Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, artikuloi një kritikë të fortë dhe të argumentuar ndaj qeverisjes së Albin Kurtit, duke theksuar dallimin esencial midis qasjes së tij teknike dhe premtimeve që ai i cilësoi si të pa kalkuluara të ekzekutivit aktual. Hamza nënvizoi se programi qeverisës i PDK-së mbështetet në projeksione të sakta buxhetore, të hartuara mbi bazën e të dhënave reale dhe të qëndrueshme fiskale. Sipas tij, çdo premtim i këtij programi është i mbuluar financiarisht dhe i realizueshëm brenda parametrave të buxhetit të Kosovës. “Programi ynë nuk është ‘fontanë dëshirash’. Ai është një plan i detajuar, i kalkuluar me përgjegjësi. Buxheti e mban – sepse sa më e madhe të jetë rritja ekonomike, aq më i madh bëhet edhe vetë buxheti i shtetit,” theksoi Hamza, duke iu referuar logjikës së thjeshtë por thelbësore të mirëqeverisjes financiare. Ai shtoi se rritja ekonomike gjatë viteve të fundit ka qenë ndër më të ulëtat në dekadën e fundit, duke e konsideruar këtë si një dështim të qeverisë Kurti. “Rritja ekonomike e realizuar në vitet e kaluara është ndër më të ulëtat që kemi pasur. Kurti nuk e di prej nga i ka marrë statistikat,” u shpreh ai, duke vënë në pah mospërputhjet midis deklarimeve publike të kryeministrit dhe gjendjes reale ekonomike të vendit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
