Bashkimi Evropian ka publikuar raportin e fundit të progresit për Shqipërinë, ku vlerësohen hapat përpara që vendi ka bërë në procesin e integrimit evropian, por edhe theksohet nevoja për përpjekje të vazhdueshme për përmbushjen e standardeve të BE-së. Sipas raportit, Shqipëria ka arritur përparim të dukshëm gjatë vitit të fundit, me hapjen e katër kapitujve të rinj të negociatave dhe përgatitjet në fazë të avancuar për hapjen e kapitullit të fundit brenda këtij viti. Përparimet më të rëndësishme janë evidentuar në fushat themelore, veçanërisht në reformën në drejtësi, si dhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Këto zhvillime janë cilësuar si tregues të një angazhimi të qëndrueshëm institucional drejt standardeve evropiane, raporton Euronews Albania. Megjithatë, raporti paralajmëron se për të arritur mbylljen e kapitujve të negociatave, Shqipëria duhet të vazhdojë me zbatimin e reformave sektoriale dhe të ruajë një dialog politik gjithëpërfshirës. “Arritja e synimit të Shqipërisë për përfundimin e negociatave deri në vitin 2027 varet nga ruajtja e ritmit të reformave dhe nga një dialog gjithëpërfshirës politik. Nëse ky ritëm reformash ruhet, Shqipëria është në rrugë të mbarë për ta arritur këtë objektiv ambicioz,” – thuhet në raportin e BE-së. Raporti i këtij viti shihet si një sinjal pozitiv nga Brukseli për ecurinë e Tiranës në procesin e integrimit, ndërsa theksohet se vitet në vijim do të jenë vendimtare për konkretizimin e këtij procesi historik për vendin.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
