leoni

Bedri Halimi: DISA FALË RRETH FIGURËS POLIEDRIKE TË IBRAHIM SKENDERIT

Në vend të hyrjes

Ibrahim Skenderi u lind më 1948 në Brrut të Sharrit.

Pas kryerjes së Normales në Prizren, ka studiuar artin figurativ në Prishtinë.

Krahas krijimtarisë figurative merret edhe me shkrime.

Që nga viti 1990 rregullisht është angazhuar si illustrator dhe redaktor në revistat ”Buletini”, “Sharri”, “Penda” dhe revistën për fëmijë “Fidani”.

Është autor i më se 60 ballinave të librit të autorëve nga mbarë Kosova.

Botoi 27 tituj librash nga të cilat dy me koautorë, 15 prej të cilave janë libra për fëmijë.

Anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe anëtar i Karvanit të Shkrimtarëve për Fëmijë “Agim Deva” në Prishtinë.

Aktivitete të shumta në fusha të ndryshme të artit, kulturës e shkencës

Ibrahim Skenderi ishte, udhëheqës arsimi, profesor, piktor, poet, prozator, dramaturg, publicist, studiues në fusha të ndryshme të artit, kulturës e shkencës shqiptare.

Tërë jetën ka zhvilluar aktivitete të ndryshme kulturore.

Gjatë kohës sa ishte drejtor i Shkollës Fillore “Sezai Surroi” në Bellobrad, ishte udhëheqës shembullor edhe në aspekte të zhvillimit të kulturës në këtë shkollë, ashtu dhe gjatë kohës pas rënies së monizmit.

Ibrahim Skenderi ishte i mishëruar me arsimin aq shumë sa që ja kushtoi një monografi të tërë arsimit në shkollën fillore “Sezai Surroi”, me titull “Dritë e dituri”, e që ishte monografia e parë e botuar në komunën e Dragashit, më 1987.

Pastaj edhe si aktivist politik, Ibrahim Skenderi ishte pjesë e të gjitha organizimeve politike të kohës.

Me daljen skenë të revistës Buletini përkatësisht Sharri, Ibrahim Skenderu u bë pjesë jo vetëm si bashkëpunëtor, por edhe si pjesë e redaksisë së kësaj reviste.

Ai shkroi e botoi shkrime shkrime letrare, si për fëmijë ashtu edhe për të rritur si: poezi, prozë, dramë, shkrime publicistike, historike, në gjuhësi, folklor, etnologji.

Ibrahim Skenderi ishte punëtor i palodhshëm edhe si piktor. Shumë nga punimet e tij kanë zënë vende në ballinat e librave të ndryshëm si të Bedri Halimit, Demir Reshitit, Abaz Çengajt, Mitat Fejzës, Ismet Lecajt, Rizan Krasniqit, Gëzim Ajgerajt etj. Pastaj disa nga punimet e tij kanë qenë edhe në ballina të revistës Sharri.

Ishte jo vetëm pjesë, por edhe udhëqeqës në disa vite i Klubit Letrar “Luigj Gurakuqi”, përmes të cilit janë bërë organizime të shumta kulturore e letrare në Opojë e më gjerë,

Gjithashtu Ibrahim Skenderi ka marrë pjesë në shumë orë letrare, tribuna shkencore e manifestime të ndryshme kulturore të organizuara si nga Klubi Letrar Luigj Gurakuqi, ashtu edhe nga Shoqata Kulturore Ymer Prizreni në të gjitha fshatrat e Opojës si: Bresanë, Blaç, Zaplluxhe, Kuklibeg, Kuk, Buzez, Kosavë, Kapre, Pllajnik, Xërse, Rrenc, Shajne, Pllavë, Buçe, Brezne, Zym, Bellobrad, Brrut, Zgatar, Dragash. Pastaj në Restelicë, Shishtavec, Kukës, Billushë, Jeshkovë, Lybeqevë, Poslisht, Hoqë e qytetit, Lez, Zhur, Bicaj, Krushe të Madhe, Buzovcë, Veshallë etj. Vlen për tu theksuar angazhimi i tij i veçantë në aktivitetin Sofra e Ymer Prizrenit në Zgatar.

Kudo që është paraqitur, punimet e tij janë pritur mirë nga nxënësit dhe audoteriumi i gjerë.

Pastaj si anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, është paraqitur në shumë aktivitete letarare si Drini poetik në Prishtinë, Prizren, Kukës. Pastaj “Ora e lirisë”, në rastin e epopesë së UÇK-së, takimet letrare Esad Mekuli etj.

Disa herë punimet e tij janë shpërblyer me shpërblime të ndryshme.

