leoni

Aziz Ndreu, këngëtar emblematik i cili i këndoi heroizmit dhe trimërisë shqiptare ndër shekuj

Në mesin e rapsodëve emblematikë të kombit tonë, emri i Aziz Ndreut qëndron në radhët e të parëve me Tom Nikollën, Dervish Shaqen, Frrok Haxhinë, Sali Manin, Feride Kurtin, Fatime Sokolin, Dava Gjergjin, Drane Gegën  e shumë të tjerë.

(Aziz Ndreu lindi në Peshkopi, në vitin 1935. Kishte origjinë prej një familje me tradita të rezistencës kombëtare, por edhe me traditë në këndimin e këngëve të trimërisë. Në saje të angazhimit dhe talentit që kishte derdhur në këndimin e këngëve dhe interpretimin e shkëlqyer me çifteli, Aziz Ndreu ishte shpallur “Artist i merituar”. Në moshë të re është angazhuar si këngëtar  popullor  në Shtëpinë së Kulturës, në Peshkopi. Ka qenë i afirmuar si këngëtar popullor në nivel kombëtar. Ka marrë pjesë në Festivalin e Këngës, muzikës dhe valles, Tiranë 25-27 Nëntor të vitit 1959, ku vlerësohet me çmimin e lartë, “Rapsod popullor”. Pas kësaj merr pjesë rregullisht në të gjitha Festivalet Folklorike të Gjirokastrës dhe në Festivalin e këngës popullore të Beratit, në vitin  1995. Ka vdekur në vitin 2000 në moshë 65-vjeçare).

Këngët e rapsodit dibran, Aziz Ndreu  janë të veçanta në shumë segmente krijuese dhe interpretuese. Për dallim nga rapsodët e tjerë, që kanë krijuar e kënduar dhjetëra e qindra këngë, albumi i këngëve të tij duket modest, por origjininaliteti i këngës së tij është tejmase i veçantë, qoftë me zërin burrëror, të lindur apo të trashëguar, qoftë me përzgjedhjen e këngëve, meqë ai ka kënduar vetëm këngë historike dhe këngë trimërie, qoftë me melodinë dhe kompozimin e shquar artistik, qoftë me mënyrën arkaike të të kënduarit, qoftë me forcën e brendshme shpirtërore, mobilizuese, që iu ka dhënë këngëve.

 

Aziz Ndreu nuk ka kënduar shumë këngë, por të gjitha këngët e tij janë antologjike, të gjitha këngët e tij janë këngë të krenarisë kombëtare, këngë që kurrë nuk harrohen, kurrë nuk vjetërohen. Sapo ta dëgjosh këngën e Hajredin Pashës, pavarësisht se kush e këndon dhe pavarësisht sa mundohet ta këndojë mirë e më mirë, nuk ka si të mos kujtohet origjinali, të cilit askush deri sot nuk iu ka afruar, as mund ta këndojë si.  

Në këtë këngë ai ka bërë bashkë zërat kushtrimtarë si uraganë të ndezur flakë  të Lumës e Dibrës, zërimin mobilizues të masave të revoltuara shqiptare kundër Mbretit të Turqisë, ka intonuar zërin më të fuqishëm të mundshëm të kushtrimit të furisë kryengritëse, të ndeshjeve për jetë a vdekje, zërin e ngadhënjimit çlirimtar, në anën tjetër ka segmentuar edhe zërin e qyqes, të pashait, i cili vajton fatin e zi, vajton atin e ushtarët, derisa përmes zërit të malësorëve dibranë i bëhet me dije  pashait se  Dibra nuk është Selenajk e as Prejlep, por është një termopile e Shqipërisë, e cila u la në gjak vjet për vjet, por kurrë nuk u mposht dhe kurrë nuk u tret.

Heroizmi me të cilin e përthekon strukturën e këngës, Aziz Ndreu, pastaj forca mobilizuese me të cilën e mban gjallë nga fjala në fjalë, nga rreshti në rresht, nga strofa në strofë, krijojnë tërësinë emblemë të këngës, e cila jeton përgjithmonë, meqë edhe është krijuar për të qenë një këngë e tillë, një këngë e përjetshme që ka vulosur në kujtesën e kombit vetëm njërën prej 400 betejave të Shqipërisë kundër Perandorisë më të madhe të botës, kundër Perandorisë osmane.

