Në vigjilje të shënimit të 17 Shkurtit-Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, biblioteka e SHFMU ”Rifat Berisha” në Berishë të komunës së Malishevës, ka marrë një donacion prej 200 librave për bibliotekën e shkollës. Ky fond i librave është donacion nga shkrimtari Mehdi Krasniqi, i njohur për aksionin e tij për grumbullimin e librave për nevoja të bibliotekave shkollore dhe më gjerë. Donacioni është dorëzuar nga zyrtarët e drejtorisë për arsim dhe edukim (DAE) në Malishevës, përkatësisht, zyrtarët përgjegjës të kësaj drejtorie, Sabit Berisha, Remzi Buçaj, Enver Mazreku dhe vet donatori, Mehdi Krasniq. Pranimi i këtij donacioni është bërë nga drejtori i kësaj shkolle, Fehmi Zogaj, i cili në emër të stafit mësimor, nxënësve të shkollës dhe prindërve, e ka falënderuar drejtoreshën e DAE, Arbëreshë Krasniqi për përkrahjen e vazhdueshme, si dhe donatorin. Nga ana tjetër, shefi i DAE, Sabit Berisha, ka shprehur urimet e drejtorisë për të gjithë nxënësit dhe mësuesit e kësaj shkolle, në prag të 17 Shkurtit, ndërsa lidhur me donacionin e dorëzuar sot, tha se “pasurimi i kësaj biblioteke me libra, u bë e mundur falë përkushtimit të Mehdi Krasniqit dhe donatorëve, të cilët nuk ndalen në përkrahje të institucioneve tona e fëmijëve tanë, që të kenë kushte sa më të mira për arsim dhe edukim”.