Sali Berisha

Viktor Malaj: Destabilizimin e jetës shoqërore në Shqipëri, prej vitit 1997 e bën Sali Berisha, tani me Lulzim Bashën në krye

Për shumë njerëz, brenda dhe jashtë Shqipërisë, akti më i fundit i opozitës shqiptare, heqja dorë kolektivisht, në tufë, nga mandatet e dhënë prej zgjedhësve të tyre ishte një befasi. Mirëpo, për të gjithë ata që e njohin realitetin shqiptar dhe që kujtesa historike i ndihmon të sjellin ndërmend moralin, karakterin dhe sjelljet e shumicës së kësaj opozite gjatë 30 vjetëve, akti nuk është i beftë, por thjesht një provë më shumë për bindjen e kahershme se ata nuk përfaqësojnë kurrfarë idealesh e idesh, se ndjenjat e përgjegjësisë personale dhe kombëtare janë të huaja për ta. Akti i tyre më i fundit është arma me të cilën ata besojnë se do të vrasin kundërshtarët politikë dhe kështu do të sigurojnë mbijetesën e tyre politike dhe shpëtimin e vet nga ndëshkimet për çfarë kanë bërë pamëshirshëm qyshkur janë shfaqur në skenën politike shqiptare.

Figurat kryesore politike të opozitës i kishin provuar deri tani të gjitha mjetet që besonin se iu siguronin suksesin për dominim të përhershëm politik dhe ekonomik: mashtrimin, spekulimin, vjedhjet dhe blerjen e votave, falsifikimet dhe dhunimet e zgjedhjeve, vjedhjet e pasurisë kombëtare, rrahjet, burgosjet dhe vrasjet e kundërshtarëve politikë, përdorimin e ushtrisë kundër popullit të revoltuar ndaj tyre, nxitjen e dasive dhe konflikteve fetare e krahinore, marrjen e pushtetit me dhunë dhe zbythjen nga presioni ndërkombëtar, dhunën verbale dhe fizike në Parlament dhe braktisjen e tij me muaj të tërë etj.,etj. Këto mjete e metoda herë iu kishin dhënë rezultate të përkohshme dhe herë të tjera u ishin kthyer si bumerang.

Duke qenë se kurrë nuk ishin pajtuar me humbjen e pushtetit, kurrë nuk kishin pranuar ekzistencën e ndonjë faji apo gabimi të vet e, kurrsesi, të ndonjë prej krimeve të kryera, gjithnjë besonin dhe besojnë se Shqipëria duhet të jetë çifligu i sundimit të tyre të përjetshëm. Kur filluan të binden se shumica dërmuese e shqiptarëve as i ka besuar ndonjëherë dhe, për dreq, as ka ndërmend t’i besojë, filluan të dëshpërohen dhe, në vend që të ndryshojnë veten iu vunë punës t’i imponohen shumicës popullore me mjete e rrugë antidemokratike, por gjithnjë të shpallura si “armë legjitime” që po i përdorin engjëllorët për të shpëtuar demokracinë.

Ata që i kanë ndjekur me vëmendje sjelljet dhe veprimet e tyre gjatë përpjekjeve për krijimin dhe miratimin e legjislacionit të Reformës në Drejtësi, sjellje dhe veprime kryesisht vonuese dhe penguese, e kanë pasur të qartë se rezistenca dhe sjelljet e tyre do të intensifikoheshin dhe bëheshin gjithnjë e më regresive sa më shumë do të afrohej dita e zbatimit të këtij legjislacioni. Ata e dinë mirë të shkuarën e vet, mëkatet dhe krimet që kanë kryer dhe po kaq mirë e dinë se e vetmja mundësi, ndonëse jo e plotë, për t’i shpëtuar ndëshkimit për veprat e tyre të pahijshme dhe të paligjshme është qenia në pushtet me çdo mjet për t’iu imponuar zbatimit të Reformës së Drejtësisë me përzgjedhje, duke përjashtuar vetveten, ashtu siç janë mësuar të bëjnë përpara fillimit të Reformës.

