Bedri Halimi: Arkani në Dragash më 26 maj 1999, dhe krimet serbe të pa zbuluara në komunën e Dragashit

Pak njerëz mund të kenë informacion se krimineli i njohur serb, Zheljko Razhnjatoviq – Arkan ishte në komunën e Dragashit pikërisht gjatë zhvillimit të bombardimeve dhe luftimeve në Kosovë. Dhe atë pikërisht më 26 maj 1999. Këto foto që po prezantohen në këtë rast, janë të datës 26 maj 1999. Gjatë kësaj kohe Arkani dihet se ishte edhe në Vraniq. Fëmijën që e mban në krahët e tij Arkani, është i këtij qifti bashkëshortor serb, Mile dhe Dragica Tanaskoviq, që kanë punuar si punonjës arsimi në Shkollën Fillore “Nebojsha Jerkoviq” të Dragashit, paralelja e ndarë në Radeshë. Thuhet se pas luftës ky qift, kanë jetuar në Shtërpcë, ku tashmë Mile thuhet se nuk jeton më, por djali dhe gruaja, jetuakan në Shtërpcë.

Në trevën e Opojës, atë kohë nuk kishte banorë, sepse e tërë popullata ishte e zbrazur duke i detyruar njerëzit që të shpërnguleshin masivisht, përmes pastrimit të terrenit. Realizimin e këtij aksioni të organizuar nga shteti serb, e kanë bërë forcat serbe, e që në këtë rast ishin policia dhe ushtria serbe.

Në kuadër të policisë serbe, përpos policëve serb, atë kohë në strukturën e tyre, kishte edhe policë nga treva e Gorës si dhe një nga treva e Opojës.

Nga popullata e Opojës që nuk u patën shpërngulur, kishte disa banorë që e kishin marrë rrezikun e jetës së tyre, dhe për asnjë çmim nuk kishin pranuar që të shpërnguleshin, duke qëndruar në fshatrat e tyre në Opojë.

Gjatë kësaj kohe, disa nga personat që nuk janë shpërngulur, janë vrarë nga forcat serbe, e që  këta janë: Ruzhdi Berisha (veprimtari i njohur) nga Buçja, 47 vjeçar; Sallah Gashi, 76 vjeçar nga Breznja; Xhavit Ajeti nga Kuklibegu, 71 vjeçar; Hylmi Ahmeti 57 vjeçar; e Feride Ahmeti, 83 vjeçare (nënë e bir, ku Hylmiu ishte i sëmurë me shëndet mental) nga Bresana.

Çështja e vrasjes së këtyre civilëve shqiptar, padyshim se hyn në kuadër të krimeve të luftës.

Përderisa organet e drejtësisë nuk kanë pengesa nga drejtësia ndërkombëtare, është nevojë me prioritet të veçantë që të hulumtohen rrethanat vrasjes së tyre, duke u pyetur edhe policët e asaj kohe që jetojnë në komunën e Dragashit, në mënyrë që të zbardhet e vërteta e vrasjes së civilëve shqiptarë.

Kaq shumë kohë ka kaluar, dhe kaq pak apo aspak nuk është bërë në drejtim të ndriçimit të krimeve të kryera në trevën e Opojës, ku gjithsesi hyjnë edhe vrasjet e vëllezërve Muhamet e Xhymret Shemsidini (24 dhe 22 vjeçar), nga Zaplluxhja; Sabri Maliqi, 22 vjeçar nga Kuklibegu; Shkëlqim Ymeri, 17 vjeçar, nga Blaçi; Hashim Ajupi, 17 vjeçar, nga Zymi.

Janë të gjallët, ata që duhet t’u dalin zot të vdekurve.

Dhe institucionet tona, duhet të punojnë në këtë drejtim, në zbardhjen e të gjitha këtyre krimeve të bëra në trevën e Opojës.

Nëse nuk i bëjnë institucionet tona, atëherë kush duhet ta bëjë ndriçimin e këtyre krimeve serbe?!

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Halimi: Pakëz kozeri… Rroftë ASHAK-u!

25 vjet që kaluan nga përfundimi i luftës në Kosovë. Akoma nuk dihen ku janë …