Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka vizituar në Hagë ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe bashkëluftëtarët e tyre, duke përcjellë mesazh të fuqishëm se procesi gjyqësor ndaj tyre po shkon drejt fundit dhe se drejtësia duhet të triumfojë. Hamza tha se i ka gjetur ata në gjendje të mirë shëndetësore dhe me moral të lartë, pavarësisht padrejtësive me të cilat po përballen në Hagë. “Muret në Hagë nuk mund ta burgosin të vërtetën dhe idealin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe shokëve të tyre. I gjeta mirë me shëndet dhe plot entuziazëm për bashkimin tonë. Ata i shërbyen Kosovës me sakrificë dhe sot qëndrojnë të fortë, me kokën lart”, ka deklaruar Hamza. Ai theksoi se si qytetar i Kosovës, si mik, si kryetar i PDK-së dhe si kandidat për kryeministër, i ndien personalisht padrejtësitë që, sipas tij, po u bëhen ish-krerëve të UÇK-së. Ky proces tani po shkon drejt fundit dhe presim që fundi të jetë i drejtë. Zvarritjet nuk i shërbejnë askujt: as drejtësisë, as Kosovës dhe as bashkësisë ndërkombëtare”, ka shtuar Hamza. “Kosova po i pret bijtë e saj me krenari. Liria ka emrat e tyre dhe ata po rikthehen në shtëpi”, ka deklaruar ai. Në fund të vizitës, Hamza bëri të ditur se u ka premtuar ish-krerëve të UÇK-së se do t’i gëzojnë së bashku më 28 dhjetor, duke e mbyllur mesazhin me fjalët: “Të fala nga Haga”.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
