Bedri HALIMI: A po injorohet Ali Hadri nga ASHAK-u

Bedri Halimi: VAZHDIMËSIA E NJËTRAJTSHËMRISË POLITIKE TË AZEM VLLASIT (II)

Për kë ishin të panevojshme ngjarjet e vitit 1981?

 Pas rënies së komunizmit dhe pas largimit të oligarkisë politike të Kosovës nga skena politike, madje edhe pas burgosjes së ndonjërit prej tyre, këta edhe më tej, nuk e ndërruan qëndrimin për ngjarjet e vitit 1981, por i ndërruan arsyetimet e qëndrimeve të tyre. Kështu, derisa ishin në pushtet, ngjarjet e ’81-shit për ta, doemos se ishin “kundërrevolucionare e armiqësore…”, kurse pas rënies nga pushteti, ato ngjarje për ta, na ishin të panevojshme, sepse vetë ata, me politikën e tyre, e paskan pasur mendjen që ta realizojnë çeshtjen e republikës!

Ngjashmëritë e rastit apo të qëllimshme?

Në një intervistë të bërë nga Baton Haxhiu me Mihailo Markoviqin – ideologun e PSS (siç e thekson edhe vetë), e cila është botuar në revistën “KOHA”, nr. 54/95, 29 mars 1995, f.13, në këtë intervistë, Mihailo Markoviq pos tjerash thotë: ”Udhëheqësit shqiptarë të cilët organizuan demonstratat e vitit 1981 bënë gabim të madh historik….Padurueshmëria dhe mendjelehtësia e liderëve tuaj, e shprehur më 1981, shkaktoi humbjen e asaj që deri atëherë e patët”.

Pra të njëjtat qëndrime, të Mihailo Markoviqit, i jep në vazhdimësi, madje pas kaq vitesh edhe Azem Vllasi, si dhe Jusuf Buxhovi, në romanin e tij “Dosja B”. Ngjashmëria po shihet, po cili është dallimi mes qëndrimit për ngjarjet e vitit 1981 mes akademikut serb Mihailo Markoviqit dhe Azem Vllasit, Jusuf Buxhovit, Baton Haxhiut?

Ish-ministri i Punëve të Brendshme dhe politikanët e Kosovës?

Sa i përket asaj që mund t’i ketë organizuar ndonjë shërbim i huaj (siç pretendohet nga Buxhovi, për Sigurimin e Shqipërisë, apo Mahmut Bakalli për shërbimin bullgar), Mustafë Sefedini, ish-Ministër i Sekretariatit për Punë të Brendshme të Kosovës, që ishte pikërisht atë kohë në këtë detyrë, thotë se, “as Shqipëria dhe as ndonjë shërbim tjetër informativ nuk kanë pasur dorë në këto ngjarje”. Revista “KOHA”, nr. 99, 13 mars 1996, f .9.

Ndërkaq, dihen qëndrimet e Azem Vllasit për demostratat e vitit 1981, gjatë kohës sa ishte në pushtet. Por edhe pas rënjes së komunizmit, madje edhe pas burgosjes që i bëri Millosheviqi, në një shkrim të tij me titull: “’81-shi shumëdimensional”, Azem Vllasi e jep edhe këtë gjykim: “Konkretisht, për demostratat e vitit ’81, udhëheqja politike e Kosovës (shqiptarët) dhe tërë politika zyrtare, ishte unike në mendimin se ato, as si mënyrë e veprimit e as sipas rrethanave politike të atëhershme dhe kohës kur ndodhen, nuk ishin fare të qëlluara…”. Revista “KOHA” nr. 102, 3 prill 1996, f. 22. A nuk e kishte thënë të njëjtën gjë edhe Mihallo Markoviq madje në vitin 1995 po në revistën “KOHA”?

Po në këtë vazhdë është edhe teoria e supozimeve të Mahmut Bakallit…, i cili në Kosovë ndonëse njihej si më i afti në hierarkinë politike komuniste, (ndër përfaqësuesit shqiptarë) megjithatë pas luftës së Kosovës, nuk arriti të jap as arsyetmin më të vogël për pozitën e shqiptarëve në sferën e arsimit në kohën e Millosheviqit, (me rastin e dëshmisë së tij në gjyq kundër Millosheviqit, ku doli i turpëruar). Kështu del, kur njeriu është peng, dhe bishtin e ka të zënë në derë.

