Anëtari i PDK-së, Bekim Çollaku, ka deklaruar se partitë politike në Kosovë janë përfshirë në negociata të fshehta për formimin e Qeverisë deri të dielën, duke e cilësuar situatën si “luftë të paskrupullt për pushtet”. Sipas tij, kjo është hera e parë që skena politike përballet me kaq shumë paqartësi, pasi, siç tha ai, “askush nga akterët kryesorë nuk ka mirëbesim te tjetri”. Çollaku komentoi edhe deklaratat kontradiktore brenda LDK-së, duke përmendur rastin e kreut të partisë, Lumir Abdixhiku. “Abdixhiku tha se në nivel lokal nuk ka vija të kuqe me askënd, por sot doli vetë dhe tha se është kundër një koalicioni të tillë. Nga përvoja ime politike, është e pamundur që një lider të mos jetë në dijeni për zhvillime të tilla”, theksoi ai. Ai shtoi se situata aktuale ka hapur shumë dilema për publikun: “Po lindin pyetje nëse Abdixhiku apo LDK po luajnë një lojë të dyfishtë dhe kush realisht është i përfshirë në negociatat e fshehta që po zhvillohen për formimin e Qeverisë, e jo për zgjedhje të reja”.
