25 vjet që kaluan nga përfundimi i luftës në Kosovë.
Akoma nuk dihen ku janë kufomat e shumë të vrarëve shqiptarë gjatë luftës.
Nuk dihet saktë numri i të dhunuarave e të dhunuarve në Kosovë.
Dikush ka shkruar për këto tema, edhe pse të pakët janë në numër ata që kanë shkruar.
Nuk janë gjetur eshtrat e veprimtarëve të njohur Ukshin Hoti, Hafir Shala, Xhavit Haziri, Ismail Kryeziu…
Sa pak është shkruar për këto përsonalitete o Zot!
Sa pak është shkruar për fëmijët e vrarë nga numri i përgjithshëm që nuk dihet saktë.
Sa pak është shkruar për pleq, plaka, gra e burra civil të vrarë anë e kënd Kosovës.
Çdo përvjetor, ndodh lumë lotësh nga familjarët, të afërmit, miqtë e dashamirët.
Edhe ndonjë pronocim, ndonjë foto a deklarim për media.
Sa pak është bërë për ndriçimin e vrasjeve të tyre.
Sa pak është shkruar për ta, nga shkrimtarë, gazetarë, sudiues…
Sa shumë patetizëm, deklarativitet, klithma të çjerra deri në qiell, nëpër të ashtuquajturat orë letrare.
Fat i mirë që të vrarët nuk i dëgjojnë këto klithma, se ata do të klithnin duke protestuar nga dhembja e madhe shpirtërore që do të ndjenin, duke dëgjuar shkarravinat pa kurrfar kontrolli të pseudo krijesve, të cilët, po të kishte shtet duhej të përgjigjeshin, për dëmtimin e imazhit shpirtëror të të rënëve, me mënyrën se si lavdërohen e vajtohen marrëzisht, pa asnjë ndjenjë respekti, ndjenjë artistike a ndjenjë njerëzore.
Në anën tjetër Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, nuk merret me asnjë temë nga plagët që akoma nuk janë shëruar. Thua se ngjarjet kanë ndodhur në një botë tjetër, dhe janë vrarë njerëzit e një vendi tjetër.
Akademikët, merren me “refuzime estetike”.
Ata i kanë qitur ‘furkat në krah’ dhe tjerrin lesh. Ama e tjerrin hollë. Ani se tjerrësit janë shndërruar në Klub të Selanikut.
Ata nuk kanë asnjë ndjenjë për të shkruar për luftën, për dhunimet, për gjenocidin…
E si atëherë do të kenë ndjenjë për ta trajtuar për shembull temën: Trajtimi i luftës së UÇK-së në krijimtarinë letrare?
Ata s’kanë kohë të merrën më këto gjëra.
Ata kërkojnë disidentët letrarë e politikë.
I kërkojnë aty ku janë e ku nuk janë.
Shpallin disident kë t’u teket.
Vajtojnë disidencën e kërkuar…
Sa për tu kamufluar, e fusin edhe Demaçin disident.
Pastaj e rendisin edhe Kadarenë.
Ani se ka ikur nga Shqipëria, pas rënies së monizmit.
E fusin edhe Anton Pashkun e ndonjë tjetër.
Ani se me shkrimet e tyre, kurrë nuk e kanë prishur tymin e duhanit LKJ-së.
Ani se asnjë shkrim i tyre nuk ka qenë i ndaluar.
Ata duan të japin përgjigje në pyetjen: “Šta je time pisac hteo da kaže?”
Dhe pastaj i rendisin gjërat që ‘paska menduar disidenti’ në shkrimet e tij.
S’ka dert edhe nese ndonjëri nga këta disidentët ka qenë bashkëpunëtor i UDB-së.
Kjo nuk i pengon ASHAK-ut, për çudi!
Athua pse?
Por, akademikët e ASHAK-ut, i pengon të merren me shkrime të Rexhep Elmazit, Fazli Grajçevcit, Zeqir Gërvallës, Jusuf Gërvallës etj. Natyrisht duke u marrë edhe me nivelin artistik të tyre, duke sqaruar se cili do të ishte niveli i krijimtarisë së tyre, sikur mos tu ishte mohuar e drejta e botimit;
sikur mos të u ishte mohuar e drejta e shkrimit;
sikur mos tu ishte mohuar e drejta e jetës;
sepse, disa nga ata janë vrarë, dhe dihen për secilin rrethanat dhe arsyeja e vrasjes.
Po Akademia e jonë, e Kosovës pra, hesht.
Nuk merret me këto tema.
Ashtu siç nuk merren me këto tema edhe në fushën e historisë.
Ashtu si, nuk ja kanë botuar dhe nuk ja botojnë kompletin e librave me punimet e shumta shkencore të akademik Ali Hadrit.
Kjo Akademi, ka botuar e boton, me të drejtë, kompletin e librave të disa autorëve të antarëve të saj.
Por, kjo Akademi, athua përse nuk e boton kompletin e librave të Akademik Ali Hadrit?
Këtë nuk e bëjnë, se sikur ta botonin kompletin e librave të Ali Hadrit, nuk do të mund të tirrnin lesh pastaj, me furka në krah – natyrisht, për LNÇ-së.
Do të mbeteshin tani pa tema, e rrjedhimisht edhe pa punë ‘shkencore’.
Por, edhe këta – historianët demek, të ASHAK-ut pra, nuk është çudi se një ditë do të merren me “disidencën historike” për shembull të Esat Pashasë…
Edhe tradhëtinë kombëtare të Avni Rrustemit, që me veprimin violent që ka bërë, atëherë, kur e ka bërë, ka ardhur në kundrështim me të drejtën dhe lirinë e shprehjes dhe veprimit të njeriut, e rrjedhimisht edhe me lirinë e shprehjes dhe veprimit demokratik të Esat Pashës…
Pastaj Akademia, do të ishte e mirë, që të merrej me simpozium ndërkombëtar, në temën; “Përsonaliteti i shokut Titos, në letërsinë shqipe në ish Jugosllavi”.
Në sferën e artit, temën, “Marshall Tita n’kali të t’bardhë – ugurolla mor’ shqiptar”.
Në sferën e gjuhës, natyrisht nuk është çudi nëse do të ngulnin këmbë me thellimin e hulumtimeve për rikthimin e “t’fomes kosovarqe”.
Kështu që, meqë, Kilimanxharo është larg, për ta bë fjalë fjalë shqipe, Kosova është tamam, për ta formuar gjuhën “kosovarqe”, natyrisht me aminin e akademisë së ASHAK-ut.
E pastaj me ndihmën e shakaxhiut, Nexhmedin Spahiut, përse mos ti shpallim luftë Shqipërisë.
Nese e kemi punën pisk, kojshitë përse janë?
Një fishkëllimë, dhe gati.
Kush na prek, Akademinë, jemi gati ta bëjmë kërdinë…
Apo jo?