Atëherë, përderisa njeriu kyç i asaj kohe, në pozitën kyçe, (Mustafa Sefedini), thotë se nuk ka pasur informacione çfarë tash i mbllaqit Jusuf Buxhovi, Azem Vllasi e ndonjë tjetër, rrjedhimisht shtrohet pyetja: kush ka pasur informacione më shumë atëbotë: ata që kanë qenë në pozitat kyçe apo analistët e sotëm? Nëse ndonjë analist tallava, apo edhe historian tallava, “ka informacione tjera”: atëherë lind pyetja nga i siguruan ato informacione, përpos nëse këta njerëz, e kanë pasur benificionin e të qenit në laboratorin e prodhimit të informatave të tilla, përderisa ata të “laboratorit” të grumbullimit të informatave, thonë qartë, se nuk kanë pasur informata të tilla.

Cili ishte defekti i autonomisë së kosovës të vitit 1974?

Bajram Kosumi në librin e tij studimor «Revolucioni 1981», duke folur për Autonominë e vitit 1974 thekson: «Autonomia ka qenë një ornament i triumfalizmit! Kushtetuta e vitit 1974 u ka dhënë kompetenca më të mëdha krahinave, duke i bërë edhe elemente konstituive të Federatës Jugosllave dhe kjo padyshim ka «dëmtuar interesin e Serbisë» në Federatë, sipas interpretimit serb. Por, kjo kushtetutë asgjë nuk ka ndryshuar në përcaktimin e statusit të krahinave në aspektin shtetëror dhe në aspektin territorial: krahinat nuk kanë qenë republika, pra nuk e kanë pasur të drejtën e territorit  e as të shkëputjes. Në çfarëdo situate të ndryshimit të sistemit federativ në Jugosllavi, krahinat do të mbeteshin pjesë të Serbisë dhe dy, territori i krahinave, po sipas kësaj Kushetute 1974 i takon shtetit të Serbisë. Kjo është pika e zezë të cilën e ka heshtur klasa politike zyrtare. Kjo është pikë e zezë, për të cilën Lëvizja e fshehtë patriotike e ka parë autonominë e Kosovës vetëm si një hap drejt një zgjidhje tjetër, më të favorshme, Republika e Kosovës. Kjo është pika themelore ndarëse midis këtyre dy klasave politike.

Fakti i parë që dëshmon kundër vizionit të klasës politike të Kosovës, se autonomia është një status triumfal, është mënyra e krijimit të kësaj autonomie: ajo është krijuar nga Tito, për ta heshtur pak nacionalizmin serb, mbas eliminimit politik të Aleksandër Rankoviqit, për të ndërtuar në ekonomi të tipit partikular, të përshtatur për republikat e zhvilluara, sidomos për Kroacinë e Slloveninë, të cilën Serbia nuk e pranonte. Prandaj Titos dhe grupit të tij i duhej një zgjidhje për të kufizuar ndikimin e Serbisë në Federatën Jugosllave dhe ky çelës ishte autonomia e Kosovës dhe e Vojvodinës.

Por Tito nuk do të shkonte asnjëherë deri në fund me nacionalizmin serb: nuk ja hoqi Serbisë sovranitetin dhe integritetin territorial mbi dy krahinat…

Fakti i dytë ka të bëjë me rrënimin e autonomisë së Kosovës. Kur u sulmua autonomia e Kosovës dhe klasa politike nuk mundi ta mbrojë në asnjë rrethanë, është dëshmia më e fortë se kjo autonomi ka qenë ornament i triumfalizmit, një dekoratë në gjoksin e madh të udhëheqësve politikë të Kosovës, për t’u lavdëruar para popullit shqiptar dhe një vulë e kësaj klase për ta ulur kokën para estabilishmentit në Beograd».

Vet Azem Vllasi e pranon se: «Atë pasdite, më 26 mars 1981, pas ndërhyrjes së Policisë Federative udhëheqja e Kosovës faktikisht humbi kontrollin mbi zhvillimet e metejshme, jo vetëm mbi zhvillimet momentale, por edhe mbi zhvillimet e mëvonshme të situatës politike» (Azem Vllasi: Kosova: fillimi që nuk harrohet, Prishtinë, 2017, faqe 271).

