Sot janë bërë 22 vite nga organizimi i ceremonisë së varrimit të masakruarve në Reçak

Bedri Halimi: GJAKU YT REÇAK, ARMË E MBUSHUR ME TË ARDHME

Në Dimrin e Pikëlluar u zgjove me trishtim

Me gjakun tënd për emrin tonë – u bëre djep i kaltërsisë

Të dashuruarve të tokës që lindën në janar

Me fanatizëm ua ruan trëndafilin e lirisë

 

Ankth i përhershëm mbete për barbarët Reçak

Emri yt nuk harrohet, dëshirë në agim – himn për fillim të pranverës

Të Ndershmit e kuptuan histerinë e Egërsisë në kullën e rrënuar

Pa gjakun tënd Reçak, dje – është e vështirë të jemi të gjallë nesër

 

U bëre trëndafil i domosdoshëm Reçak – Jo vetëm në kohë trishtimi

E ne takohemi Reçak. Takohemi përseri

Për të mos mbetur vetëm. Me ty i mësojmë sendet e vogla

Të mos i shkruajmë Letër Botës, e këtej të mos kaloj vdekja

 

Gjaku yt Reçak, emër – për emrin e madh

Detyrë e gëzimit për të ardhmen e paplakur

Ninullë e mjegullës, për harrestarët e emrit krim

Gjaku yt Reçak, armë e mbushur me të ardhme

 

Reçak i çuditshëm – i çuditshmi Reçak

Treni i të plagosurve akoma nuk është ndalë

As plaga nuk është shëruar nga heshtja e të vrarëve

Në secilën pranverë që do të vij, ata si engjej ecin serioz

 

Reçak, ti nuk je vdekja – se beson te Njeriu Liria Atdheu

Udhëtarët tu të pandalshëm thërrasin në pagjumësi

Që krijesat në agim, të mos jenë vetëm bijë të fushave

Bota i mësoi nga ti, të gjitha përrallat e Satanës

 

Gjaku yt Reçak– mbeti Letër e hapur

Që në portat tona – e ardhmja të mos mbetët jetshkurtër

 

Kontrolloni gjithashtu

Radio Kosova e Lirë

Blerim Gashi: RADIO KOSOVA E LIRË

N’janarin e acartë të 99-tës Lindi një zë i fuqishëm Zë kumbues që drithëroj Bjeshkë …