Bisedë me të burgosurin politik, të mbijetuarin e Masakrës së Dubravës, drejtorin e AMKMK-së, Bislim Zogaj

Bisedë me të burgosurin politik, të mbijetuarin e Masakrës së Dubravës, drejtorin e AMKMK-së, Bislim Zogaj

(Bisedë në Studion e TV-Diellit” me veprimtarin e njohur, të burgosurin politik, anëtarin e Shtabit operativ të UÇK-së, të mbijetuarin e Masakrës së Dubravës, drejtorin e Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës, Bislim Zogaj).

 

Bislim Zogaj është në mesin e veprimtarëve  më të dalluar  të vendit për kontributin që i ka dhënë kombit e atdheut gjatë tërë jetës së tij, prej kohës kur ishte nxënës i shkollës së Mesme, në Drenas  të Drenicës e deri në ditët e sotme. Ai ka një biografi  të pasur të qëndresës por edhe të vuajtjeve e dhembjeve, të krenarisë dhe mbijetesës nga të gjitha katrahurat që nuk e kanë kursyer,  sepse nuk e ka  bërë punën dhe veprën për të qenë i kursyer,  nga regjimi serb,  në kohën e robërisë së Kosovës…

Duke folur në fillim për disa të dhëna biografike ai ka  rrëfyer se ka  lindur më  27 prill të vitit 1965 në fshatin e Ri të Komunës së Malishevës. Më vonë me tërë familjen time jemi vendosur Komaran, të komunës së Drenasit. Kam mbaruar Shkollën e Mesme të Mjekësisë. Për 12 vjet rresht kam punuar në Shtëpinë e Shëndetit në Drenas, si teknik medicinal. Pas luftës ja diplomuar në nivelin master, për shkenca politike. Kam punuar në poste të ndryshme zyrtare aktualisht jam drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve memorialë të Kosovës

Qysh në moshën 16-vjeçare ka marrë pjesë në demonstratat e vitit 1981, që ishin mbajtur në Drenas më 2 dhe 3 prill. Më vonë gjatë shkollimit dhe punës ka marrë pjesë aktive edhe në demonstratat e protestat e  viteve 1988-1989. Duke qenë në kontakt me Lëvizjen e fshehtë atdhetare të kohës, qysh  në vitin 1994 ishte kyçur në radhët e pjesëtarëve të parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.  Duke folur për atë kohë, Bislim Zogaj ka saktësuar se me propozimin e ish mësuesit të tij dhe veprimtarit të njohur, Xheladin Gashi, i njohur gjatë luftës si Komandant Plaku, tani i ndjerë,  është bërë edhe  pjesë e Shtabit Operativ të UÇK-së.

Asokohe kur ishin themeluar Shtabi  Operativ i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pos meje ishin edhe  Nait Hasani, Zahir Pajaziti, Sokol Bashota, Rexhep Selimi, Lahi Brahimaj, ndërsa Nait Hasani, Xheladin Gashi e Sokol Bashota kanë qenë edhe anëtarë të Shtabit Qendror të UÇK-së.

Ne në atë kohë kishin plan  që lufta të fillonte  në Kosovë e që pastaj të zgjerohej. Ishin në kontakt edhe me grupet e para çlirimtare të Adem Shaban Jasharit dhe bashkëluftëtarëve të tij, me të cilët edhe kemi koordinuar veprimet.  Një pjesë e Shtabit Qendror ka qenë brenda, ndërsa pjesa tjetër në Shqipëri.  Kështu kemi vepruar deri në janar të vitit 1997. Më 27 janar të këtij viti është burgosur Nait Hasani. Me atë rast Xheladin Gashi më ka rrëfyer për arrestimin e Naitit. Ai ma bëri me dije se duhet të ndërrojmë planin e veprimit, duke filluar nga zhvendosja e armatimit, meqë kemi menduar se nga torturat e mëdha Naiti mund të flasë. Por, përkundër vuajtjeve të mëdha, Naiti s’foli gjë. Por, ne e zbatuam këtë plan si preventivë”. Më kujtohet se pastaj sërish kam shkuar te “Plaku” dhe aty kam takua edhe Sokol Bashotën, të cilin e kam njohur me emrin Mustafa. Kemi biseduar për caktimin e një mbledhjeje për ditën e hënë, në Malishevë. Në takim u ndanë detyrat se kush kënd ka për ta njoftuar. Sokol Bashota dhe Xheladin Gashi më obliguan që ta njoftoja Zahir Pajazitin për burgosjen e Naitit dhe për organizimin e takimit. Ndërsa, Sokolit i është dhënë detyra që ta njoftojë,  Rexhep Selimin”. Më pas nga Radio Zagrebi  në gjuhën shqipe  kam marrë vesh se Naitin e kishin dërguar në Spitalin e Prishtinës, dhe meqë ishte punëtor shëndetësor kam menduar të shkoj në Spital dhe mundësisht ta nxjerrë nga aty. Të nesërmen në mëngjes shkova te një shok i shkollës që punonte në spital. Ai ma bëri me dije se nuk është paradite në punë, por pasdite”…