Dhe Bajram Kosumi me të drejtë pastaj konkludon: «D.m.th. ka mjaftuar një intervenim i milicisë federative kundër demonstruesve në Prishtinë që ta heq prej skenës politike jo vetëm të atyre ditëve, por nga gjithë skena politike, klasën zyrtare politike të Kosovës. Ky është rezultati i Kushtetutës 1974»!

Kushtetuta e vitit 1974 e mbante Kosovën të varrosur në sovranitetin territorial të Kushtetutës së Serbisë. Në rast se Federata Jugosllave do të shpërbëhej, territori i Kosovës në aspektin kushtetues i takonte Serbisë, sipas kësaj kushtetute të adhuruar prej klasës së politikës zyrtare, çka edhe ndodhi më vonë, pas shpërbërjes së RSFJ-së dhe formimit të bashkësisë shtetërore Serbi – Mal i Zi.

Garancinë për të vendosur vet për fatin e saj Kosova e fitonte vetëm me arritjen e statusit të republikës. Ky qëllim i dytë doli sheshit shumë shpejt, në Raportin e Komisionit të Badinderit, në të cilën republikave Jugosllave ju njoh e drejta e shkëputjes, por jo edhe Krahinave Autonome.(Bajram Kosumi: Revolucioni 1981, Prishtinë, faqe 214).

Pse i ikin të gjithë temës së moszhvillimit ekonomik të Kosovës, që ishte faktori kryesor për shpërthimin e revoltës popullore më 1981?

Edhe përkundër faktit se Kosova ishte e pasur, me minerale të shumta, toka pjellore shumë të përshtatshme për bujqësi si edhe një popullsi aktive për punë, prapëseprapë, Kosova si edhe viset me popullsi shqiptare në Maqedoni, në Serbi dhe në Mal të Zi ishin krahinat më të prapambetura në ish Jugosllavi. Kjo prapambetje është rrjedhim i politikës diskriminuese që është ndjekur ndaj këtyre trevave.

Pasuritë minerale të Kosovës janë veçanërisht të rëndësishme. Rezervat e qymyrit linjit, arrinin në rreth 12 miliardë tonë dhe përbënin 68,8 % të të gjitha rezervave të këtij lloji në Jugosllavi. Në Kosovë gjendeshin 30 % të rezervave energjetike të Jugosllavisë, 22,3 % të rezervave të nikelit, 52 % të rezervave të plumbit dhe të zinkut, 51,8 % të rezervave të magnezit.

Gjithashtu në sasi të konsiderueshme janë kromi, argjendi, boksidet, mangani, hekuri, antimoni, zhiva, bakri e kallaji. Nuk mungojnë as mineralet e rralla si kobalti, indiumi, kadmiumi, germaniumi etj., pa folur më tej për metaloidet, ndër të cilat numërohen mbi 20 lloje me vlera të mëdha industriale (I. Gusia, Burimet natyrore si faktor i zhvillimit ekonomik të KSA të Kosovës, Prishtinë, 1982, f. 73-74; Shih edhe “Rilindja”, Prishtinë, 14 shkurt 1988, f. 6).

Megjithëse disponon pasuri kaq të mëdha minerale dhe energjetike, që përbëjnë 10 % të gjithë pasurive natyrore të Jugosllavisë, (ndonëse zë vetëm 4,2 % të sipërfaqes së saj) dhe si pasojë kushte shumë të favorshme për zhvillimin mbi këtë bazë të industrisë dhe të bujqësisë, Kosova ishte gjithnjë rajoni më i prapambetur i Jugosllavisë (Vjetari Statistikor i KSA të Kosovës 1985, Prishtinë, 1985, f. 82).

Sikurse shihet Kosova përdorej kryesisht si një burim për furnizimin e viseve të tjera të Jugosllavisë me lëndë të para të përpunuara ose pjesërisht të përpunuara, me energji elektrike bile edhe me fuqi punëtore të lirë. Në të njëjtën kohë ajo ishte kthyer në një treg të leverdishëm për shitjen e mallrave të gatshme industriale të republikave më të zhvilluara.

