Balotazhi i së dielës: 80 prokurorë në terren për mbrojtjen e votës

Në prag të raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash, që do të zhvillohet të dielën më 9 nëntor 2025, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka bërë të ditur se ka përfunduar të gjitha përgatitjet për mbrojtjen e procesit zgjedhor dhe garantimin e integritetit të votës. Sipas njoftimit zyrtar, rreth 80 prokurorë dhe zyrtarë të sistemit prokurorial do të jenë të angazhuar në të gjitha komunat e Kosovës, me kujdestari të vazhdueshme deri në përfundim të procesit të votimit dhe numërimit të votave. Në komunikatë, Prokuroria ka ftruar qytetarët, subjektet politike dhe organizatat që të raportojnë menjëherë çdo rast të dyshuar për keqpërdorim, manipulim apo shkelje të ligjit zgjedhor, duke garantuar reagim të menjëhershëm nga institucionet e drejtësisë. “Prokurori i Shtetit i fton qytetarët e Republikës së Kosovës, të gjitha subjektet politike, institucionet apo organizatat e ndryshme, që të denoncojnë tek prokuroritë përkatëse çdo rast, për të cilin kanë dyshime se po keqpërdoret ose manipulohet vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë”, thuhet në njoftim. Ky angazhim institucional synon të sigurojë një proces zgjedhor të qetë, të drejtë dhe transparent, duke shmangur incidentet që mund të cenojnë besimin e qytetarëve në zgjedhje dhe në institucionet demokratike të vendit.

Kontrolloni gjithashtu

Mërgimtarët tanë që kanë qëndruar në pushimet e verës në vendlindjet e tyre, po të kthehen në vendet ku punojnë

Mërgimtarët shprehin preferenca politike para zgjedhjeve të 28 dhjetorit: PDK dhe LDK në fokus

Në prag të festave të fund vitit dhe zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, …