Ritmi dhe gradacioni artistik i kësaj kënge të sjellë në kujtesë hapërimin e kalorësve që shkojnë drejt vdjekjes, sjellin në kujtesë kushtrimin e mobilizimin popullor, për të mos lejuar ushtrinë pushtuese t’ i shkel trojet, sa e sa herë të lara me gjakun e trimave dhe trimëreshave.

Këngëtari  popullor, po me të njëjtin mënyrë këndimi qësendis  edhe pashanë turk, i cili pendohet për ndërmarjen luftarake, duke përjetuar thellë humbjen drastike e tragjike në fushë të betejes, atje ku kishte hapur varre për ushtarët e tij, atje ku i kishte mbetur edhe kali i ngratë i larë në gjak, atje ku ushtria e tij ishte bërë mish për korba dhe kishte mbetur nëpër llogore, në Grykë të Radikës, atje ku i kishte mbetur tërë ordia. Rapsodi nuk i qesëndis as i lëndon ushtarët e mjerë, që i kishin bërë mish për top. Ai, dhembjen për ta e shpreh përmes gojës së pashait, i cili vajton fatin e vet të zi, por edhe  humbjen e qindëra ushtarëve.

Kjo këngë epike-heroike, përveç forcës mobilizuese, ka edhe një melododi mahnitëse që të rrëmben si një forcë magnetike, duke të mbërthyer në botën e heroikes dhe tragjikës, duke të sjellë në kujtesë dhembjen bashkë me krenarinë, jetën bashkë me vdekjen.

Aziz Ndreu me pietet  të këngëtarit kushrimtar i ka kënduar edhe kryetrimit  të Lumës e të Shqipërisë, luftëtarit të përkushtuar Elez Isufi, i cili “në malet e Lurës dhe të Korabit, fushën e mbushi me shapka të krajlit”.

Kjo këngë historike ndër më të fuqishmet të trimërisë i këndon bëmave të dy komandantëve popullorë, Elez Isufi dhe Isuf Xhelili, të cilët me malësorët dibranë e lumjanë u dolën para hordhive serbe e ruse, që po depërtonin nëpër malet e Shqipërisë, me qëllim për ta pushtuar e për ta shfarosur gjatë kohës së Luftërave Ballkanike. Edhe pse ishte një luftë krejt e pabarabartë, lumjanët e dibranët luftuan ashtu sikur spartanët dikur, meqë kishin Elez Isufin e Isuf Xhelilin, kryetrimat popullorë, të cilët shkruan faqe heroizmi e lavdie në luftë kundër barbaroidëve serbë.

 

Krajli i serbit ka mbetun pa mend,

se në Dibër rend pa rend,  

i kris pushka vend për vend, 

i kris pushka vend për vend, 

bini, mos trima, bini!

i kris pushka vend për vend, 

bini mos trima bini!

 

Elez Isufi, harusha e Malit

Fort po i vret asqerin e kraljit

Fort po i grin e po ban  kerdi

Nëpër brigjet e Drinit të Zi

Bini,  mor trima, bini!

Nëpër brigjet e Drinit të Zi

Bini po trima bini!

 

Kur vikati ai Isuf Xhelili,

Po i ban Mamzerja si goj bilbili,

Isuf Xheli na paska thanë,

Ne kësaj Dibres ja lam nji nam,

Bini mor trima bini!

Ne kësaj Dibres ja lam nji nam

Bini mor trima bini!

 

Burrat e Dibrës e kanë dhanun besën

Per vatanin te tanë do të vdesim,

Se n Stamboll na  ka vajtun fjala

Qe nëntë vjet po luftojmë me krajla

Bini por trima bini!

Qe nëntë vjet po luftojmë me krajla

Bini por trima bini!

 

Elez Isufi nje burr i Shqipnisë

Prijësi  i Dibrës e i tanë malësisë

N male të Lurës  e në maje të Korabit

Tokën  e nxini me shapkat e serbit

Bini mor trima bini!

