Pas dështimeve të njëpasnjëshme për formimin e institucioneve të reja në Kosovë, Bashkimi Evropian dhe ambasadorët e vendeve të QUINT-it kanë shprehur shqetësim të thellë për ngërçin politik në vend. Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav, gjatë një konference të organizuar nga Lëvizja FOL dhe Instituti i Prishtinës për Studime Politike, u bëri thirrje partive politike që të formojnë qeverinë sa më parë, duke theksuar se Kosova ka potencial real për t’u afruar me Bashkimin Evropian, por vetëm përmes stabilitetit dhe funksionimit institucional. Ndërkohë, ambasadorët e vendeve kryesore perëndimore në Kosovë, përfshirë Gjermaninë, Kroacinë dhe Suedinë, kritikuan klasën politike për mungesë veprimi dhe përgjegjësie. Ambasadori gjerman Jorn Rohde u shpreh i shqetësuar për mungesën e konsensusit, duke theksuar se Kosova po humb një mundësi të rëndësishme për t’u integruar. Ndërsa ambasadorja kroate, Daniela Barishiq, theksoi rrezikun që Asociacioni i komunave me shumicë serbe të marrë trajta destabilizuese nëse nuk menaxhohet me kujdes.
