Më 15 gusht 1998 në fshatin Nashec ra në një pritë Remzi Ademaj – Komandant Petrit Kodra për të jetësuar idealet e trashëguara brez pas brezi për çlirim dhe bashkim kombëtar të të gjithë shqiptarëve, pavarësisht ku jetonin. Remzi Ademaj nuk e kishte fizikun e një vigani por e kishte vullnetin dhe vendosmërinë e një kolosi. Nuk kishte përgatitje profesionale ushtarake por e kishte të përfunduar Akademinë për frymëzim kombëtar të vijuar nëpër odat shqiptare ku flitej për ata që sakrifikuan çdo gjë që patën për ta mbajtur të ndezur zjarrin e luftës për liri dhe bashkim kombëtar. Pikënisja dhe pikësynimi ishte ky, amshimi dhe përjetësia u fitua në Nashec. Gradat më të larta politike dhe morale i mori në llogoret e ish-Jugosllavisë në Zagreb, Lepogllavë dhe Stara Gradishkë te Frymëzuesi dhe Abetarja Shqiptare për Çlirim dhe Bashkim Kombëtar, i Përjetshmi Bacë Adem Demaçi. Kush do të besonte se brenda një personi me një pamje sikur Migjeni, sidomos nga shëndeti, në kohën kur atdheu kishte nevojë për të do të shpërthejë si një vullkan, në dukje i fjetur! Remzi Ademaj ishte gurbetçar i ndjekur nga regjimi jugosllav dhe domosdoshmëria për të luftuar për mbijetesë ekonomike personale, familjare dhe kombëtare. U arrestua në përpjekje për të larguar anëtarë të familjes Gërvalla që jetonin në Slloveni, për në Gjermani. Në burg ishte i kujdesshëm dhe i urtë me shokë, i pakompromis dhe i panënshtruar me autoritetet e burgut. Asnjëherë nuk ankohej për asgjë sepse kishte ndarë mendjen për fatin e tij. Pazgjidhshëm e kishte lidhur ne fatin e popullit, nuk kushte asnjë mëdyshje për këtë. E donte shumë muzikën e lehtë shqiptare të Shqipërisë së Mesme dhe atë të Jugut. Ishte një bashkëdyzim i mendimeve politike dhe veprimeve ushtarake të udhëheqësit më të kompletuar shqiptar, Hasan Prishtinës, intelektualizmit të Luigj Gurakuqit dhe altruizmit të Fan Stilian Nolit. Shpeshherë, për vete dhe shokët ia jepte këngës që të jepte shpirt dhe kurajo duke na zhvendosur nga llogoret e ish Jugosllavisë në Shqipërinë që e idealizonim ashtu si dëshironim të ishte. Remzi Ademaj hyri në burg me shtyllë kurrizore kombëtare të palakuar, nga burgu doli me një shtyllë edhe më të fortë kombëtare dhe politike. Rrugëtimi i tij politik dhe kombëtar ishte njëdrejtimësh, pa mundësi devijimi. Synimi ishte një dhe vetëm një, çlirimi, liria dhe bashkimi kombëtar. U angazhua në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut si udhëheqës i Nënkëshillit në Zhur sikur që e bënë edhe 95 për qind të anëtarëve në mbarë Kosovën e që iu bashkuan Ushtrisë së Lavdishme Çlirimtare të Kosovës. Njeriu mund të bëjë kompromis me çdo gjë, me lirinë asnjëherë! Çdo gjë ka një çmim që mund ta paguash me mjete materiale, liria nuk ka çmim të cilin nuk duhet ta paguajmë, edhe me jetë! Jeta nuk ka kuptim dhe është e paplotësuar pa liri, liria i jep kuptim dhe përmbajtje jetës. Kur jeta, në mungesë të lirisë bëhet e pajetueshme, nuk shtrohet pyetja e çmimit që duhet paguar! Këtë më së miri e kuptoi Remzi Ademaj dhe heronjtë që ranë në altarin e lirisë duke e plotësuar dhe begatuar Panteonin ku prehen ata që krijuan vepra, u flijuan për vepra, njerëzore, kombëtare dhe politike. Ata i kryen detyrat kombëtare dhe të Atdheut duke e bërë dhe shkruar historinë, neve na mbetet ta lexojmë atë histori nëse duam ta ruajmë të drejtën t’i nderojmë dhe të përkulemi para atyre që i kishim shokë, miq, bashkëmendimtarë, bashkëveprimtarë dhe bashkëluftëtarë që kaluan në përjetësi!
Remzi Ademaj – Komandant Petrit Kodra e dha atë që e kërkonte Kombi dhe Atdheu, jetën e mbidheshme për amshimin qiellor dhe hyjnor! Po ne, ku jemi tani?! Larg asaj që e kemi synuar, qoftë edhe si ëndërr!