Bedri Halimi: ARGUMENTE SHTËRRUESE KUNDËR IDESË ANTIHISTORIKE TË TË ASHTUQUAJTURIT “KOMB KOSOVAR”

Dr. Xhevat Hasani: “S’ka dhe s’mund të ketë komb kosovar (kundër ideve kombndarëse të N. Spahiut) prointegra Zyrih, 2025
Prolog
Ka kohë që në opinionin shqiptar, e në veçanti në Kosovë, disa individë – që mund të numërohen me gishtërinjtë e njërës dorë, kanë lansuar një tezë problematike për çështjen kombëtare shqiptare në përgjithësi, e në veçanti për shqiptarët në Kosovë. Njëri ndër ta është Nexhmedin Spahiu, i cili këtë tezë për krijimin e “kombit kosovar” përpiqet ta promovojë në çdo hapësirë publike ku i jepet mundësia.
Ai nuk është ndalur vetëm në deklarime sporadike, por është përpjekur ta artikulojë këtë ide edhe në disa libra të tij. Ndërkohë, një pjesë e intelektualëve e kanë injoruar këtë tezë, duke e konsideruar si të pabazë dhe të paqenë. Megjithatë, një sërë intelektualësh e kanë parë të domosdoshme t’i kundërvihen në mënyrë argumentuese kësaj ideje prapavajtëse.
Njëri ndër ta është edhe dr. Xhevat Hasani, i cili në veprën e tij “S’ka dhe s’mund të ketë komb kosovar” bën një analizë të thelluar dhe sistematike për ta rrëzuar këtë tezë të rrezikshme.
Pra, në hapësirën publike shqiptare, herë pas here, rikthehet kjo tezë nga bartësi i saj, që, megjithëse e varfër në bazë shkencore, kërkon të imponohet me këmbëngulje: ideja për ekzistencën apo krijimin e një “kombit kosovar”, e që nismëtari i saj, e ka kthyer këtë tezë në mision personal publik.
Problemi nuk është thjesht ekzistenca e një ideje të gabuar. Problemi është tentimi për ta paraqitur atë si alternativë serioze shkencore, madje si realitet në ndërtim. Pikërisht këtu ndërhyn dr. Xhevat Hasani me librin e tij “S’ka dhe s’mund të ketë komb kosovar”, në të cilën nuk merret me retorikë boshe, por me argumente konkrete.
Shkërmoqja fundamentale e tezës për “kombin kosovar”
Dr. Xhevat Hasani e çmonton këtë tezë duke e trajtuar siç është: një konstrukt artificial pa mbështetje historike, juridike dhe sociologjike. Ai tregon se kemi të bëjmë me një përpjekje për të krijuar një realitet politik përmes përsëritjes, jo përmes provës.
Në këtë kuptim, libri i dr. Xhevat Hasanit është më shumë se kritikë: është demaskim. Ai nxjerr në pah mekanizmin e zakonshëm të propagandës, përdorimin selektiv të gjërave, keqinterpretimin e koncepteve dhe analogjitë e rreme.
Dr. Xhevat Hasani në këtë vepër bën një analizë të detajuar duke i demaskuar të gjitha të ashtuquajturat “argumente” të Nexhmedin Spahiut. Ai i trajton ato si manipulime të qëllimshme që synojnë krijimin e një realiteti artificial politik.
Hasani argumenton pse një ide e tillë është e paqëndrueshme, duke theksuar pasojat e mundshme negative, si përçarja e raportit Kosovë – Shqipëri dhe dobësimi i identitetit kombëtar shqiptar në Ballkan.
Ka ide që mund t’i diskutosh pafund. Dhe ka ca ide të tjera që duhet t’u thuash thjesht: nuk qëndrojnë. Nga argumentet e shumta të dr. Xhevat Hasanit del se ideja e “kombit kosovar” është njëra prej tyre që nuk qëndron. Në këtë rast, Dr. Xhevat Hasani nuk bën kompromis me paqartësinë. Ai e thotë troç: kjo tezë nuk qëndron, duke sjellur argumente të shumta.