Meqenëse e dinë mirëfilli se rikthimin në pushtet me mjete dhe rrugë demokratike e kanë shumë më të vonë se koha e zbatimit të Reformës në Drejtësi, iu duhej një pretekst politik për të “përligjur”, siç thotë Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, “një përpjekje për të tronditur themelet e demokracisë përmes dhunës, që të ndryshohet procesi demokratik përmes presionit antidemokratik”. Për këtë kanë punuar ethshëm, sidomos këta gjashtë muajt e fundit, duke bërë çmos të paraqesin Qeverinë si çerdhe krimi, jolegjitime etj., dhe të shpallin aksionin për rrëzimin e saj të parakohshëm. Këtë synojnë me veprimin ekstrem të dorëzimit të mandateve parlamentarë. Janë shpresëhumbur se mund të vijnë në pushtet me votë, por janë shpresëshumë se duke dorëzuar mandatet do të imponojnë marrjen e pushtetit në tavolinë, siç edhe e pranoi së fundi një deputet opozitar i njohur gjerësisht si hajdut në qytetin e tij. Ata besojnë se do të mund të përsërisin skenarin e viteve 1991-1992, prandaj kërkojnë me këmbëngulje të paktën një arkivol. Halli që kanë me drejtësinë u ka zënë sytë dhe nuk i lë të vlerësojnë se rrethanat e brendshme dhe ato të jashtme janë krejt të ndryshme, se figura e tyre në popull dhe përballë kancelarive perëndimore është thellësisht e diskredituar.

Mendoj se nuk ka njeri të përgjegjshëm sot në Shqipëri që nuk beson se na nevojitet një qeveri më e denjë dhe një Kryeministër më i vlefshëm, por vetëm mendjet e çoroditura, mendjet e turbulluara nga frika e pasionet dhe të ekzaltuara nga etja për përfitime materiale mund të pranojnë dhe kërkojnë që Edi Rama meriton të zëvendësohet nga ata që u nisën për ta vrarë dikur si publicist dhe që e kërcënuan për ta vrarë më vonë si kryetar opozite dhe që vazhdojnë të shprehen sot se ai meriton plumbin si kryetar qeverie por… ah, ç’t’i bësh! “interesit kombëtar”, siç pretendon Sali Berisha i cili në vitin 1997 i thoshte publicistit amerikan Peter Lukas se “Pas meje u bëftë kiameti!”. Duhet të mos kesh respekt as për veten dhe as për të vërtetën që të pohosh se Rama përqeshës meriton të zëvendësohet nga kundërshtarët politikë vrasës; se Rama i dyshuar për ndonjë tender korruptiv të pazbatuar duhet të zëvendësohet me një Bashë që i është provuar korrupsioni i 235 milionë eurove vetëm në një investim; se i dashuruari pas oligarkëve me emrin Edi Rama duhet zëvendësuar me themeluesit e oligarkisë; se “blerësi” i hamendësuar i votave duhet zëvendësuar me manipuluesit, blerësit dhe dhunuesit shumë herë të provuar të proceseve zgjedhore; se “diktatori” Rama që bëri “krim” duke “hequr kordonin e policisë” për të kaluar protestuesit e dhunshëm duhet zëvendësuar me “demokratin” Lulzim Basha që iu mori jetën protestuesve paqësorë në vitin 2011.

Edhe sikur gjithë sa pretendon opozita të ishin të vërteta, ata nuk janë assesi alternativa për të qeverisur vendin. Aq më pak mund të pranohet që me pretekste, sajesa dhe trillime të tentohet përmbysja e qeverisë dhe, siç thotë Deklarata e OSBE-së, përparimi i vendit “të përmbyset në dobi të një grushti dhunuesish”. Si mund të biesh dakord të pengohet dhe të vonohet integrimi evropian i Shqipërisë vetëm e vetëm për të zëvendësuar Edi Ramën me Lulzim Bashën, një mishërim i përsosur i hipokrizisë, mashtrimit, paaftësisë dhe mungesës së çdo parimi, një klonim artificial i berishizmit?

