Kriza institucionale në Kosovë po rrezikon drejtpërdrejt realizimin e disa projekteve strategjike që kapin vlerën e mbi 121 milionë eurove. Për shkak të ngrirjes së punës së Kuvendit deri më 31 mars, si rezultat i masës së përkohshme të Gjykatës Kushtetuese ndaj dekretit për shpërndarjen e Kuvendit, disa marrëveshje ndërkombëtare me rëndësi të madhe për zhvillimin ekonomik të vendit kanë mbetur pa u ratifikuar. Ndër marrëveshjet më të rëndësishme është ajo mes Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin e energjisë diellore fotovoltaike në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), në vlerë prej 33 milionë eurosh. Ky projekt konsiderohet jetik për diversifikimin e burimeve të energjisë dhe rritjen e kapaciteteve të prodhimit nga burime të ripërtëritshme. Përveç kësaj marrëveshjeje, në sirtarët e Kuvendit kanë mbetur edhe shtatë marrëveshje të tjera ndërkombëtare, përfshirë projekte për efiçiencë të energjisë në ndërtesa publike, trajtimin e ujërave të zeza në Podujevë, si dhe ndërtimin e rrugës Prishtinë–Mitrovicë me financim nga Fondi Saudit për Zhvillim. Njohësit e proceseve parlamentare paralajmërojnë se zvarritja e ratifikimit të këtyre marrëveshjeve nuk është vetëm çështje procedurale, por mund të ketë pasoja konkrete në zhvillimin ekonomik të vendit. Sipas tyre, çdo vonesë e tillë shtyn investimet publike dhe rrezikon të dobësojë besimin e partnerëve ndërkombëtarë ndaj kapaciteteve institucionale të Kosovës. Në anën tjetër, situata aktuale pasqyron një problem të përsëritur në sistemin politik të vendit: përplasjet politike që paralizojnë institucionet dhe e bëjnë zhvillimin ekonomik peng të krizave të brendshme. / ReL/
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