Për librat e Ibrahim Skenderit kanë shkruar: Gezim Ajgeraj, Bedri Halimi, Besim Cengu, Yrjet Berisha, Prend Buzhala, Mitat Fejza, Shyqri Galica, Riza Greiçevci, Mirsad Kuteli, Rexhep Smajlaj, Ida Spahiu etj.

Punime të ndryshme letrare të Ibrahim Skenderit i janë botuar në revista të ndryshme.

 

Librat e botuara

“Dritë e Dituri” (monografi), Prizren, 1987;

“Pas heshtjes” (poezi për të rritur), Sharr 1994;

“Portret i pakryer” (poezi për të rritur), Sharr 1996;

“Nesi, Nesi interesi” (poezi për fëmijë), Pionieri, Prishtinë 1997;

“Kujdes unë po rritem” (poezi për fëmijë), Pionieri, Prishtinë 1998;

“Nesi supervashë” (poezi për fëmijë), Rilindja, Prishtinë 2000;

“Piktorja e vogël dorartë” (poemë për fëmijë), Fidani, Prizren, 2002

“Ola sikur Molla” (poemë për fëmijë), Fidani, Prizren, 2004;

“Loku dhe carroku” (poezi për fëmijë), Fidani, Prizren, 2005;

“Zgjim mes dashurish” (tregime për fëmijë), Fidani, Prizren, 2006;

“Dielli ma luan syrin” (poemë e ilustruar për fëmijë), LSHK, Prishtinë, Dega Prizren, 2008;

“Burri në pikturë” (pjesë teatrale), LSHK, Prishtinë, Dega Prizren, 2009;

“Klasa e Lirisë” (pjesë teatrale), LSHK, Prishtinë, 2010;

“Dritëhënë” (poezi për të rritur), “Fidani”, Prizren, 2011;

“Krushqit e Lirisë” (pjesë teatrale), Fidani, Prizren, 2012;

“Shkolla e parë shqipe në Opojë”(monografi), SHKYP, Sharr 2013;

“Brruti sfidave të shekullit”(monografi), SHKYP, Sharr 2013;

“Luleborë Sharri” (monografi), “Thesari” Sharr 2015;

“Shoqërisht nga zemra”, publicistikë letrare, “Thesari”, Sharr 2017;

“Ne jemi këtu” (etnografi – histori e kulturës), “Thesari”, Sharr 2017;

“Ec e mos u kesh” (urti popullore opojane), “Thesari”, Sharr 2018;

“Kujtim i ngrirë” (roman), Biblioteka Ndërkomunale Prizren 2018 ;

“Aktrojmë Kuqezi” (përmbledhje pjesësh teatrale për fëmijë).

Botues: Shoqata Kulturore “Sofra” Sharr (Dragash), 2020;

“Kuqezi në skenë”, përmbledhje pjesësh teatrale për fëmijë e të rinj).Botues: Shoqata Kulturore “Sofra” Sharr (Dragash), 2021;

“Piktorja e vogël dorartë”- (Poemë e ilustruar për fëmijë II.)

Botues: Shoqata Kulturore “Sofra” Sharr 2022;

“Shtëpia si n’rrota” (poemë e ilustruar për fëmijë), Shoqata Kulturore “Sofra”, Sharr 2023;

“Ola sikur molla” – (Poemë e ilustruar për fëmijë), botim i dytë i plotësuar. Botues: Shoqata Kulturore “Sofra”, Sharr 2025.

 

Shkrimet kulturore, historike, gjuhësore, folklorike, etnologjike

Këtu do t’i përmendim shkrimet kryesore të Ibrahim Skenderit që i janë botuar në revistën Sharri, si dhe që i janë ribotuar në kolanën e librave për Opojës.

Në lëmin e Historisë, vlen të theksohet shkrimi: Disa të dhëna rreth masakrës së Brrutit 1913, i cili punim, pos në revistën Sharri, i është botuar edhe në librin “Opoja – aspekti historik”.

Në lëmin e Folklorit i janë botuar punimet: Vallet e kënduara (Lulekuqe me boj ‘ peme; Oj vajza maloke), si dhe Këngë me motive pune e kurbeti në Opojë (Këngët me motive pune dhe dashurie në Opojë; Lirikë popullore mallëngjyese e kohës.

Pastaj në lirikë popullore ka botuar vargjet e tetë njësive të këngëve lirike opojane. Që të gjitha këto pos më revistën Sharri, i janë botuar edhe në librin “Opoja – aspekti folklorik”

Në lëmin e gjuhësisë, i është botuar punimi “Emertimi i veglave të ndryshme të punës dhe pjesëve të tyre në trevën e Opojës”, i cili punim pos në revistën Sharri i është botuar edhe në librin “Opoja – aspekti gjuhësor”.