Legjitimiteti i Qeverisë dhe vlera e Kryeministrit nuk mund të maten me peshoren e çekuilibruar nga boshllëku mendor dhe ndikimi fatkeq i alkoolit të z. Dashamir Shehi, ish – ministër dhe zv.kryeministër në kohën e lulëzimit të kioskave dhe mbirjes së firmave piramidale, në kohën e dhunimit të procesit zgjedhor 1996 dhe të rrahjes së deputetëve kundërshtarë në Sheshin ” Skënderbej “, në kohën e kontrabandës shtetërore të naftës me Jugosllavinë dhe burgosjes së kryetarit të opozitës, në kohën e zaptimit të pronave nga ardhacakët dhe ndërtimet e atykëtushme pa leje etj.. Në botën e qytetëruar gaztorët e suksesshëm nuk merren për bazë kur flasin për probleme madhore dhe serioze si shteti, drejtësia dhe demokracia.

Kaq e madhe është mendjelehtësia e Lulzimit dhe kaq alarmante është pafytyrësia e shfaqur saqë arrin deri aty sa aktin e cilësuar nga të gjitha kancelaritë perëndimore si “akte kundërproduktive që shkojnë kundër përpjekjeve të vendit për zbatimin e reformave të kërkuara nga BE” (KE) ky zotëri marionetë e njofton duke thënë: “Kam nderin dhe privilegjin t’ju bëj të ditur vendimin unanim të Këshillit Kombëtar të PD-së për djegien e mandateve parlamentare me efekt të menjëhershëm”. Në fakt, si bir politik dhe trashëgues i Berishës, ky është nderi i tij dhe bandës që e rrethon, ky është privilegji i tij që përbën në të njëjtën kohë edhe një grusht kundër interesave kombëtare dhe demokratike të popullit shqiptar. Ne kemi qenë dëshmitarë të skenave kur ky dhe një grusht banditësh rreth tij zgërdhiheshin 20 metër larg vendit ku llumi i ftuar prej tyre thyente dyert e godinës qeveritare. Dhe po ashtu, ky dhe një grusht drejtuesish pa dinjitet të partive satelite ngërdhesheshin shëmtueshëm si palaço tek sa njoftonin vendimin e tyre të dorëzimit të mandateve parlamentare në përpjekje “për të ardhur në pushtet në rrugën më të shkurtër” (nga deklarata e Misionit të OSBE-së). Ishin ata që kanë qenë dhe do të jenë gjithnjë, qenie pa dinjitet njerëzor dhe pa vlera intelektuale, disa derra të kënaqur që s’kanë lënë gardh “kopshti” pa prishur për hir të plëndësit të tyre të pangopur, për t’i pasur xhepat përherë të fryrë. Këta makutër janë autorët kryesor të Rrumpallës së krijuar pas 1990 dhe mëkatarët dhe autorët më të spikatur të “krimeve të tmerrshme të pas 1990 që i kanë shpëtuar drejtësisë pa pushim” (Donald Lu).

Nga Çadra e Turpit në 2017 mashtronte shqiptarët duke iu thënë se “kemi mbështetjen e gjithë Perëndimit” derisa doli z. Eduard Selami dhe i tha se “Ti, vetëm dje kishe dy deklarata kundër nga kancelaritë perëndimore “. Ndërsa sot Lulzim Basha mashtron shqiptarët, duke iu thënë se “djegia e mandateve është lëvizje pro-integrimit”. Po të kishte sadopak ndjenja atdhetare dhe përgjegjësi qytetare e politike, zotëria që zgërdhihet edhe në mort për t’u dukur çfarë nuk është, do të duhej të priste edhe, të paktën gjashtë muaj dhe pastaj të hidhej në sulmin e turpit. Nuk është rastësi që ata krijojnë kaos politik disa herë rresht në prag zgjedhjesh dhe përpara se afrohet data e negociatave me BE-në. Njeriu që është bërë me dëshirë kryetar i një partie që iu ka dhunuar shqiptarëve disa herë liritë dhe të drejtën e votës; njeriu që iu ka zhdukur shqiptarëve qindra milionë euro në afera korruptive; njeriu që ka vrarë protestues të pafajshëm dhe ka fshehur provat i citon tani Ambasadës Amerikane ish-Presidentin A. Linkoln: “për qeverinë e popullit, nga populli, për popullin…”. O tempora! O Mores!

