Në një ceremoni solemne të zhvilluar sot, 350 rekrutë të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë bërë betimin për t’i shërbyer vendit me nder dhe përkushtim. Ceremonia u zhvillua në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes dhe nisi me raportimin para Komandantit të FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari – akt simbolik që shënon fillimin e një kapitulli të ri në jetën ushtarake të këtyre të rinjve. Në prani të zyrtarëve të lartë ushtarakë, përfaqësuesve institucionalë dhe partnerëve ndërkombëtarë, rekrutët dhanë betimin solemn për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës.