Në lëmin e Etnologjisë, i ka botuar punimet: Arkitektura popullore në Opojë; Liri dhe veglat e përpunimit të tij; Artizanatet shtëpiake në Opojë, funksioni ekonomik dhe artistik i tyre; Veshja kombëtare në trevën e Opojës; Veshja popullore e nuseve dhe grave të reja në Opojë. Të gjitha këto punime, pos që i janë botuar në revistën Sharri, i janë botuar edhe në librin “Opoja – aspekti etnologjik”.

Ndërkaq, në lëmin e kulturës, ka botuar shkrimet: Zhvillimi i kulturës shqiptare në Dragash 1943-1993; Kënga dhe vallja shqipe; Portret i veçuar; Zanafilla dhe rrita e lojës skenike – teatrale; Fjala e shkruar, publikimet dhe bibliotekat; Kultura shpirtërore brenda shekullit në fshatin Brrut; Në Bresanë u shënua 2 Korriku; Në Bellobrad u shënua 80 vjetori i pavarësisë; Manifestimi “Sofra e Ymer Prizrenit” në Zgatar; Aktiviteti rreth memorialit te “Lugi Brisë”.

Pastaj gjithashtu vlen të theksohet se Ibrahim Skenderi është pionieri i shkrimeve rreth Zhvillimit të arsimit në komunën e Dragashit.

Njëra ndër ngjarjet e (pa)zakonta në Opojë në vitet 90-ta nga aktivitetet politike

Në vitin 1994, duke e mbajtur manifestimin për ditën e flamurit në fshatin Kuk, ku ishte planifikuar të bëhej edhe promovimi i librit të Ibrahim Skënderit, papritmas ia behu policia serbe në shkollë. Ishte mesi i programit. Disa të rinj ikën nga dritaret duke u frikësuar se mund t`i merrnin në shërbim ushtarak. Në mënyrë që të mos merrej dikush për tu dënuar një muaj, me akuzën kundërvajtëse për festimin e ditës së flamurit të një shteti të huaj (sepse edhe këso gjërash kanë ndodhur gjatë viteve 90-ta në Kosovë), Ibrahim Skenderi e mori përsipër duke thën që jemi mbledhur për promovimin e librit të tij me poezi “Pas heshtjes”.

Pas kontrollimit të letërnjoftimeve, policia serbe e morën drejtorin e shkollës Hatim Nezirin dhe autorin e librit Ibrahim Skënderin, të cilët i mbajtën mbi tri orë në të ftoftë, te stacioni i policisë të Pishat e Zymit. Pas bisedës disa orëshe i lëshuan, për tu paraqitur sërish të nesërmen në polici.

Në vend të përfundimit

Ibrahim Skenderi ka lënë gjurmë të pashlyera në kulturën, artin, letërsinë jo vetëm në Opojë, por në tërë hapësirën shqiptare.

Ibrahim Skenderi me punën dhe përkushtimin e tij, ishte shembull i pedantërisë, ku çdo gjë e bënte me pasion e përkushtim të madh.

Kohët e fundit, me Ibrahim Skenderin duke biseduar, i kisha propozuar që ta botonte një libër me poezi të përzedhura, nga tre librat e tij me poezi për të rritur, si dhe nga poezitë (po për të rritur) që nuk i ka botuar si libër, por që ka marrë pjesë në aktivitete e konkurse të ndryshme letrare. Pra një libër me poezitë e tij të zgjedhura nga dy librat me poezi, që i janë botuar edhe në librin antologjik me krijues opojanë me titull “Lule në Zinovë”, e të cilave poezi do t’i shtoheshin edhe poezitë e zgjedhura nga libri i tretë me poezi për të rritur, si dhe disa poezi të zgjedhura nga fondi i poezive të pabotuara, do të ishte një përmbushje e idesë që i pati pëlqyer Ibrahim Skenderit, por që mjerisht nuk arrijti ta jetësojë sa ishte gjallë.

Shpresojmë se këtë ide do ta jetësojmë sa më shpejtë që të jetë e mundur.

 

 

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: 24 ORËT E KUJDESIT MJEKËSOR DHE RRËFIMET E PËRDITSHME, VEPËR E LULJETA ABDULLAHUT, SPECIALISTE E MJEKËSISË NUKLEARE

Një libër meditativ, dokumentar, shkencor dhe artistik. Doktoresha e njohur, Luljeta Abdullahu, specialiste e Mjekësisë …