Bashkimi Evropian ka refuzuar të japë ndonjë koment lidhur me audio-incizimet e publikuara nga televizioni “Dukagjini”, ku dyshohet se Igor Popoviq, ndihmësdrejtor në Zyrën për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ka përgjuar fshehurazi takimet zyrtare të zhvilluara në Bruksel. Zëdhënësja e BE-së, Anitta Hipper, në një konferencë për media ka theksuar se nuk ka koment shtesë, duke e cilësuar rastin si një rrjedhje informacioni që bie në kundërshtim me parimin e konfidencialitetit. “Mendoj se po i referoheni një rrjedhjeje informacioni dhe një parimi konfidencial që duhet të respektohet, kështu që nuk kemi asgjë më shumë për të shtuar”, deklaroi Hipper për “TV Dukagjini”. Sipas incizimeve të publikuara, Popoviq dyshohet se ka përgjuar një takim zyrtar të mbajtur më 17 shtator 2020 në Bruksel, mes përfaqësuesve të Serbisë dhe zyrtarëve të BE-së, takim që kishte në fokus çështjen e pronave që Serbia pretendon si “pronë të Republikës së Serbisë” në territorin e Kosovës, përfshirë pronat e Kishës Ortodokse Serbe dhe të komuniteteve joshqiptare. Në pjesë të tjera dëgjohen edhe komentet e Popoviqit dhe të bashkëpunëtorëve të tij, përfshirë pohimet se “e aktivizuam” dhe se incizimi ka zgjatur “rreth dhjetë minuta”. Zyrtarja tjetër serbe, e identifikuar si Nevena, thekson në incizim se çështja e pronave duhet të adresohet përmes “dialogut politik në nivel të lartë dhe me një marrëveshje përfundimtare e ligjërisht të obligueshme”. Publikimi i këtyre incizimeve ka ngritur pikëpyetje serioze mbi sigurinë e proceseve diplomatike dhe nivelin e konfidencialitetit në bisedimet që zhvillohen në Bruksel, ndërkohë që mungesa e një reagimi të qartë nga BE-ja pritet të nxisë debate të mëtejshme.