Prapambetja dhe struktura ekonomike e pavolitshme e Kosovës kushtëzohet jo vetëm nga gjendja e trashëguar, sikurse pohonin në Beograd, por kryesorja ishte politika e interesave të ngushta të kapitalit të madh që ndodhej kryesisht në republikat e zhvilluara jugosllave, të cilat bënin investime në sektorët që nuk i leverdisnin ekonomisë kosovare.

Në këtë mënyrë nga një nivel i produktit shoqëror dhe i të ardhurave kombëtare për frymë 2 herë më i ulët se mesatarja jugosllave në periudhën e pasluftës dytë, Kosova ra në vitet e fundit të viteve 70-ta në një nivel 4 herë më të ulët. Gjatë të njëjtës periudhë 40 vjeçare Kosova, e cila në vitet e para të pasluftës ishte në produktin shoqëror dhe në të ardhurat kombëtare për frymë në nivel të njëjtë me atë të Maqedonisë, të Malit të Zi dhe të Bosnjë Hercegovinës, ra në një nivel 2,5 herë më të ulët në krahasim me këto republika. Kurse në krahasim me republikën më të zhvilluar, të Sllovenisë kjo diferencë u thellua, nga 3,3 herë në vitin 1947, në 7,5 herë në vitin 1981 (E. Reuter, Die Albaner in Jugoslaëien, München, 1982, f. 57; “Rilindja”, Prishtinë, 1-2 maj 1987, f. 8; Po aty, 8 nëntor 1987, f. 7).

Atëbotë gjatë 15 viteve të fundit, deri më 1981, premtimet zyrtare që ishin dhënë për të penguar këtë tendencë duke rritur produktin shoqëror të Kosovës me një ritëm vjetor 60 % më të lartë se mesatarja e Jugosllavisë, kurrë nuk u realizuan. Përkundrazi ritmi ka qenë 50 % më i ulët se kjo mesatare. Pra prirja e zhvillimit të ekonomisë kosovare shkonte në të kundërtën e parashikimeve të bëra. Rrjedhimisht dallimet dhe prapambetja e Kosovës në krahasim me ekonomitë e republikave jugosllave dhe të Krahinës së Vojvodinës shkonin duke u thelluar (Kosovo – Past and Present, Belgrade, 1989, f. 183-189, 190-196).

Përcaktuese për prapambetjen e Kosovës ishte në radhë të parë, politika e investimeve, nëpërmjet së cilës realizohet shfrytëzimi i saj ekonomik. Degët bazike kanë thithur gjithnjë mjetet kryesore të investimeve, që nga ana e tyre asnjëherë s’kanë qenë të mjaftueshme.

Deri në gjysmën e dytë të viteve 50 investimet në ekonominë e Kosovës pothuajse munguan, kurse më pas u përdor sistemi i kreditimit në vend të financimit buxhetor. Në këtë mënyrë deri nga mesi i viteve 60 Kosova ndërtoi me mjete pa detyrim kthimi vetëm 8 % të objekteve të saj ekonomike ndërkohë që në viset e tjera me këtë mënyrë u ngritën 27 % e objekteve (T. Abdyli, Zhvillimi i industrisë në Kosovë, Prishtinë, 1978, f. 75).

Me gjithë parashikimet që bëheshin, në Kosovë nuk realizohen asnjëherë fondet e caktuara për investime. Nga shuma prej 94 miliardë dinarësh, e caktuar për investime në pesëvjeçarin 1975-1980 u realizuan vetëm 51 miliardë e 220 milionë dinarë, domethënë rreth 56 % e tyre.

Struktura e shpërndarjes së investimeve kishte mbetur e pandryshuar. As kur Kosovës iu njoh statusi i rajonit më të pazhvilluar të Jugosllavisë dhe iu premtuan si kurrë më parë investime të shumta në degët rentabile të industrisë përpunuese, gjendja nuk ndryshoi. Në këtë periudhë, Kosova mori mjete jo vetëm shuma më të pakta nga sa iu premtuan, por edhe rreth 16 % më të pakta se në pesëvjeçarin e mëparshëm (“Rilindja”, Prishtinë, 13 shkurt 1988, f. 7; Po aty, 14 shkurt 1988, f. 6).

