Deklaratat e fundit të përfaqësuesve qeveritarë se “nuk mjafton një vit për ndryshimet kushtetuese” janë dëshmi e mungesës së vullnetit politik dhe e dështimit të kësaj qeverie për ta çuar vendin drejt integrimit europian dhe për të respektuar vetë Marrëveshjen e Ohrit. Prej ditës së parë të mandatit, përveç bllokimit të perspektivës evropiane, kjo qeveri dhe partnerët e saj kanë sulmuar themelet e barazisë dhe të Marrëveshjes së Ohrit: • kanë shfuqizuar balancuesin, duke cenuar përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve dhe komuniteteve tjera; • kanë zhvlerësuar Marrëveshjen e Ohrit duke ia dorëzuar implementimin figurave me bindje antishqiptare dhe antiperëndimore, si Ivan Stoillkoviç; • kanë fshirë diasporën nga përfaqësimi politik dhe kanë zvogëluar shqiptarët në përllogaritjet zyrtare; • nuk respektojnë përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe dhe kanë zhvlerësuar Inspektoratin e gjuhëve dhe Agjencinë e gjuhëve. Sot, përveç dështimit me ndryshimet kushtetuese, kjo qeveri hap fronte të reja kundër mekanizmave të barazisë si shumica e Badenterit, një nga shtyllat më të forta kushtetuese që garanton stabilitetin ndëretnik, barazinë reale në vend dhe mbron nga majorizimi. Çdo tentativë për ta relativizuar ose rishikuar Badenterin është tentativë për ta kthyer shtetin pas në përjashtim dhe diskriminim. Jemi dëshmitarë se gjithnjë e më shumë po zënë vend ide të rrezikshme, që përfaqësojnë ata që besojnë se shtetet multietnike nuk funksionojnë dhe se duhet ndërtuar shtete etnike. Kjo qasje manifestohet në dy drejtime: përmes goditjeve të Marrëveshjes së Ohrit, që rrënojnë barazinë e brendshme, dhe përmes bllokimit të rrugës europiane, që e izolon vendin dhe e kthen mbrapa. Bashkimi Demokratik për Integrim mbetet forca politike që ka mbrojtur dhe do të mbrojë Marrëveshjen e Ohrit, kursin euroatlantik të vendit dhe dinjitetin e qytetarëve. Shqiptarët nuk do të lejojnë kthimin e shtetit në padrejtësi dhe përjashtim. Tetori është afër dhe populli do të flasë fuqishëm. Ora e përgjegjësisë politike dhe juridike po afron. Marrëveshja e Ohrit nuk cenohet, barazia nuk negociohet.

BDI: Stoilkoviqi ka shndërruar Ministrinë në instrument diskriminimi, largon 7 shqiptarë nga puna

Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh indinjatën dhe shqetësimin e thellë ndaj veprimit skandaloz dhe politikisht të papranueshëm të ministrit Ivan Stoilkoviq, i cili ka larguar nga puna shtatë punonjës shqiptarë në Ministrinë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, institucion themelor për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe për garantimin e barazisë ndëretnike në vend.

Ky vendim përbën një goditje të drejtpërdrejtë ndaj parimeve të barazisë, bashkëjetesës dhe përfaqësimit të drejtë, dhe nuk mund të justifikohet me arsyetime të pavërteta dhe fyese për opinionin publik, siç është pretendimi për një të ashtuquajtur “masë disiplinore”. Në kushte kur punonjësve u mohohen elementet më bazike për punë – zyra funksionale, karrige, pajisje teknike dhe detyra konkrete – çdo masë e tillë është farsë administrative dhe dëshmi e një qëllimi të paramenduar diskriminues.

Që nga dita e parë e formimit të kësaj Qeverie dhe marrja e këtij dikasteri nga ministri Stoilkoviq, punonjësit shqiptarë flasin për një realitet të njohur tashmë: izolim të qëllimshëm në një kat të vetëm të ministrisë, mungesë totale të kushteve bazë të punës, presion të vazhdueshëm psikologjik dhe frikë permanente nga largime selektive. Vendimi i sotëm vetëm sa e konfirmon këtë praktikë të qëndrueshme dhe të mirëorganizuar.

Ironia është tronditëse dhe politikisht e rrezikshme: ministria që ka për mision mbrojtjen e barazisë ndëretnike po shndërrohet, me vetëdije, në shembull flagrant të shkeljes së saj. Ky veprim nuk është as i rastësishëm dhe as individual, por pasqyron një qasje që cenon drejtpërdrejt frymën dhe parimet e Marrëveshjes së Ohrit.

BDI e vlerëson këtë situatë jo si një problem të thjeshtë administrativ, por si alarm serioz politik dhe shoqëror, dhe që rrezikon marrëdhëniet ndëretnike. Përgjegjësia nuk bie vetëm mbi ministrin Stoilkoviq, por edhe mbi partnerët e tij qeveritarë, në veçanti VMRO-VLEN, heshtja e të cilëve përballë këtij skandali është po aq alarmante sa vetë veprimet e ministrit dhe përbën bashkëpërgjegjësi politike.

Bashkimi Demokratik për Integrim kërkon ndërprerjen e menjëhershme të praktikave diskriminuese në këtë ministri, rikthimin pa kushte të punonjësve të larguar padrejtësisht, si dhe hetim të plotë institucional dhe përgjegjësi të qartë politike për këtë akt flagrant të diskriminimit.

BDI do të vazhdojë të mbrojë me vendosmëri dinjitetin, të drejtat dhe barazinë ndëretnike, dhe nuk do të heshtë përballë asnjë përpjekjeje për rikthimin e politikave etnocentriste që ky vend i ka lënë pas njëherë e përgjithmonë.

Kontrolloni gjithashtu

Daut Haradinaj: Më 28 Dhjetor është ditë feste e demokracisë, dita kur Kosova ri gjenë veten

Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për deputet, Daut Haradinaj, ka thënë se …