Tokën  e nxini me shapkat e serbit

Bini mor trima bini!

 

Një këngë tjetër e trimërisë  e kënduar nga rapsodi, Aziz Ndreu është edhe kënga e Mahmut Dac Kalisit, këngë tipike ku i këndohet trimërisë shekullore shqiptare. Gjatë këndimit melodia  përshkohet me një ritëm të ngadalësuar për të marrë hov në fundin e çdo strofe, element ky që ndërlidhet me hapërimin historik shqiptar nëpër shekuj. Mahmut Dacin e thërrt pasha, në besë, mirëpo ai nuk i beson pashait, i vetëdijeshëm se mund ta lë edhe kokën. Pranon të shkojë te pashai, për të mos lejuar të krijohet bindja se ishte frikacak, edhe pse e dinte mirë se do të pritej.  Në kohën kur vendos të shkojë te Pasha, ai kërkon djalin, i cili do ta shoqëronte. Përnjëherë lajmërohet Bajram Hasa, mirëpo Mahmut Daci në fillim heziton, i vetëdijshëm se mund të vritet edhe ai, “djal’ ma i miri”, të cilin më me dëshirë nuk do ta merrte me veti, por do ta linte për të trashëguar trimërinë, besën dhe armët e lirisë. Nga vargjet e këngës nuk kuptojmë se Bajrami ishte djali i Muahmut Dacit, por thjesht një djal trim i çetës së tij. Në përshkrimin e këngës ai del të jetë një Bajram Hasa. Në strofën e fundit të këngës, Mahmut Daci, pak para se të vdiste nga plagët, rrëfen se në shtëpi ka lënë edhe tre djem, Zenelin, Selmanin dhe Muratin e vogël. Bijtë i porositë të ja marrin hakun, ndërsa djalit më të vogël t’ia vejnë emrin e babait, Mahmutit.

Kënga është fragmentare dhe nuk jep material të mjaftueshëm për të sqaruar krejt motivin. Megjithatë, nga përmbajtja e pesë strofave të kësaj kënge, të kënduar me përkushtim nga Aziz Ndreu, mësojmë se Mahmut Dac Kalisi i Lumës, ishte prerë në besë nga një pasha, ashtu sikur u prenë në besë “Shtatë shaljanët”, në sajaret e Pashës së Shkodrës,  apo sikur iku kishte prerë koka pabesisht Kolë Gjeçit të Kurbinit, të cilit ia merr kokën sivëllai i tij, dhe ia dërgon Vezirit shqiptar në Shkodër. Kur ai e  kupton se e kishte vrarë vëllamin, urdhëron që t’ i pritet koka, Kolë Gjeçit, meqë kishte  koritur fisin e kombin. Mahmut Dac Kalisi  mallkon tradhtarin Lil Tafa, të cilin e kishte rritur me bukë. Duket se ky farë Lila, për vepra të liga në dëm të bashkëkombësve të vet, ishte graduar në postin e Bimbashit të Pashait dhe kishte marrë pjesë në kurdisjen e planit për ta ftuar te çadrat dhe për ta vrarë  Mahmut Dac Kalisin së bashku me Bajram Hasën.

Ashtu sikur edhe te kënget e tilla të trimërisë, kënga e Mahmut Dac Kalisit shquhet për nga mënyra arkaike e këndimit nga rapsodi emblematik, Aziz Ndreu, shquhet për  ritmin dhe gradacionin e pasur, për qartësinë e këndimit e mbi të gjitha për zërin burrëror me të cilin i përthekon për mrekulli  këngët, rapsodi, Aziz Ndreu.

 

Kënga e Mahmut Dac Kalisit

 

Mahmut Dacin po e kërkon Pasha

Po t’  kërkon pasha te çadra!

-Cili djalë po vjen me mue?

Bajram Hasa  thotë  do t vij unë,

-Djalë ma t mirin une se due!

 

-Kur të shkojmë djem na ke pasha,

-Kur të hyj unë mbren te çadra,

-Kur t’ i ngrej llafet  e nalta,

-Ju t’ i  t i bini çadrës për mbrapa?