Bisedë me të burgosurin politik, të mbijetuarin e Masakrës së Dubravës, drejtorin e AMKMK-së, Bislim Zogaj

Bislim Zogaj duke folur për takimin e tij të fundit me komandantin emblematik të UÇK-sëm  Zahir Pajaziti, ka rrëfyer se 31 janari i vitit 1997 ka qenë edhe takimi i fundit me të.

Fillimisht, të dy kemi hyrë në të njëjtën kohë në Stacionin e Autobusit. Ai ka hyrë nga mbrapa, ndërsa unë përpara Stacionit. U takuam në mes. Ma bëri me kokë tek drejtimi mbrapa Stacionit. Filluam bisedën. Ia tregova edhe njëherë komplet situatën se Naiti është burgosur, se është në spital, dhe se për shkak të tij duhet të vendosim se si do të veprojmë tani e tutje. Ngaqë kishte obligime tjera, e lamë që edhe nesër të takoheshim sërish në Prishtinë. U sqaruam edhe për kodet se si të merremi vesh në telefon. Ai u nis prej Stacionit të Autobusëve mbrapa, në drejtim të urës për në Mitrovicë. Ndërsa, unë përmes rrugës kryesore në drejtim të Spitalit. Dola nga rruga kryesore. Atëherë ka qenë rrugë me dy korsi. Instinktivisht e kam parë një femër që më shikonte. Momentin që e kam parë unë, ajo ka filluar të ecte. Një metër para se të takohet me mua e ka ulur kokën. Në atë moment u binda se diçka nuk është në rregull. Kur e ktheva kokën, kishin qenë tre vetë me armë në duar.

“Sapo ndalova, filluan të më godasin. Ma çanë kokën. Për 30 sekonda ka ardhur një veturë me ngjyrë të kuqe. Ma vendosën një thes në kokë dhe më futën brenda aty. Më dërguan në ndërtesën e sigurimit shtetëror. Për 20 minuta nuk më kanë prekur. Pas dy ditësh e kuptova që Zahir Pajazitin atë ditë e kishin vrarë. Kur më kapën mua, pjesa tjetër kishin qenë duke shkuar pas Zahirit. Edhe ai kishte rënë në pritën e tyre. Kanë mundur të na kapin të dyve, sepse në Stacionin e Autobusëve kishim qenë që të dy të vëzhguar. Policët serbë e kanë ditur që Zahir Pajaziti nuk ka lëvizur asnjëherë i paarmatosur. Ata me siguri kanë menduar se edhe unë mund të kem armë. Një grup e përcillte atë, e një tjetër mua. Pas 20 minutave, përafërsisht kur e kanë mbaruar aksionin me Zahirin, kanë ardhur tek unë”…

Pas torturave të pa ndërprera në Prishtina e dërgojnë në Burgun e Lipjanit, pastaj nëpër burgjet e Serbisë.

Në janarin e vitit 1998 më dërguan në Burgun e Lipjanit. Aty qëndrova deri në shtator. Pastaj më transferuan në Burgun e Mitrovicës së Sremit. Aty, një i burgosur për vjedhje (Ragip Foniqi) – me të cilin kam qenë edhe në Burgun e Lipjanit – kishte bërë një gënjeshtër për përfitimet e tij personale, gjoja se në Burgun e Lipjanit, në bisedë e sipër me Shkëlzen Zariqin, kisha bërë një organizim për lirimin tonë. Gardianët serbë në Burgun e Sremit na morën në pyetje. Mirëpo, unë mohoja çdo gjë, sepse asgjë nuk ishte e vërtetë. Kur e sollën të burgosurin shqiptar, ai pohoi fjalët e tij. E kam pështyrë duke i thënë: ‘Zoti të marroftë, qysh s’po të vjen marre’. Gardianët filluan të na rrahin. Na dërguan në vetmi, e sa herë që vinin çdo herë na rrihnin. Nuk e kisha më problemin tek vetja, por tek Shkëlzeni, sepse ishte i ri, vetëm 18 vjeç.”.

