Ish-deputeti Besnik Tahiri ka ngritur alarmin për bllokimin institucional në Kosovë, duke e quajtur situatën aktuale një krizë të thellë politike që nuk guxon të normalizohet. Tahiri theksoi se katër muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme, mungesa e konstituimit të Kuvendit ka çuar në paralizimin e shtetit dhe mungesë totale të përfaqësimit dhe vendimmarrjes institucionale. “Shteti është në bllokadë funksionale, pa përfaqësim dhe pa vendimmarrje institucionale. Kjo situatë nuk guxon të pranohet si normale,” u shpreh ai. Tahiri vlerëson se kjo krizë po e minon funksionimin demokratik të shtetit dhe po e gërryen besimin e qytetarëve në institucionet e zgjedhura. “Kredibiliteti institucional po zbehet çdo ditë. Pa institucione të zgjedhura, nuk ka as demokraci, as shtet funksional. Kosova po e humb fuqinë dhe autoritetin e saj, si në skenën e brendshme politike, ashtu edhe në raportet me partnerët ndërkombëtarë,” deklaroi ai. Ai kërkoi veprim të menjëhershëm nga liderët politikë për të dalë nga kjo gjendje e paprecedentë dhe për të rikthyer funksionalitetin institucional të vendit.
