Deklaratat e fundit të përfaqësuesve qeveritarë se “nuk mjafton një vit për ndryshimet kushtetuese” janë dëshmi e mungesës së vullnetit politik dhe e dështimit të kësaj qeverie për ta çuar vendin drejt integrimit europian dhe për të respektuar vetë Marrëveshjen e Ohrit. Prej ditës së parë të mandatit, përveç bllokimit të perspektivës evropiane, kjo qeveri dhe partnerët e saj kanë sulmuar themelet e barazisë dhe të Marrëveshjes së Ohrit: • kanë shfuqizuar balancuesin, duke cenuar përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve dhe komuniteteve tjera; • kanë zhvlerësuar Marrëveshjen e Ohrit duke ia dorëzuar implementimin figurave me bindje antishqiptare dhe antiperëndimore, si Ivan Stoillkoviç; • kanë fshirë diasporën nga përfaqësimi politik dhe kanë zvogëluar shqiptarët në përllogaritjet zyrtare; • nuk respektojnë përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe dhe kanë zhvlerësuar Inspektoratin e gjuhëve dhe Agjencinë e gjuhëve. Sot, përveç dështimit me ndryshimet kushtetuese, kjo qeveri hap fronte të reja kundër mekanizmave të barazisë si shumica e Badenterit, një nga shtyllat më të forta kushtetuese që garanton stabilitetin ndëretnik, barazinë reale në vend dhe mbron nga majorizimi. Çdo tentativë për ta relativizuar ose rishikuar Badenterin është tentativë për ta kthyer shtetin pas në përjashtim dhe diskriminim. Jemi dëshmitarë se gjithnjë e më shumë po zënë vend ide të rrezikshme, që përfaqësojnë ata që besojnë se shtetet multietnike nuk funksionojnë dhe se duhet ndërtuar shtete etnike. Kjo qasje manifestohet në dy drejtime: përmes goditjeve të Marrëveshjes së Ohrit, që rrënojnë barazinë e brendshme, dhe përmes bllokimit të rrugës europiane, që e izolon vendin dhe e kthen mbrapa. Bashkimi Demokratik për Integrim mbetet forca politike që ka mbrojtur dhe do të mbrojë Marrëveshjen e Ohrit, kursin euroatlantik të vendit dhe dinjitetin e qytetarëve. Shqiptarët nuk do të lejojnë kthimin e shtetit në padrejtësi dhe përjashtim. Tetori është afër dhe populli do të flasë fuqishëm. Ora e përgjegjësisë politike dhe juridike po afron. Marrëveshja e Ohrit nuk cenohet, barazia nuk negociohet.

BDI: Ne nuk do të qëndrojmë indiferentë përballë shkeljes së Kushtetutës

Qëndrimet e VLEN-it dhe deklarata e kryetarit të Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, se ulja e numrit të këshilltarëve “nuk ka bazë etnike” dhe “komunat me shumicë popullsie maqedonase kanë humbur më shumë këshilltarë sesa komunat ku shqiptarët janë shumicë“ është përpjekje e qëllimshme për të minimizuar dhe relativizuar një vendim flagrantisht diskriminues kundër shqiptarëve.
Është e qartë për opinionin publik se VLEN luan rolin e preferuar të kryeministrit dhe qeverisë së tij monoetnike, rolin për të relativizuar, mbuluar, justifikuar dhe minimizuar çdo politikë antishqiptare. Ky mision realizohet çdo ditë, si pjesë e një plani sistematik të hartuar dhe mbështetur nga qarqe të oligarkisë, që synojnë dobësimin e përfaqësimit politik dhe institucional të shqiptarëve.
Nuk janë të rralla rastet kur vendime shumë të dëmshme paraqiten nga krerët e VLEN si arritje të mëdha. Kujtojmë shembullin e heqjes së balancuesit, që nga VLEN u shpall si fitore historike, ndërsa sot jemi dëshmitarë të pasojave të saj: spastrime etnike në institucione dhe diskriminim i hapur me përmasa shqetësuese.
E njëjta logjikë po përdoret edhe tani. Kjo qeveri uli numrin e këshilltarëve në shtator të vitit 2024, derisa përfaqësuesit e VLEN-it në atë seancë fare nuk kanë kundërshtuar. Sot, po kjo qeveri po insiston në këtë vendim antikushtetues. Me vendimin për uljen e numrit të këshilltarëve, komunat shqiptare dëmtohen drejtpërdrejt: vetëm në Gostivar nga 31 këshilltarë numri ulet në 23, ndërsa në Strugë, Kërçovë, Vrapçisht, Zhelinë dhe Tearcë hiqen nga katër këshilltarë në secilën komunë. Për më tepër, diaspora përjashtohet nga përllogaritja zyrtare, duke e goditur edhe më rëndë përfaqësimin dhe zhvillimin ekonomik të komunave tona.
Të gjitha këto vendime janë marrë në kundërshtim me Kushtetutën, Ligjin për Vetëqeverisje Lokale dhe edhe pse ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese që e ndalon këtë gjë. Përpjekja e qeverisë për ta ndryshuar ligjin dështoi tre muaj më parë falë Frontit Europian që bllokoi iniciativën me shumicën e Badinterit, por sot, edhe pa ndryshuar ligji, ky plan antishqiptar po realizohet me ndihmën e VLEN, madje VMRO-n po e paraqesin edhe ai viktimë, gjoja se ata janë të humburit. Gënjeshtër e pastër, me qëllim të ndytë.
BDI e refuzon kategorikisht këtë politikë të rrezikshme të minimizimit dhe manipulimit. Ne nuk do të qëndrojmë indiferentë përballë shkeljes së Kushtetutës, Ligjit për Vetëqeverisje Lokale dhe Marrëveshjes së Ohrit, themelet e stabilitetit dhe të ardhmes së vendit. Shqiptarët kanë forcën dhe vetëdijen për t’i dhënë përgjigjen e merituar në referendumin e tetorit këtyre politikave diskriminuese dhe atyre që i mbulojnë ato. Ora e përgjegjësisë politike dhe juridike po afron.

Kontrolloni gjithashtu

Mr. Eroll Sejdiu: Të shkruajmë shqip

Prof. mr. Eroll Sejdiu: Ta duam dhe të punojmë për shqipen standarde

Gjuha shqipe është një nga pasuritë më të çmuara të kombit tonë. Ajo është jo …