Edhe gjatë viteve 1970 e më tej, ekonomia kosovare ka qenë në gjendje të përballojë me mjetet e veta financiare vetëm 5-10 % të investimeve, tregues ky disa herë më i ulët se mesatarja jugosllave. Në këtë mënyrë ekonomia kosovare ishte vënë në një gjendje krejtësisht të varur nga Serbia e Federata dhe ishte e zhytur në borxhe (Po aty, 8 tetor 1981, Tri nga Kosova).

Për çdo 100 dinarë të investuar ajo duhet të ndajë 97 dinarë për shlyerjen e borxheve, një e treta e të cilave ishin thjesht kamata (Po aty, 12 mars 1988, f. 7; Po aty, 12 prill 1988, f. 6).

Në këto kushte edhe ata shqiptarë që punonin, mund të siguronin në përgjithësi vetëm një nivel jetese shumë të ulët për familjet e tyre.

Përveç kësaj, të ardhurat personale që nga 1979 po pakësoheshin vazhdimisht, 5-6 % në vit dhe ndodheshin në nivelin e para 20 vjetëve (Po aty, 4 prill 1987, f. 7; Po aty, 1 shkurt 1988, f. 7; Po aty, 6 shkurt 1988, f. 7-8; Po aty, 21 shkurt 1988, f. 6; Po aty, 8 mars 1988, f. 7; Po aty, 14 maj 1988, f. 6; TANJUG, Beograd, 17 janar 1989).

Prapambetja ekonomike e Kosovës, në raport me vendet tjera jugosllave, shfrytëzimi i Kosovës si koloni dhe sidomos rritje e hendekut të zhvillimit midis shqiptarëve dhe kombeve të tjera në Jugosllavi në periudhën 1945 – 1981 është një prej faktorëve kryesorë që ka nxitur demonstratat. (Bajram Kosumi: Revolucioni 1981, Prishtinë, faqe 218).

Të gjitha këto që u thanë, dhe shumë të tjera që duhet thënë, tregojnë qartë pozitën e pafavorshme e shqiptarëve nën Jugosllavi, ku duhet potencuar dhe shtypja e egër që u bëhej përmes formave të ndryshme të represionit, detyrimit për shpërngulje për Turqi, ndalimit të shkollimit në gjuhën shqipe pas luftes së dytë, censurës së pamëshirshme të kulturës kombëtare, etj., paraqesin pasqyrën e qartë të pabarazisë së shqiptarëve në Jugosllavi.

Kështu që në pranverën e vitit 1981 u shqye përfundimisht maska e gënjeshtrave mashtruese mbi parajsën e socializmit vetëqeverisës dhe Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë.

Kësi soji djemtë dhe vajzat më të guximshme të Kosovës e jashtë saj, u organizuan në radhët e lëvizjes ilegale, të cilët ua sqaronin këtij populli gjendjen e rëndë dhe pabarazinë e madhe në të cilën ishte katandisur Kosova, duke u shfrytëzuar resurset e saja natyrore e njerëzore.

Dhe më 11 mars të vitit 1981 situata shpërtheu. Ishte kjo lëvizja e parë politike në Evropën Lindore e cila së bashku me Solidarnostin polak, që ja hoqën maskën e barazisë së vëllazërim bashkimit, e cila ishte vetëm një parullë boshe për tu hedhur hi syve të popullit, për bashkëjetesë të dhunshme nën shfrytëzim.

