Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ndaj PDK-së dhe ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, duke e akuzuar Kurtin për qëndrim të vazhdueshëm kundër luftës çlirimtare dhe vlerave mbi të cilat është ndërtuar shteti i Kosovës. Sipas Deliu-Kodrës, Kurti nuk është në gjendje të bashkëpunojë me PDK-në, sepse frikësohet nga fuqia e saj dhe nga vlerat që ajo përfaqëson. “Albin Kurti e ka frikë vetëm Partinë Demokratike të Kosovës. E di se me PDK-në nuk mund të bashkëpunojë, sepse vetë ekzistenca e tij politike është ndërtuar mbi urrejtjen ndaj luftës çlirimtare, ndaj UÇK-së dhe ndaj themeluesve të shtetit të Kosovës,” ka shkruar ajo në një reagim publik. Deliu-Kodra thekson se çdo afrim me PDK-në do ta rrëzonte “mitin e rremë” mbi të cilin, sipas saj, Kurti ka ngritur karrierën e vet politike. “Kurti nuk mund të rrijë pranë PDK-së sepse nuk i duron vlerat që ne përfaqësojmë: lirinë, dinjitetin dhe shtetin. Ai është ndërtuar si anti-UÇK, si anti-shtet, dhe si anti-Kosovë,” përfundon reagimin e saj deputetja e PDK-së.