Më dënuan pesë vite burg. Në Mitrovicën e Sremit në dërguan  më 26 prill, ku takova Nait Hasanin, Ukshin Hotin, Bajrush Xhemailin etj. Transferimi i radhës – për tre ditë – ishte në Burgun e Nishit.

Dhuna fizike nuk është kursyer. Maltretimet e të burgosurve ishin të vrazhda dhe çnjerëzore Por, edhe forca tek të burgosurit shqiptarë nuk mungonte qëndresa e pethueshme

Në burgun e Dubravës isha  dëshmitar i vuajtjeve të rënda njerëzore kundër meje dhe të gjithë të burgosurve. Duke folur për dhunën e mizoritë që ushtronin gardianët serbë kundër tyre Bislim Zogaj ka rrëfyer disa raste të veçanta

“Atë mbrëmje kanë ardhur dy gardianë. Njëri  prej tyre e njohu Ukshin Hoton. E kanë nxjerrë nga rreshti dhe e kanë rrahur pamëshirë, në praninë tonë. Tortura ka zgjatur rreth 20 minuta. Ai nuk lëshonte zë. Ishte njeri i fortë”. Edhe më datë 28 prill kanë vazhduar më tortura. Të nesërmen na kanë transferuar për në Dubravë. Na është dukur se po shkojmë në një burg pushimore. Aty pata thënë: ‘Edhe nëse më vrasin, s’ka gjë, se jam në Kosovë’”.

 

“Kam qenë në pavijonin B. Ishim 43 të burgosur politikë. Ishin edhe ca të burgosur të lirë të vendosur në një tjetër pavijon. Në mesin e tyre ishte edhe Istref Hasani. Ata kishin transistor dhe dy herë kemi arritur që të informohemi për situatën në Kosovë përmes tyre.

“Nga Burgu i Nishit deri në Burgun e Dubravës nuk kam parë asnjë njeri. Kisha frikë se mos krejt Kosova ka mbetur pa asnjë shqiptar. Informata e parë ishte së UÇK-ja po lufton, sidomos në zonën e Drenicës, me fitore. Ndërsa, informata e dytë ishte se një pjesë e popullatës janë në Shqipëri. Vetëm një grup i caktuar e kemi ditur për këto letra”.

 

“Me Ukshin Hotin kemi qenë në një pavijon. Në atë kohë kishim problem për cigare. Naiti ua mblodhi të gjithëve cigaret për t`i shpërndarë proporcionalisht. I kemi privilegjuar dy të burgosur: Ukshin Hotin se i kishte ditët e fundit të burgut, dhe Hajdin Ramën se ishte më i vjetri në moshë”. Më 16 maj ishte dita kur “lirohet” Ukshin Hoti e kur të burgosurit tjerë e kanë përcjellë nga dritaret e burgut deri tek dalja, për të mos dëgjuar më gjë për të. Tre ditë më vonë ndodhi sulmi i NATO-s mbi burg.

Kemi qenë në pavijonin B. NATO ka bombarduar pavijonin C. Në atë moment të gjithë kemi tentuar të dilnim tek dera. Për fat, erdhën të burgosurit e tipit më të lirë dhe me çka patën i thyen grilat. Dolëm në oborr. Instiktivisht shkova në pavijonin C, aty ku bombardoi NATO”.