Atëbotë, këto ngjarje masës ju servuan si shprehje e revoltës së studentëve për kushte më të mira. Pushteti i atëhershëm komunist, u mundua ta fshehte gjendjen reale në të cilën ndodheshin shqiptarët nën Jugosllavi. Mu atëherë, kur pushteti titist, kishte menduar se ja kishte arritur qëllimit për ta mashtruar sërish popullin, më 25 mars të vitit 1981 në Prizren shpërthyen demonstratat, ku në këtë rast doli pikërisht rinia e Prizrenit, ku kryesisht mbizotëronin studentët e SHLP-së “Xhevdet Doda”, si dhe nxënës të shkollave të mesme, ku dalloheshin në këtë drejtim shkolla e mesme teknike “Gani Qavdërbasha” dhe gjimnazi që atëherë quhej “Jovanka Radivojeviq – Kica”. Në këtë rast, jo vetëm që ju dha përkrahje ngjarjeve të 11 marsit, por atyre ju dhanë edhe konotacion të qartë politik, sepse nga studentët dhe nxënësit përpos kërkesave të karakterit social, kishte edhe kërkesa të karakterit politik si: “duam barazi”, “kushtetutë”, “Kosova Republikë” etj. Natyrisht se pushteti i atëhershëm u alarmua dhe reagoi egërsisht menjëherë me polici, të cilët rrahën e arrestuan shumë të rinj shqiptarë, shumë nga të cilët më vonë do të dënoheshin me vite të tëra burgu.

Demonstratat e Prizrenit të 25 marsit të vitit 1981, janë të rëndësishme, sepse jo vetëm që masën e madhe të njerëzve që kishin dalë atë të mërkurë në Pazar (dhe po vështronte e hutuar), por edhe të tjerët që nuk ishin aty, i bënë që të mendojnë politikisht.

Këto ngjarje janë të rëndësishme edhe për faktin se i dhanë kurajë studentëve të Universitetit të Prishtinës, të cilët të nesërmen më 26 mars, ditën kur po vinte stafeta e Titos – që proklamohej si simbol i bashkim vëllazërimit, e që për shqiptarët në fakt ishte simbol i mashtrimit, (të cilëve tentohej tu paraqitej deri në nivelin e besëtytnisë), studentët e festuan me demonstrata të fuqishme të cilëve ju bashkuan edhe punëtorët dhe popullata e gjerë.

Ngjarjet e vitit 1981 padyshim se nuk janë fillimi i rezistencës shqiptare, por gjithsesi janë ngjarjet që paraqesin formën më të artikuluar të rezistencës shqiptare pas luftës së dytë botërore deri në atë kohë, duke ja trandur kështu themelet e Jugosllavisë së atëhershme.

Në këto ngjarje më e papërgatitura ishte inteligjenca e Kosovës, prandaj edhe nuk u hodh në mbrojtje të kërkesave të drejta të studentëve dhe të punëtorëve. Burokracia politike e Kosovës e ndikuar nga kërcënimi i shovinizmit dhe hegjemonisë serbe, u hodh në gjykim të ashpër të këtyre ngjarjeve duke i cilësuar ato njëjtë, ashtu siç i cilësonte politika antishqiptare jugosllave e kohës, si nacionaliste, separatiste, irredentiste, armiqësore, të drejtuara kundër sistemit socialist vetëqeverisës jugosllav, e për minimin e pushtetit politik të klasës punëtore, për prishjen e bashkim vëllazërimit, etj.

Kësi soji ngjarjet e vitit 1981, ishin burim frymëzimi edhe për ngjarjet e mëvonshme të vitit 1989 e deri te pranvera e vitit 1998.

Muaji mars për shqiptarët, nuk është vetëm muaji i fillimit të pranverës. Marsi është muaji i fillimit të shpresave shqiptare, i rezistencës, për liri.

Në marsin e vitit 1981, u tranden themelet e të ashtuquajturës Jugosllavi.

Në marsin e vitit 1989, u derdh lumë gjaku në mbrojtje të asaj autonomie që e kishte Kosova, e cila edhe aq sa ishte dhe e tillë çfarë ishte e përgjysmuar, ju muar shqiptarëve me tanksa.

Kurse në marsin e vitit 1998, Adem Jashari me UÇK-në, përfundimisht me rënien e vet në altarin e lirisë, e ndërpreu procesin e vdekjes së heshtur të Kosovës.

Vazhdon…

 

Kontrolloni gjithashtu

Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha: KOSOVA DHE FABRIKA E PRODHIMIT TË ARMËVE

Prof.dr. Sabile Keçmezi-Basha; KOSOVA QË FLET: KRIMET E LUFTËS NË KOSOVË PËRMES DËSHMIVE DHE FAKTEVE II

Historia nuk harron. Dhe kur drejtësia vonon, pesha e saj bëhet edhe më e rëndë …