 2026,” theksoi ajo. Liderët e UÇK-së ndodhen në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020, ndërsa procesi gjyqësor ndaj tyre ka nisur në prill të vitit 2023.
