Komuniteti i bizneseve në Kosovë do të protestojë të enjten, më 29 maj 2025, nga ora 10:00 deri në 12:00 në Prishtinë, për të shprehur pakënaqësinë ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji që obligon daljen e bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike. Oda Ekonomike e Kosovës ka paralajmëruar pasoja serioze për ekonominë e vendit, përfshirë rënie të prodhimit dhe humbje të vendeve të punës. Në një komunikatë për media, OEK thekson se, pas përpjekjeve për dialog me institucionet, nuk është siguruar një proces tranzicioni i drejtë dhe i menaxhueshëm. Mungesa e përgatitjes së tregut dhe mbështetjes institucionale po krijon pabarazi dhe po dëmton konkurrueshmërinë e bizneseve. Nëse nuk merren masa konkrete për të adresuar shqetësimet e bizneseve, OEK paralajmëron se protestat do të vazhdojnë. Oda i bën thirrje institucioneve që të krijojnë një fazë kalimtare për një integrim të qëndrueshëm dhe të drejtë në tregun e lirë të energjisë.