Kundërshtimi i keqinterpretimeve kushtetuese dhe juridike
Një nga shtyllat kryesore të argumentimit të dr. Xhevat Hasanit është demaskimi i keqinterpretimeve të Kushtetutës së Kosovës. Ai tregon se përdorimi i termit “komb” në kontekste të caktuara institucionale nuk nënkupton ekzistimin e një “kombit kosovar”.
“simbolet shtetërore të Republikës së Kosovës janë: flamuri, stema dhe himni”
Ky citim përdoret për të sqaruar dallimin midis identitetit shtetëror dhe atij kombëtar, duke hedhur poshtë interpretimet e shtrembëruara që tentojnë t’i barazojnë këto dy kategori.
Pra, dr. Xhevat Hasani e rikthen temën në binarë racionalë: shteti dhe kombi nuk janë kategori identike. Identiteti shtetëror nuk prodhon automatikisht një identitet të ri kombëtar.
Argumentet historike dhe ndërkombëtare kundër kësaj teze prapavajtëse
Një tjetër argument e bën këtë ide të bie po aq lehtë. Nuk ekziston asnjë dokument ndërkombëtar që kërkon apo sugjeron krijimin e një “kombit kosovar”. Përkundrazi thekson dr. Xhevat Hasani:
“Subjektiviteti ndërkombëtar i Kosovës nuk varet nga kombi joekzistues “kosovar”.”
Kjo e zhvesh tezën nga çdo pretendim serioz. Shtetet njihen si subjekte juridike ndërkombëtare pa pasur nevojë të shpikin kombe të reja.
Pra, dr. Xhevat Hasani argumenton bindshëm se asnjë dokument ndërkombëtar nuk kërkon krijimin e një “kombit kosovar”. Ai gjithashtu, përmes shembujve krahasues (si Gjermania, Vietnami apo vendet arabe), argumenton se ekzistenca e më shumë shteteve nuk nënkupton domosdoshmërisht krijimin e kombeve të reja.
Pretendimi bie që në themel. Nuk ke nevojë të shpikësh një komb për të pasur shtet.
Keqpërdorimi i teorive (gjermane dhe franceze): një akrobaci e keqpërdorimeve teorike
Një nga elementet më problematike është përdorimi i teorive mbi kombin. Dr. Xhevat Hasani tregon se këtu kemi të bëjmë me një përzierje të pasaktë dhe të qëllimshme.
“Thënjet se sipas teorive franceze se kombet janë krijesa artificiale, vlejnë për kombet multietnike…”
Pra, teoritë që citohen nga Spahiu nuk mbështesin tezën për idenë e “kombit kosovar”, por e rrëzojnë atë. Ato aplikohen jashtë kontekstit, në një përpjekje për të krijuar një iluzion akademik.
Ndërkaq, autori dr. Xhevat Hasani trajton në mënyrë të veçantë keqpërdorimin e teorive mbi kombin. Ai argumenton se teoritë gjermane mbi kombin mbështesin konceptin e kombeve monoetnike, ndërsa teoritë franceze vlejnë kryesisht për kombe multietnike të krijuara politikisht.
Kjo ndarje teorike shërben për të treguar se koncepti i “kombit kosovar” nuk gjen mbështetje në asnjërën prej këtyre botëkuptimeve.
Këtu ndodh një tjetër shtrembërim: teoritë për kombin përdoren jashtë kontekstit.
Pra, vetë teoritë që citohen nuk mbështesin tezën e pretenduar, por e rrëzojnë atë.