“Në pavijonin C kishin mbetur tre të vdekur. Tre të tjerë nxirren të plagosur. Njëri ecte vet, ndërsa dy të plagosur i kemi bartur me batanije deri tek vetura e ndihmës së parë. Nga plagët që kishin, kam menduar që të dy kanë vdekur, sepse njëri krejt ashtin e kokës e ka pasë jashtë. Atë e takova, të gjallë, tek në Burgun e Pozharevcit”. Në bartjen e të plagosurve e ka ndihmuar edhe Abdyl Gafurr Luma, i cili u vra ditën e masakrës së Dubravës, më 22 maj 1999. Gjatë kohës së bombardimeve, personeli i burgut rrinte jashtë…

 

Më 21 maj përsëri kanë filluar granatimet. Granatimet e asaj dite ishin më të mëdha dhe më të frikshme. Nuk e dinim nga po vinin. Ka pasur shumë të plagosur dhe mundësitë për të ndihmuar ishin shumë të vogla”. Një rast i veçantë për Zogajn ishte kur dy djem, në moshë të re, u plagosën rëndë. Ndërsa, të gjithë të plagosurit kishin nevojë për ndihmë. Këto momente e trazojnë edhe sot e asaj dite. Të gjithë të plagosurit në mbrëmje i kemi renditur tek Fusha e Sportit, mbi disa dyshekë. Për t`ua dhënë ndihmën e parë të plagosurve, i kemi shfrytëzuar fanellat tona duke i grisur. Në plagët e rënda e me gjakderdhje të mëdha, e merrja ndonjë gur të lidhur për një fashë dhe me anë të presionit u mundoja ta ndaloja gjakun”.

 

Mëngjesi i 22 majit të burgosurit i priti jashtë. Ata janë ftuar nga forcat serbe gjoja që t’i transferojnë diku tjetër – për sigurinë e tyre. Por, realiteti ishte ndryshe. Shkuam për t’i marrë rrobat në pavijone dhe filluam të grumbullohemi tek Fusha e Sportit. Kur filluam të renditemi, ne – grupi i të burgosurve të Mitrovicës së Sremit – dolëm nga fundi i rreshtit. Sapo kemi arritur në fund, ata filluan të gjuajnë me të gjitha llojet e armëve. Ishte një llahtari. Fillova të vrapoja. I kisha dy çanta me rrobe të mia në dorë të cilat, si i humbur, nuk i kam lëshuar derisa ma kujtoi dikush nga të burgosurit. Kur ndaluan pak gjuajtjet, filluam të vrapojmë në drejtim të pavijonit B. Të plagosurit që ishin në oborr, nga bombardimet e NATO-s, ashtu si ishin të shtrirë mbeten – disa të vrarë. Në ambulancën e burgut merrnim ato që ishin aty për të dhënë ndihmën e parë. Erdhi Fadil Gjylani i anës tonë, i cili ishte plagosur. Plagën e kishte në shpinë. E mjekova atë të parin dhe pastaj vijnë të tjerët. Arsim Zogiani ishte plagosur në krahë dhe në kokë. Më tha që po i vinte për të vjellë. E dija që shpëtim nuk kishte. I dhashë ndihmën e parë, por nuk kaloi shumë dhe vdiq. Shkova tek pavijoni C, sepse ishte më afër të plagosurve. Bajrush Xhemajli dhe unë e kemi marrë të plagosurin e parë, Ahmet Demirin nga Gjilani. Rrezikshmëria ishte e madhe për ne. Ata gjuanin. Qëndrova tek pavijoni C, ndërkohë që të tjerët m’i sillnin të plagosurit”. “Gjithmonë jam marrë me të plagosurit. Është shumë interesant se si në ato kushte e kemi dhënë ndihmën e parë. Kemi pasur shumë pak raste të infektimit. Jodi na ka ndihmuar në atë situatë. I ndanim detyrat: dikush lidhte plagët, dikush tjetër griste çarçafët për t’i bërë fashot e të tjera…

 

 “Të gjithë të burgosurit kemi qenë të ndarë: një pjesë në pavijonin C dhe shumica më e madhe në pavijonin te Kuzhina. Serbët na thoshin që të dilnim me arsyen se donin të na dërgonin diku tjetër. Nuk e dinim a të shkojmë a jo. Në fund u vendos që të dilnim. Naiti na e tha një fjalë: ‘Vëllezër, ne po shkojmë drejt vdekjes, po ky gjak i yni do të sjell lirinë e Kosovës’. Filluam të përqafohemi në mes vete. Ishte përqafimi i fundit – drejt vdekjes”.

