leoni

Besim Hamëz Jashari (1.12.1981 - 7.3.1998)

Besim Hamëz Jashari (1.12.1981 – 7.3.1998)

Familja emblemë e kombit shqiptar, familja e ngushtë Jashari e Prekazit, luftës për çlirimin e Kosovës i dha 20 pjesëtarë të saj, në mesin e tyre komandantin legjendar të UÇK-së Adem Jashari, kryefamiljarin, Shaban Jashari, vëllain e komandantit, Hamëz Jashari dhe 17 anëtarë të tjerë të familjes.
Përveç Hamzait dhe bashkëshortes së tij, Feride Mecini, në altarin e lirisë ranë edhe bijtë e bijat e tyre: Selvetja, Afetja, Liria, Blerimi, Fatimja, Blerina dhe Besimi. Kanë mbijetuar Besarta dhe Bekimi.

Besimi lindi më 1 dhjetor të vitit 1981, në Prekaz Ishte fëmija i tretë me radhë i Hamëz dhe Feride Jasharit. Mësimet fillestare i mori në shkollën fillore të Skënderajt. I edukuar me dashuri për prindërit, motrat, vëllezërit e të afërmit, Besimi rritej tok dhe hareshëm me bijtë dhe bijat e xhaxhallarëve. E donte tejmase gjyshin, Shabanin, i cili ishte edhe edukator i pazëvendësueshëm për edukimin e të gjithë nipave e mbesave. Gjyshi i tij Shaban Jashari kishte qenë edhe mësues. Një mësues patriot, të cilit i frikësohej regjimi okupator titist, sepse nxënësit i kishte edukuar dhe frymëzuar me idealet e çlirimit dhe të bashkimit kombëtar të shqiptarëve. Pikërisht për këtë organet e atëhershme të arsimit e kishin përjashtuar nga procesi i mësimit.
Edhe pse i ri, Besimi shquhet për shkathtësi dhe zhdërvjelltësi në punë dhe në aktivitete të tjera. Përveç mësimeve ai ndihmonte prindërit në punët e shtëpisë dhe të fushës. Kishte dëshirë të punonte me gjyshin, të cilin e donte veçanërisht, ashtu sikurse e donin dhe e respektonin të gjithë nipat e mbesat. Ishte vetëm 10-vjeçar kur forcat serbe në funddhjetorin e vitit 1991, i kishin rrethuar shtëpinë në Prekaz. Edhe pse i ri, Besimi qysh në atë kohë fillon të urrejë policët dhe zaptuesit, të cilët ia kishin paraburgosur gjyshin dhe disa anëtarë të tjerë të familjes së gjerë. Krenohej me faktin se i ati Hamza, xhaxhallarët: Ademi dhe Rifati kishin luftuar fyt për fyt kundër policisë dhe kishin çarë rrethimin. Ata kurrë nuk iu kishin dorëzuar pushtuesve.
Pas kryerjes së shkollës fillore regjistrohet në qendrën e mesme shkollore në Skënderaj. Kishte intersim për të zënë njohuri në shkollë, por mendjen e kishte te familja, e cila vazhdimisht ishte në shënjestër të forcave okupatore.
Ashtu sikurse tërë brezi i bijve dhe bijave të Jasharëve, Besimi ishte në dijeni të aktivitetit luftarak të prindërve dhe bashkëluftëtarëve të tyre. Ata përcillnin lëvizjet e policisë dhe për çdo lëvizje lajmëronin gjyshin apo xhaxhallarët. Sa do që i ri në moshë ishte i vetëdijshëm se babai dhe xhaxhai po përgaditnin diçka të madhe, të rëndësishme. Shabani, Hamza dhe Ademi nuk i fshihnin armët nga anëtarët e familjes, për më tepër ua mësonin mënyrën e përdorimit dhe të mirëmbajtjes së tyre.
Në rrethimin e dytë që kishin bërë forcat policore dhe ushtarake serbe kundër Jasharëve në Prekaz më 22 janar të vitit 1998, Besimi së bashku me Fitimin e të tjerë ishin brenda në shtëpi, kur forcat serbe bëjnë përpjekje për t’iu ofruar kullës së Qëndresës në lagjen Jashari. Asokohe, ai, së bashku me Fitimin e Adem Jasharit ishte pranë gjyshit, dhe babait të cilët kishin rezistuar trimërisht. Ishte hera e parë që Besimi dhe Fitimi kishin shkrepur plumbat kundër forcave okupatore. Ata tanimë kishin dhënë provimin si luftëtarë të lirisë.
Më 5 mars të vitit 1998 ushtria okupatore serbe me forca të shumta të artilerisë dhe të këmbësorisë kishte ndërmarrë ofensivën kundër Jasharëve, të cilët ishin barrikaduar në Kullën e Qëndresës, Besimi ishte në radhën e luftëtarëve. Xhaxha Ademi e kishte sistemuar në një pikë mbrojtjeje së bashku me Fitimin. Tri ditë të tëra nuk kishte ndaluar furia e lubisë serbe kundër Jasharëve. Tri ditë të tëra kishin qëndruar të pamposhtur Jasharët. Ata kishin dhënë besë-betimin për t u flijuar në altarin e atdhut. Më 7 mars të vitit 1998 me armë në dorë duke luftuar kundër forcave kishte rënë edhe Fitim Hamëz Jashari. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Arsim Nazmi Muzaqi (13.11.1978 – 26.4.1999)

Arsim Nazmi Muzaqi (13.11.1978 – 26.4.1999)

Në familjen Muzaqi, në Vushtrri, më 13 nëntor të vitit 1978 u lind, Arsim Muzaqi. …