Demantimi ndaj manipulimeve simbolike dhe kulturore
Një tjetër dimension i kësaj teze është përdorimi i gjuhës simbolike si argument politik. Dr. Xhevat Hasani e përkufizon saktë këtë devijim:
“me simbolika dhe metafora bëhet letërsi po nuk mund të krijohet ndonjë komb i ri”
Kjo është një vijë ndarëse thelbësore: letërsia mund të frymëzojë, por nuk mund të zëvendësojë historinë dhe realitetin shoqëror.
Kjo vë në pah kufirin midis diskursit letrar dhe realitetit politik.
Kjo duhet të ishte e vetëkuptueshme. Por kur mungojnë faktet, metaforat fillojnë të përdoren si zëvendësim i tyre.
Analogjitë e rreme: kur historia keqpërdoret
Përpjekjet për të legjitimuar tezën përmes shembujve të tjerë bien po ashtu.
Historia nuk është katalog analogjish të gatshme. Çdo proces kombformimi ka kontekstin e vet. Krahasimet e sipërfaqshme janë më shumë mashtrim sesa argument.
Kështu dr. Xhevat Hasani i kundërvihet analogjive të pasakta historike, si rasti i kombit malazez, moldav, austriak etj, duke argumentuar se këto procese historike kanë kontekste të ndryshme dhe nuk mund të përdoren si modele për Kosovën.
Historia nuk është meny ku zgjedh shembuj që të leverdisin. Çdo rast ka kontekstin e vet.
Nga ide në propagandë
Dr. Xhevat Hasani nuk ndalet vetëm te analiza teorike. Ai e vendos këtë fenomen në një kontekst më të gjerë pragmatik, kur thotë:
“askush nuk ka të drejtë, që fantazitë e tij figurative t’ua imponoj të tjerëve si fakte të kryera…”
Kjo është thelbi i këtij farë debati të pa qenë por të pretenduar: kur një ide e pabazë kërkon të shndërrohet në normë përmes imponimit.
Pra, autori dr. Xhevat Hasani analizon edhe përpjekjet për institucionalizimin e kësaj ideje përmes botimeve të ndryshme.
Ky dimension nxjerr në pah përplasjen midis realitetit shkencor dhe diskursit propagandistik.
Përdoren terma akademikë, përmenden modele ndërkombëtare, por në thelb kemi një përpjekje për të krijuar një realitet që nuk ekziston.
Të gjitha këto pretendime Xhevat Hasani i çmonton hap pas hapi. Ai tregon se “argumentet” janë selektive, analogjitë të sforcuara dhe përfundimet të parapërcaktuara.
Problemi nuk është vetëm ideja. Problemi është tentimi për ta imponuar atë si fakt.
Kjo është pika ku çështja bëhet serioze: kur një narrativë e pabazë kërkon të zëvendësojë realitetin.
Kujtesa historike si vijë e kuqe
Një nga argumentet më të fuqishme lidhet me historinë konkrete të shqiptarëve në Kosovë, ku dr. Xhevat Hasani decidivisht thotë:
“ekzistenca e shtetit të Kosovës varet nga ekzistenca e kombit shqiptar…”
Ky nuk është vetëm argument historik, por edhe politik dhe etik. Ai e vendos debatin në një terren ku faktet nuk mund të relativizohen.
Ky argument e lidh drejtpërdrejt identitetin shtetëror me atë kombëtar historik.
Historia e Kosovës nuk fillon dje. Ajo është e lidhur drejtpërdrejt me historinë e shqiptarëve. Kjo nuk është çështje interpretimi – është fakt.
Rekapitulim i tezave kryesore të veprës
Në pjesën përmbyllëse, autori sintetizon argumentet kryesore duke theksuar rolin e:
përkatësisë etnike, vetëdijes kombëtare, historisë së përbashkët, bashkëpunimit kulturor Kosovë –Shqipëri.
Në vend të përfundimit: një tezë që shembet nën peshën e vet
Në fund, ajo që mbetet të potencohet është se një tezë e tillë e “kombit kosovar” është ide që nuk qëndron. Ajo nuk ka bazë historike, nuk ka mbështetje teorike dhe nuk ka legjitimitet juridik.
