Deputetja, Blerta Deliu, ka reaguar pas deklaratave të ministres së drejtësisë Albulena Haxhiu e cila ka thënë se Kosova për herë të parë do të ketë Ligj për identifikimin e krimeve të luftës. Blerta Deliu më këtë rast ka publikuar një vendim të vitit 2011, ku ishte themeluar një institut i tillë, si dhe emrat eminent që ishin pjesë e tij. Qenka lavdëruar ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, se Kosova për herë të parë do të ketë Institutin për hulumtimin dhe identifikimin e krimeve të luftës. E vërteta është që Kosova ka themeluar Institutin për hulumtim dhe identifikim të krimeve të luftës para 11-vjetësh, në kohën kur ministrinë e Drejtësisë e udhëhiqte Hajredin Kuçi. Në atë Institut kishte emra të respektuar si prof. Zejnullah Gruda, prof. Pajazit Nushi, prof. Ismet Salihu, prof. Fejaz Drançolli ishin anëtarë të këtij Instituti. Po ashtu, Instituti kishte edhe statutin e vet, por edhe pati grumbulluar dokumente dhe ishin bërë edhe publikimet e para, brenda dhe jashtë Kosovës, ka saktësuar, deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra.
