Duke komentuar këmbënguljen e Vetëvendosjes dhe kryetarit të saj, Albin Kurti për ta bërë Albulena Haxhiun kryetare të Kuvendit, anëtari i kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka konstatuar se kjo parti nuk do ndarje pushtetesh por zëvendësimin e vetes me shtetin. “E drejta kushtetuese për të propozuar, sipas aktgjykimit të vitit 2014, nuk mund të mbizotërojë apo përjashtojë një tjetër të drejtë po ashtu kushtetuese: që deputetët janë të lirë në ushtrimin e mandatit të tyre, përfshirë votimin e lirë në Kuvend, me votim të hapur apo të mbyllur. Kjo e drejtë merr kuptim vetëm kur materializohet përmes shumicës së thjeshtë prej 61 deputetësh. Do të ishte absurde, madje antidemokratike, që propozimi i një subjekti politik të mbivendoset mbi këtë vullnet sovran, institucional. Kush është këtu sovrani – LVV dhe Kurti, apo Kuvendi? Përfundimisht, çështja nuk ka të bëjë më me emrin e përveçshëm të kandidatit, apo nëse qeveria do të formohet nga LVV apo do të ketë zgjedhje të reja. Thelbi është përpjekja për të imponuar një logjikë nënshtrimi, ku Kurti dhe LVV, përmes përmbysjes së rregullave kushtetuese, rrezikojnë të asgjësojnë çdo rezistencë demokratike dhe opozitare. Ata nuk duan ndarje pushtetesh – duan të zëvendësojnë shtetin me vetveten” ka shkruar anëtari i kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri.
