Analisti politik Behxhet Sh. Shala – Bajgora ka vlerësuar se zgjedhjet lokale dhe balotazhi i 17 nëntorit mund të jenë vendimtare për të ardhmen politike të Kosovës dhe të qeverisë aktuale. Shala tha se Lëvizja Vetëvendosje po përballet me një “luftë për mbijetesë politike, ekonomike dhe ligjore”, duke e akuzuar për përdorim të pushtetit në funksion të fitores elektorale. Sipas tij, qeveria dhe strukturat e saj janë përfshirë në punësime të militantëve në komuna si Fushë-Kosova e Kastrioti, ndërsa fitoret eventuale në këto qytete mund të ndikojnë edhe në hetimet për abuzime. Ai parashikoi fitore të opozitës në disa komuna kyçe, duke përmendur Gjakovën, Pejën, Prishtinën (Përparim Rama) dhe Prizrenin (Shaqir Totaj). Në anën tjetër, Shala e quajti Mitrovicën “Stalingradin politik” të këtij balotazhi, ku fitorja e opozitës do të përbënte një goditje të rëndë për kryeministrin Kurti. Ai theksoi se rënia e Mitrovicës do të sinjalizonte “fillimin e fundit politik të Kurtit”. Në fund, Shala komentoi edhe koalicionet lokale mes partive, duke i cilësuar disa prej tyre “të çoroditura” dhe pa bazë politike. Ai sugjeroi se një bashkëpunim më i qëndrueshëm midis PDK-së dhe LDK-së mund të jetë prelud i një koalicioni të ardhshëm qendror, ndërsa Vetëvendosja sipas tij po hyn në fazën më të vështirë që prej ardhjes në pushtet.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
