Ende nuk ka asnjë shenjë nëse do të nisin punimet për riparimin e urës kryesore mbi lumin Ibër si dhe për heqjen e barrikadës së ashtuquajtur “Parku i paqes” mbi këtë urë, ndonëse një gjë e tillë ishte paraparë të përfundojë në muajin qershor. Të paktën, ky afat ka qëndruar në Marrëveshjen e Brukselit, të arritur në kuadër të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në gushtin e vitit të kaluar. Kryetarët e të dy komunave të Mitrovicës, përkatësisht Agim Bahtiri dhe Goran Rakiq, vlerësojnë se çështja e riparimit të urës kryesore mbi Ibër dhe ajo e heqjes së barrikadës së ashtuquajtur “Parku i paqes” mbetet ‘status quo’, ndërkaq vazhdojnë të kenë mendime krejtësisht të ndryshme lidhur me zgjidhjen e kësaj çështjeje. Kryetari i komunës së Mitrovicës së jugut, Agim Bahtiri ka thënë se do të bëjë gjithçka që është e mundur që çështja e zhbllokimit të urës mbi Ibër të bëhet, siç thotë ai, sipas Marrëveshjes së Brukselit. Ai ka paralajmëruar se do t’i adresojë një letër përfaqësuesit të BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar për t’i kërkuar sqarime se përse nuk kanë filluar punimet në urën e Ibrit.