 

Ma vonë në çader pushka krisi,

Kur bërtiti ai Bajram Hasa,

-Bini more djem se s’  jemi cuca!

-Nuk jemi cuca e nuk jemi gra!

-Po jemi burra  për me u vra!

 

Si bimbash kishte qene Lil’ Tafa

Sa i pa besë qeni kishte qene,

E vraftë buka qi ja kam dhanë,

Flokt e cullve po shkon me i  marrë.

 

Mahmut Daci shka na paska thanë:

Kam lanë Zenel e kam lanë Selmanin,

At ma t’ voglin e kam lenë Muratin,

Mirrnje gjakun e të m ja çoni,

Mahmut Dac emrit t ja thoni!

 

Të tilla dhe anologjike janë edhe këngët e Aziz Ndreut kushtuar, Sylejman Markut, Dom Nikollë Kaçorrit, Neshat Qokut, Nazmi Rushitit, kënga Malet e Dibrës,  kënga elegjiake, Vinë pamporat  bregut detit e të tjera.

 

Rapsodi popullor, Aziz Ndreu e ka siguruar vendin ndër këngëtarët më meritorë të  muzikës rapsodike shqiptare. Ai e shprehu me këngë, aspiratën e pashterrshme për liri të vegjëlisë shqiptare dibrane e lumjane. Me  zërin e tij burrëror, ai bëhet një me armët e pjesëtarëve të të parëve të tij, bëhet një  me  Elez Isuf Ndreun, të cilit i këndon mauzeri si gojë bilbili, bëhet një me trimat që sulmojnë pushtuesin serb nëpër brigjet e Drinit të Zi, duke ua bërë skëterrë jetën, bëhet një me malet e Lurës dhe majat e Korabit, të cilat Isuf Xhelili me trimat e tij e kanë mbushur plot tokën, me shapkat e ushtarëve të krajlit.

Këngët e kënduara nga Aziz Ndreu dhe të mbetura trashëgim për brezat janë margaritarë të papërsëritshëm të folkorit shqiptar, si për nga përmbajtja ashtu edhe nga mënyra autentike e këndimit.

Ahmet Qeriqi

10. 1. 2013.

Fatime Sokoli këngëtarja e dhembjes dhe krenarisë kombëtare

 

 

Këngëtarja e mirënjohur në Shqipëri, veçmas në Kosovë, Fatime Sokoli,  lindi në fshatin Dragobi të Tropojës, më 18 qershor të vitit 1948. Ajo lindi  në Termopilen e Bajram Currit, atje ku heroizmi shqiptar kishte shënuar faqe të ndritshme të qëndresës shekullore kundër pushtuesve. Pushka dhe kënga  ishin fort të lidhura njëra me tjetrën dhe  nuk bënin dot  njëra pa tjetrën. Pushka printe, hapte shtigje, kënga përcillte trimërinë nga brezi në brez, frymëzonte malësorët e vegjël, që kur të rriteshin e të burrëroheshin me pushkë të ruanin trojet nga banditet, nga gjakatarët nga pushtuesit.

Në shkrepat e Dragobisë, në kujtimin e paharrueshëm të qëndresës së Bacë Bajramit, Hasan Prishtinës, Avni Rrustemit, po rritej edhe një bijë e Malësisë, e cila qysh në moshë të re, falë talentit dhe edukatës familjare, falë shoqërisë që u interesua për të, ajo po rritej e lirshme dhe e hareshme  nën tingujt e çiftelisë e të sharkisë, duke kënduar këngë për trimat e trimëreshat e Tropojës e të Malësisë së Gjakovës, këngë për Shote Galicën e për trimat e Shqipërisë.

 

Fatime Sokoli  është shfaqur para publikut në moshën e saj 12 vjeçare dhe që atëherë ishte vërejtur talenti i saj i pashoq, zëri i thekshëm ashtu si jehona e maleve të Dragobisë, pastaj përkushtimi i saj për këngët e trimërisë dhe  për instrumentet popullore, bënë që ajo për asnjë çast të mos i ndahej këngës.