“idetë lineare njëdimenzionale sa herë nuk përputhen me rezultatin objektiv, ato janë ide të gabuara…” – potencon dr. Xhevat Hasani.
Libri “S’ka dhe s’mund të ketë komb kosovar” i dr. Xhevat Hasanit nuk është thjesht një kundërpërgjigje. Ai është një ndërhyrje e domosdoshme në një debat të qëllimtë që nuk duhet lënë në duart e retorikës.
Në një kohë kur konceptet themelore si kombi dhe identiteti tentohen të relativizohen për interesa të ngushta, kjo vepër e rikthen standardin: argumentin mbi propagandën, faktin mbi spekulimin, dhe historinë mbi improvizimin.
Dhe pikërisht për këtë arsye, ky libër mbetet si nevojë për një lexim të domosdoshëm rreth kësaj ideje paravajtëse historike për kombin shqiptar.
Pra autori dr. Xhevat Hasani në këtë libër sintetizon gjithë argumentimin e veprës, duke e vendosur debatin në një kornizë racionale dhe shkencore.
Epilog
Ky shkrim analitik dëshmon se libri i dr. Xhevat Hasanit përbën një kundërargumentim të fuqishëm ndaj tezës për “kombin kosovar”. Përmes një kombinimi të argumenteve historike, juridike dhe teorike, ai arrin të ndërtojë një kritikë të qëndrueshme dhe të artikuluar ndaj kësaj ideje.
Në këtë kuptim, vepra e dr. Xhevat Hasanit nuk është vetëm një reagim polemik, por një ndërhyrje e rëndësishme në diskursin shkencor dhe publik mbi identitetin kombëtar shqiptar.
Kjo nuk është çështje për t’u relativizuar. Nuk është çështje “opinionesh të ndryshme”. Ka ide që duhen sfiduar drejtpërdrejt – sepse janë të pasakta.
Libri i dr. Xhevat Hasanit e bën këtë pa hezitim. Dhe kjo është arsyeja pse duhet lexuar: jo për polemikë, por për qartësi.
Një shoqëri që nuk mbron të vërtetën, rrezikon të mësohet me të pavërtetën.
Çfarë nuk duhet harruar: dr. Xhevat Hasani në librin e tij: “S’ka s’mund të ketë komba kosovar”, thekson: “ekzistenca e shtetit të Kosovës varet nga ekzistenca e kombit shqiptar…”
Kjo nuk është thjesht tezë. Është përvojë historike. Është diçka që është jetuar, jo vetëm shkruar.
Në fund, duhet të sqarojmë se, në disa raste gjatë leximit të librit, disa argumente janë përsëritur. Por, duke e pasur parasysh kompleksitetin dhe rrezikun e keqinterpretimeve rreth kësaj ideje të mbrapsht, autori nuk ka mundur t’i shmanget përsëritjeve, sepse shumë nga keqinterpretimet janë bërë në forma e versione nga më të ndryshmet, prej bartësit të kësaj ideje.
Prandaj autori, pos që është i vetëdijshëm në këtë çështje, ai e ka konceptuar librin në atë formë, që edhe lexuesi më i thjeshtë, të mund t’a kuptoj materien se përse bëhet fjalë.
Autori i ka sqaruar gjërat aq bindshëm, sa që edhe lexuesi i thjeshtë, mjafton t’a lexoj vetëm një kapitull të këtij libri, dhe t’a kuptoj se sa e rrezikshme dhe e mbrapsht është ideja e ashtuquajtur e “kombit kosovar”, që tentohet të përhapet në mesin e shqiptarëve në Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Qendra e Botimeve Enciklopedike dhe Albanologjike: Fjalori i madh i gjuhës shqipe, nga sot, online për përdoruesit

Akademia e Shkencave e Shqipërisë, me vendimin nr. 1, datë 06.01.2026, “Për hapjen e platformës …