“Gardianët filluan të japin ujë dhe cigare. Mbas një ore erdhi një gardian dhe pyeti se kush di të japë ndihmën e parë. I mendova dy gjëra: po të çohesha do më vrisnin e, nëse jo, dikush tjetër do ishte në vend meje. Vendosa të ngrihem, duke e llogaritur dhe pushkatimin. Gardiani më tha të qëndroja aty ku isha, sepse kishte të plagosur të cilët kishin nevojë për ndihmën time. E pastruam vendin që ishte me xhama. Të plagosurit filluan të barten. Kishte shumë të plagosur të rinj”.  109 të plagosur kanë qenë të palëvizshëm. Mbi 300 të tjerë ishin të plagosur më lehtë. Ndërsa, të vdekur ishin rreth 120 persona. Të gjithë të mbijetuarit ishin të përgatitur dhe pajtuar me vdekjen. Por, këtë herë transferohen për në Burgun e Lipjanit.

Gjatë tërë natës jemi përkujdesur për të plagosurit, së bashku me Asllan Selimin, Isak Shabanin, Abaz Qerimi, Frashër Shabanin, Aqif Ilazin, Shefqet Kabashin dhe Dylber Bekën. Në mëngjesin e datës 24 maj, kanë ardhur shtatë autobusë. Aty hipën të burgosurit. Ndërsa, të plagosurit i transportuan me tre kamionë. Aty kam hipur unë, Asllan Selimi, Dylber Beka e Nait Hasani. Kur kemi arritur në Lipjan, ka qenë kordoni i gjatë i gardianëve. Të plagosurit i kemi bartur e sa herë kemi kaluar na kanë goditur. Minimum 20 herë e kemi kaluar atë kordon. Drejtori i atij burgu ishte prezent. Quhej, Luba Qimburoviq, i cili na vëzhgonte. Kur u nënshkrua Marrëveshja e Kumanovës, më 10 qershor 1999, Zogaj transferohet në Burgun e Nishit për të vazhduar edhe dy vjet burg, në burgjet e Serbisë…

 

Bislim Zogaj është drejtor i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës

Përveç detyrave të ndryshme zyrtare, veprimtari i njohur, i burgosuri politik, anëtari i Shtabit operativ të UÇK-së, i  mbijetuari i Masakrës së Dubravës,  tani është drejtor i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës, detyrë të cilën e kryen  me përkushtim të veçantë  dhe e do shumë.

Angazhimi i tij në evidentimin, mbrojtjen,  restaurimin e pllakave përkujtimore të dëshmorëve, lapidarëve, shtatoreve, komplekseve memorialë dhe objekteve me rëndësi veçmas për luftën e UÇK-së, edhe pse një detyrë e rëndë, me kërkesa të shumta  dhe pa buxhet të mjaftueshëm, bën që Bislim Zogaj të  përgjigjet në të gjitha sfidat që i parashtrohen. Ai me stafin e tij ka arritur t’i evidentojë të gjitha këto objekte fizike të përjetësisë së dëshmorëve e martirëve kudo në tërë territorin e vendit.

Pas një pune intensive në bashkëpunim me zyrtarët e komunave, me shoqatat e dala nga lufta dhe instanca të tjera organizative më në fund është evidentuar numri i përgjithshëm i këtyre objekteve që del të jetë rreth 1600, në tërë territorin e Kosovës.

Po ashtu  drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës, Bislim Zogaj ka folur edhe për Kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz, vonesat kalimi i kompetencave nga një institucion te tjetri dhe zvarritja e punimeve në restaurimin e këtij Kompleksi që kurorëzon luftën e UÇK-së dhe të Komandantit historik e legjendar, Adem Jashari.

“Edhe pse  puna në restaurim është vonuar kemi një shpresë se punimet do të kryhen me përgjegjësi dhe në nivel të lartë profesional, në mënyrë që Kompleksi Memorial, “Adem Jashari” në Prekaz të mbijetojë jo vetëm me dekada,  por me shekuj të tërë, si njëri ndër monumentet më të rëndësishme fizike të historisë shqiptare në përgjithësi, ka saktësuar mes tjerash në bisedën e tij në studion e TV-Diellit, drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës, Bislim Zogaj.

Bisedën me Bislim Zogajn e zhvilloi, Ahmet Qeriqi

Kontrolloni gjithashtu

Albert Zholi

-Albert Z. ZHOLI: Flasin për Ditën e Verës: Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka

Flasin Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka -Dita e Verës nuk …