 

Në një intervistë për gazetën “Tirana Observer”, Përparim Sokoli,  duke folur për hallën e vet, Fatime Sokoli,  ka sjellë në kujtesë  fjalët e babait i cili kishte treguar se në përvjetorët  e rënies së  atdhetarit, Bajram Curri banorët liridashës të kësaj ane mblidheshin çdo vit në vendin ku ka rënë  heroi, te Shpella e Bacë Bajramit. Aty malësorët  organizonin aktivitete të ndryshme tematike e kulturore. Në atë kohë, në një skenë të improvizuar buzë shpellës, doli Fatime Sokoli, e veshur si djalë me çifteli në dorë dhe këndoi një këngë për Bajram Currin. Të gjithë pjesëmarrësit u habitën nga zëri dhe nga melodia që nxirrnin tingujt e çiftelisë. Por më të hutuar ngelën pjesëtarët e familjes, të cilët nuk e kishin dëgjuar kurrë të këndonte Fatimen e tyre. Ajo kishte arritur të mësonte vetë t’i binte çiftelisë dhe atë ditë u bëri një surprizë të gjithëve. Fatimeja jo vetëm që i habiti të gjithë me talentin e saj, por theu edhe një tabu. Ajo ishte malësorja e parë që këndonte dhe i binte çiftelisë, në atë moshë aq të re.

Prej atij momenti,  Fatime Sokoli kishte pushtuar publikun në radhë të parë, sepse këndonte bukur dhe interpretonte me virtuozitet çiftelinë, por edhe sepse si vajzë e re paraqitja e saj ishte diçka e re, e pazakontë.  Sa herë organizoheshin festa ose nëpër gëzime familjare, Fatime Sokoli këndonte në odat  e burrave dhe ajo këndonte dhe i binte çiftelisë, më pas ajo u bë pjesë edhe e Ansamblit Popullor të rrethit të Tropojës.

Duke e parë talentin e saj të lindur për këngën autoritetet e Tropojës e dërguan për vazhdimin e shkollimit në kryeqytetin e Shqipërisë. Fatime Sokoli regjistrohet  në liceun artistik “Jordan Misja”,  në Tiranë dhe pas përfundimit të shkollës u kthye në Tropojë. Ajo filloi punën si mësuese e muzikës, ndërkohë që ishte  edhe anëtare e Ansamblit Popullor të Rrethit të Tropojës. Gjatë kësaj kohe, ajo mori pjesë në të gjitha festivalet kombëtare të Gjirokastrës, ku edhe iu akorduan   një numër të madh çmimesh.”

 

Nipi i saj, Përparim Sokoli, thotëse  Fatimja këndonte këngë të trimërisë dhe dashurisë për vendin, këngë për Kosovën e për viset e tjera shqiptare jashtë kufijve tanë. Njëherë, në një koncert në Prishtinë disa serbë fikën dritat e sallës ku ajo po këndonte. Por, ajo nuk e ndërpreu këngën, vazhdoi të këndonte, ndërkohë disa spektatorë atje hoqën bluzat dhe u vunë flakën në mënyrë që të bëhej dritë. Këngët e saj ishin nga më të pëlqyerat edhe në emisionin e Radio Tiranës,  “Për bashkatdhetarët tanë jashtë atdheut”. Në këtë emision, kërkesat për këngët e saj ishin të shumta dhe ishin në vend të parë. Dashurinë që kishin për Fatimen shqiptarët e diasporës e shprehën edhe kur ajo vdiq. Pasi në shtëpinë e saj nuk munguan të vinin letra dhe mesazhe të panumërta ngushëllimi. Por gjënë më të bukur e kanë bërë disa shqiptarë nga Zvicra, të cilët sollën një si sixhade nga ato që vareshin në mur, copë e madhe gati 4 metra katrorë, ku ishte e qëndisur portreti i saj duke i rënë çiftelisë.

