Gati 100 shtete u ulën sot në një tavolinë të përbashkët në Hanoi, për të nënshkruar Konventën e Kombeve të Bashkuara kundër krimit kibernetik, një dokument që synon të frenojë krimin online që po rritet me shpejtësi marramendëse. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, lëshoi një paralajmërim të qartë gjatë ceremonisë: interneti është shndërruar në një fushë të pafund për kriminelët, të cilët po shfrytëzojnë teknologjinë me një shtrirje dhe ritëm që ligjet aktuale nuk po arrijnë t’i kapin. “Në hapësirën kibernetike, askush nuk është i sigurt derisa të gjithë të jenë të sigurt”, u shpreh Guterres. “Dobësia jonë kudo mund të ekspozojë njerëzit dhe institucionet kudo, prandaj na duhet një përgjigje e fortë kolektive globale.” Konventa e re do të synojë bashkëpunimin ndërkombëtar në hetimet dhe ndjekjen e krimeve digjitale, nga sulmet ndaj infrastrukturës kritike deri te mashtrimet online që prekin miliona njerëz çdo ditë. Nuk munguan as zërat kritikë. Organizata për të drejtat e njeriut dhe ekspertë të privatësisë paralajmërojnë se dokumenti mund të kthehet në armë për survejim masiv në duart e qeverive autoritare. Ata frikësohen se, nën petkun e luftës kundër krimit, mund të cenohet liria e shprehjes, të kontrollohet komunikimi elektronik dhe të zbehet mbrojtja e të dhënave personale. Ndërsa firmat po thahen mbi Konventë, betejat e reja që priten në gjykata, qeveri dhe rrjete kompjuterike tregojnë se fronti i sigurisë kibernetike vetëm po zgjerohet. Në hapësirën virtuale, vijat e kuqe shpesh janë më të vështira për t’u dalluar.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
