BDI: Ministrja serbe me akuza ndaj BDI-së rikthen narrativat e “çlirimit” përmes pushtimit, VMRO-VLEN s’bëjnë zë

Bashkimi Demokratik për Integrim me indinjatë të thellë e dënon video-mesazhin e publikuar nga ministrja serbe Milica Gjurgjeviç Stamenkovski, e cila, duke i përsëritur të njëjtat teza të rrezikshme, tenton të legjitimojë pushtimin serb të Maqedonisë dhe Kosovës si “çlirim”, pavarësisht masakrave të shumta ndaj popullatës civile, ndaj shqiptarëve, maaedonasve dhe shqiptarëve ortodoks.
Ky është revizionizëm historik i pastër, që synon të relativizojë okupimin dhe dhunën shtetërore të ushtruar mbi shqiptarët dhe popujt e tjerë të rajonit. Për më tepër, ky narrativ, i shprehur hapur nga një ministre e Qeverisë së Serbisë, është përpjekje për ta institucionalizuar “botën serbe” në Maqedoninë e Veriut, që ka marrë hov me qeverinë aktuale.
E gjithë kjo ndodh në mungesë të çdo reagimi nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, e cila përmes veprimeve konkrete, e sidomos përmes miratimit edhe nga partnerët e saj të VLEN-it, e legjitimon këtë diskurs. Kjo qasje nuk është neutralitet, kjo është pajtim i qartë me projektet nacionaliste të Beogradit.
BDI qëndron fuqishëm kundër çdo forme të shtrembërimit dhe revizionizmit historik dhe kundër përpjekjeve për ta vendosur atë si politikë shtetërore në vend. Historinë nuk mund ta rishkruajnë me qasje shoviniste, e aq më pak ta institucionalizojnë me bekimin e qeverisë aktuale.
BDI do të vazhdojë të mbrojë pa kompromis orientimin euroatlantik të vendit, barazinë ndëretnike dhe të vërtetën historike, në përballje me çdo tentativë për t’i rikthyer fantazmat e “botës serbe” në Maqedoninë e Veriut.

Kontrolloni gjithashtu

Arsim Bajrami

Akademik Arsim Bajrami: Gjykata speciale në Hagë duhet të pastronte UÇK-në dhe të hapte perspektiva për Kosovën

Akademik Arsim Bajrami, ka dhënë analizën e tij juridike dhe politike mbi gjykatën speciale në …