Mirëpo Fatimeja kishte kohë që vuante nga veshkat, derisa sëmundja kaloi në azotemi. Duke qenë se në atë kohë ajo gëzonte statusin, “Artiste e Merituar”,  u dërgua për shërim jashtë vendit, por nuk u arrit që të shërohej. Pas kthimit në vend dhe pas një trajtimi të gjatë mjekësor,  edhe pse ishte e sëmurë vazhdoi të këndonte dhe të merrte pjesë në koncerte të ndryshme, derisa pas disa muajsh u detyrua të shtrohej në spitalin e Tiranës. Pas një qëndrimi dhe mjekimi prej disa muajsh, gjendja e saj nuk u përmirësua, por u rëndua edhe më keq. Unë isha i ri në atë kohë dhe mbaj mend që kur shkoja për ta vizituar, ajo bënte gjithmonë shaka dhe ishte shumë e fortë. Mjekët thoshin se ajo nuk stepej nga sëmundja dhe e mbante gjallë me humor gjithë pavijonin ku ajo ishte shtruar. Duke parë që gjendja u bë edhe më keq, edhe ajo dëshironte të kthehej në vendlindje, kështu u bë e mundur nxjerrja nga spitali dhe sjellja me helikopter në Tropojë. Vetëm një ditë pasi kishte ardhur, ajo vdiq.

Babai im ishte vëllai i madh dhe i vetëm i Fatimes, njëkohësisht kishin edhe një motër tjetër, por që nuk banonte në Tropojë. Ajo dhe babai ishin shumë të lidhur me njëri-tjetrin, kjo pasi edhe ata kishin ngelur jetimë në moshë të vogël. Mua halla më kujtohet gjithmonë e qeshur dhe e dashur. Duke qenë se ne ishim pesë vëllezër dhe ajo nuk kishte fëmijë për shkak të sëmundjes së saj, ajo çdo ditë pushimi na merrte në shtëpinë e saj. Por që mos i mbetej qejfi asnjërit, na merrte me radhë dhe duke qenë mësuese në shkollën ku ne studionim, ajo gjithmonë interesohej se si ecnim ne në mësime. Artistja e Popullit u nda nga jeta pas një sëmundjeje të rëndë, më 8 qershor 1987.

 

Këngëtarja popullore, Fatime Sokoli, e cila ka kryer edhe Liceun e Muzikës, “Jordan Misja”, në Tiranë,  radhitet ndër emrat më të njohur dhe më meritorë të interpretimet të këngëve të zhanreve të ndryshme popullore, por mbi të gjitha për këndimin tërë pasion të këngëve të trimërisë, këngë të cilat kishin për qëllim mobilizimin kombëtar të masave shqiptare.  E lindur, e edukuar dhe e rritur në një ambient kur pushteti popullor kishte filluar arsimin masiv  dhe përkujdesjen  për popullin, talenti i saj ra në sy të njerëzve, që kishin marrë  përsipër emancipimin e femrës shqiptare, shkollimin dhe hapjen e perspektivës për gjininë e shtypur e të keqtrajtuar gjatë shekujve të gjatë të robërisë dhe Kanunit të egër të Maleve, i cili femrën e trajtonte si “shakull për të bajtur”. Në kushte dhe rrethana të tilla doli në sipërfaqe talenti i saj dhe iu hapen dyert drejt arsimimit, edukimit muzikor e pedagogjik.

Rrethanat e reja që u krijuan në Shqipërinë e kohës, interesimi i pushtetit popullor për edukimin patriotik të masave, pretendimet e zgjimit dhe kalitjes së vetëdijes klasore e kombëtare, shpalimi i ngjarjeve historike dhe rikthimi i porosisë për bashkimin e kombit, ishin  pjesë e programit për ndërtimin e identitetit kombëtar të shqiptarit bashkëkohor, pavarësisht sa u arrit në atë drejtim dhe pavarësisht si komentohet sot nga kundërshtarët e regjimit, të cilët kishin marrë pjesë në ngritjen e tij. Pikërisht në atë kohë të zgjimit të madh, në këtë kohë të mobilizimit të tërë një populli, që jetonte i ndarë nga bota dhe i rrethuar nga fqinjët grabitqarë, kënga, artet kultura ishin bërë pjesë e politikës së shtetit dhe Partisë dhe si të tilla ato u bënë pjesë e kulturës socialiste, por me elemente të theksuara kombëtare.

