BE paralajmëron Kosovën dhe Serbinë: Pa normalizim, rruga evropiane mbetet e bllokuar

Bashkimi Evropian ka vlerësuar se mungesa e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë vazhdon t’i pengojë të dyja palët në procesin e integrimit evropian. Ky vlerësim është përfshirë në Deklaratën e Brukselit të miratuar në Samitin BE–Ballkani Perëndimor. Në deklaratën e lëshuar pas samitit, BE-ja thekson se të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli duhet të zbatohen pa përjashtim, veçanërisht Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit dhe Aneksi i saj. Në mungesë të një normalizimi të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, të dy partnerët mbeten të penguar në rrugën e tyre evropiane, thuhet në dokument. BE-ja gjithashtu bën të ditur se mbështetja financiare përmes Instrumentit për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor do të kushtëzohet me angazhim konstruktiv dhe përparim të matshëm në procesin e normalizimit të marrëdhënieve. Deklarata është miratuar nga Bashkimi Evropian dhe partnerët e Ballkanit Perëndimor, ndërsa theksohet se Serbia nuk është harmonizuar me këtë dokument, pasi asnjë përfaqësues i saj nuk mori pjesë në samit.

Kontrolloni gjithashtu

Gjuriq akuzon KQZ-në për diskriminim politik ndaj serbëve, e lidh vendimin me heqjen e masave të BE-së

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq, ka reaguar ashpër pasi Komisioni Qendror …