Bedri Hamza, lider i Partisë Demokratike e Kosovës, ka reaguar ndaj vendimit të Bashkimi Evropian për heqjen e masave ndaj Kosovës, pas më shumë se dy vitesh e gjysmë. Hamza e cilësoi këtë vendim si të vonuar, por të mirëpritur, duke theksuar se qytetarët nuk është dashur të ndëshkohen për, siç u shpreh ai, papërgjegjësinë e Qeverisë. Sipas tij, masat e vendosura më herët nuk kanë ndihmuar në avancimin e proceseve, por kanë ndikuar negativisht te qytetarët dhe rruga e vendit drejt integrimit. Në një reagim publik, ai theksoi se progresi nuk arrihet përmes ndëshkimeve, por përmes partneritetit dhe bashkëpunimit me aleatët ndërkombëtarë. Hamza shtoi se Kosova, si një nga vendet me qytetarët më proevropianë në rajon, meriton trajtim të drejtë dhe mbështetje të plotë në procesin e integrimit evropian. Masat e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës ishin vendosur në qershor të vitit 2023, pas tensioneve në veri të vendit dhe kritikave të vazhdueshme nga Brukseli për mungesë koordinimi politik.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