Paraqitja në skenat e festivaleve të Fatime Sokolit, Feride Kurtit, Vitore Rushës,  Violeta Përbashës, Mrika Trumshit, Drane Gegës, Kleopatra Dokles, Irini Qiriakos, Dava Gjergjit  dhe shumë këngëtareve të tjera, ngjallte entuziazëm atdhetar te shikuesit në Televizion dhe  dëgjuesit e  radiove jo vetëm në Shqipëri, por kudo në trevat shqiptare, sepse Radio-Tirana e Radio-Kukësi kishin shumë më tepër dëgjues në Kosovë sesa Radio Prishtina apo radiot e tjera lokale të Kosovës, mbi të cilat ushtrohej censurë e ashpër ideologjike.

Shqiptarët në Kosovë në vitet 50 e 60 madje edhe dënoheshin me burg për kundërvajtje nëse hetoheshin duke dëgjuar Radio-Tiranën apo Radio Kukësin. Dhe, pikërisht për këtë lidhja shpirtërore e shqiptarëve kishte filluar të çelnikosej. Këngët që i këndonte Fatime Sokoli dhe këngëtarët e tjerë në Shqipërisë  kishin filluar të këndoheshin nga këngëtaret e Shoqërive Kulturore Artistike, kudo në Kosovë.

Ishte koha e rizgjimit kombëtar të shqiptarëve nën pushtimin jugosllav në Kosovë dhe në trojet e mbetura nën pushtim, dhe këtij rizgjimi kombëtar po i kontribuonin jashtëzakonisht shumë Radi0-Tirana e Radio-Kukësi, ku programet kombëtare po realizoheshin sipas direktivave të  PPSh-së me qëllim  të caktuar, që fryma revolucionare kombëtare të depërtonte sa më thellë në Kosovë. Krejt kjo rrodhi natyrshëm  dhe gjeti terren shumë të, përshtatshëm për ndikim e frymëzim, sepse shqiptarët nuk kishin asnjë dobi nga dëgjimi i Radio-Beogradit apo Radio-Nishit, meqë as e kuptonin gjuhën as kishin dëshirë të dëgjonin këngë të tilla, të cilat po ashtu nuk i kuptonin. Asokohe, në dy deceniet e para pas Luftës së Dytë Botërore, ishin në numër të vogël  ata shqiptarë që nuk e dëgjonin Radio-Tiranën, apo që nuk kishin simpati për Shqipërinë Socialiste, pavarësisht si mund të deklarojnë sot.

 

Këngët e rapsodes popullore, Fatime Sokoli shqyhen për mënyrën autentike të këndimit, për tematikën, qartësinë e fjalëve dhe zërin magjeps femëror me tone burrërore. Ajo arriti ta nxjerrë në sipërfaqe këngën tipike të Malësisë së Gjakovës, e cila kishte ruajtur format arkaike të këndimet shekullor, rapsodik,  dhe kishte ushtruar ndikim edhe në Dukagjin e gjithandej në Kosovë.

Në repertorin e saj zënë vend me rëndësi edhe këngët për Kosovën, këngët për Bajram Currin, Shote dhe Azem Galicën, Emin Durakun, Ganimete Tërbeshin dhe për shumë trima e trimëresha shqiptare. 

Ishte kënga e parë e kësaj këngëtareje që u këndoi me dhembje e krenari demonstratave popullore të rinisë shqiptare të marsit e prillit të vitit 1981. Ishte kënga që e mbajti gjallë moralin patriotik të revolucionarëve të Kosovës, të cilët marshonin me moton “Ecin para vëlla, kthim para s’ka”.  Këtë rrugëtim  të gjatë, historik të shqiptarëve të Kosovës  dhe viseve të tjera të robëruara i shoqëronte edhe kënga e zjarrtë patriotike e Fatime Sokolit, Dervish Shaqës, Sali Manit,  Dava Gjergjit, Aziz Ndreut, Feride Kurtit e shumë këngëtarëve të tjerë.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Nëpër shekuj kënga e popullit - këngëtari, Nikollë Nikprelaj

Ahmet Qeriqi: Nëpër shekuj kënga e popullit – këngëtari, Nikollë Nikprelaj

Këngëtari, i mirënjohur, Nikollë Nikprelaj, me origjinë nga Trieshi i Malësisë së Madhe, radhitet në mesin …