Bashkimi Evropian ka reaguar lidhur me ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër në Mitrovicë, duke e cilësuar projektin si një zhvillim me rëndësi të madhe politike dhe praktike, që kërkon koordinim të ngushtë dhe dialog gjithëpërfshirës mes komuniteteve. Në një përgjigje zyrtare, zëdhënësi i BE-së theksoi se ndërtimi i infrastrukturës që lidh Mitrovicën e Jugut me atë të Veriut duhet të pasqyrojë vullnetin dhe nevojat e të gjitha komuniteteve lokale. “Çdo projekt i tillë duhet të jetë rezultat i një procesi të hapur dhe të përgjegjshëm konsultimi, që promovon ndërlidhjen dhe bashkëjetesën, e jo ndarjen”, thuhet në reagimin e BE-së. Qeveria e Kosovës ka ndarë mbi 3 milionë euro për ndërtimin e dy urave – një për këmbësorë dhe një për automjete – afër urës ekzistuese mbi Ibër. Urat pritet të përfundojnë në vjeshtën e këtij viti, dhe kanë për qëllim lehtësimin e qarkullimit dhe thellimin e integrimit mes pjesëve të ndara të qytetit të Mitrovicës. Ceremonia e vendosjes së gur themelit u mbajt më 1 korrik, me pjesëmarrjen e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
