Në njërën nga pikat e Marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, parashihet që ky entitet të ushtrojë kompetenca të gjëra edhe në fushën e arsimit. Siç precizohet në pikën 4 të kësaj Marrëveshje, si funksion i Asociacionit konsiderohet edhe mbikëqyrja e plotë në fushën e arsimit. Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami në një intervistë për Radion Kosova e Lirë, ka pranuar se Asociacioni do të ketë më së shumti kompetenca në fushën e arsimit. Megjithatë, ai ka premtuar se Ministria që ai drejton, do të jetë pjesë aktive e procesit për t’u siguruar që sistemi arsimor të jetë plotësisht në përputhje me legjislacionin e Kosovës. “Ne do të monitorojmë sidomos statutin e Asociacionit, në mënyrë që këto kompetenca mos të cenojnë autoritetin qendror të Qeverisë së Kosovës. Do të monitorojmë plan-programet dhe tekstet, dhe kështu do të parandalojmë cilindo edukim të bazuar në urrejtje, falsifikim të historisë apo diskriminim”, ka deklaruar ministri, Bajrami. Duke folur mbi tekstet e historisë në shkollat serbe në Kosovë, që shpesh kanë përmbajtje fyese, ministri i Arsimit ka theksuar se Qeveria do të jetë e pakompromis që mësimi në gjuhën serbe të jetë plotësisht në përputhje me ligjet e Kosovës, në mënyrë që asnjë tekst apo program të mos lejohet pa licencimin dhe akreditimin nga Qeveria e Kosovës. Ministri Bajrami, poashtu ka premtuar se do të ketë reciprocitet me mësimin shqip në Kosovën Lindore, por pa sqaruar se cilët do të jenë hapat e parë në drejtim të politikave të reciprocitetit. /rkl/.
Kontrolloni gjithashtu
Katër partitë shqiptare krijojnë kryesinë e përbashkët për të sfiduar Qeverinë Mickoski
Përçarjet dhe pasiguria në lidhje me Qeverinë e Mickoskit kanë shtyrë katër partitë shqiptare – …