Brenda mundësive buxhetore do të vazhdojmë me rritjen e pensioneve edhe për kategoritë tjera

Qeveria e Kosovës në fillim të kësaj jave vendosi që me buxhetin e vitit 2019, të rrisë pensionet për disa kategori. Pensionet bazike, pensionet kontributdhënëse dhe ato të parakohshme të punëtorëve të Trepçës, janë ato që janë rritur me vendimin e fundit të ekzekutivit. Ndërsa, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica ka deklaruar se brenda mundësive buxhetore do të vazhdojnë me rritjen e pensioneve edhe për kategoritë e tjera përfituese të skemave sociale dhe pensionale në Kosovë. Numri i përgjithshëm i pensionistëve në Kosovë sillet rreth 170 mijë. 25 mijë janë shfrytëzues të pensionit të pleqërisë, ndërsa 45 mijë janë kontribut pagues. Por rritje të pensionit po kërkojnë edhe kategoritë e tjera përfituese të skemave sociale dhe pensionale në Kosovë. Përndryshe, në ligjin për buxhetin e këtij viti, kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së janë të vendosur te subvencionet dhe transferet. Në këtë pikë të ligjit thuhet se shpenzimet për subvencionet dhe transferet do të vazhdojnë ecurinë rritëse edhe gjatë vitit 2019. Rritja e shpenzimeve për këtë kategori vjen si rezultat i financimit për Ligjin mbi Veteranët e Luftës, mbulimit të kostos së ndryshimit në ligjin e pensioneve, dhe rritjes së përfituesve në skemat tjera. Kategoria e shpenzimeve ‘subvencione dhe transfere’ gjatë vitit 2019 pritet të arrijë vlerën prej 609 milionë euro. Në raport me vlerën e buxhetuar për vitin 2018, shpenzimet e planifikuara për këtë kategori pritet të jenë më të larta për 15.9%, ndërsa në vitet vijuese 2020 dhe 2021 nuk presim një rritje të ndjeshme por vetëm rregullime brenda kësaj kategorie.

Kontrolloni gjithashtu

Drejtoria Komunale e Arsimit në Deçan ka filluar me procesin e hartimit të Planit Zhvillimor Komunal të Arsmit 2024 – 2027

Drejtoria Komunale e Arsimit në Deçan ka filluar me procesin e hartimit të Planit Zhvillimor …