Destabilizimin e jetës shoqërore dhe politike nëpërmjet dhunës dhe artificeve politike e kanë iniciuar dhe iu intereson më së pari një grushti njerëzish thellësisht të inkriminuar, me Sali Berishën dhe Lulzim Bashën në krye. Përveç figurinave politike që kanë mbledhur rreth vetes, atyre iu vijnë në ndihmë edhe një grusht njerëzish të medias, qëndrimet e të cilëve nuk shpjegohen me kurrfarë parimesh morale as demokratike, por thjesht nga pasionet dhe inatet ndaj Kryeministrit aktual, nga mospërmbushja e disa interesave vetjake që aty-këtu pështjellohen  edhe me mendësitë fisnore, krahinore dhe klanore. Ata bredhin nga një studio televizive tek tjetra, nga njëra gazetë tek tjetra për të na bindur se ndodhemi përballë një diktature, ilegjitimitetin e të cilës (qeverisë) si shtypëse e lirisë së qytetarëve vetëm ata e shohin. Madje, nuk mjaftohen me kaq por bëjnë thirrje për dhunë në mënyrë të përsëritur, duke e konsideruar dhunën “mesazh simbolik” (F. Lubonja), “më mirë të mbajmë demokracinë me dhunë se sa diktaturën me heshtje” (M.Marku), “ligji mund të mos përfillet kur është fjala për të kufizuar pushtetarët” (A. Bushati). Një tjetër analist folklorist, që deri dje na thoshte se Lulzim Basha s’i duhet dreqit një lek, tani, jo vetëm pohon se “Basha don dhe mund të bëhet një kryeministër normal”, por arrin deri atje ku s’ia pret mendjes së shëndoshë: “Le t’ia njohim (Bashës) meritën që po ndërmerr aktin më të guximshëm dhe më të dobishëm nga pikëpamja shoqërore në politikën shqiptare në këto 28 vjet”. Talljen që iu bën Edi Rama kundërshtarëve politikë e konsiderojnë si akt diktatorial kur, në të vërtetë, vënia në lojë e atyre që duhej të ishin në burg, është privilegj për ta dhe dëm për popullin që ka vuajtur dhe vuan pasojat e krimeve të tyre. Çuditem se si ua lejon intelekti të gjithë Mark Markëve që shpotinë, ironinë dhe sarkazmën e sotme i quajnë sjellje diktatoriale ndërsa rrahjet, burgimet dhe vrasjet e djeshme të regjimeve berishiste ose i patën kaluar në heshtje ose u përpoqën t’i justifikojnë. Për shkak të pasioneve të tyre, këta njerëz të medias po bëhen, me ose pa dashje, amnistues të krimeve, lavdërues të banalitetit, adhurues të dhunës dhe përçmues të intelektit, sponsorizues të riciklimit të një të keqeje të stërpërsëritur.

Vlerat e opozitës së sotme simbolizohen nga fjalori banal dhe kriminal i Sali Berishës, nga çizmja e Kryemadhit dhe boja e Palokës, nga dhuna e Ndokës në Parlament dhe komisariatet e policisë, nga mendjelehtësia, karshillëku dhe ekstremizmi i zonjës Doda që premtonte varjen e kundërshtarëve politikë në palma, nga budallallëku dhe boshllëku mendor i Balliut, Strazimirit, Salianjit apo Vasilit; nga paturpësia, agresiviteti dhe mendjelehtësia e një deputeteje të re pa diplomë të shkollës së lartë, të cilës në Perëndim nuk i lejohet as blerja e alkoolit ndërsa në Shqipëri kërcënon Ministrin e Brendshëm që ka moshën e babait të saj, duke i thënë: “do të nxjerrim me dhunë nga zyra”; nga morali dhe sjellja e nënkryetares torollake të bashkisë Lezhë që mbledh nja dhjetë halabakë katundesh dhe tenton t’i bllokojë rrugën Kryeministrit etj. Kjo shportë karavidhesh me politikanë tragjikomikë, por të dëmshëm, i është futur rrugës së kaosit kombëtar.

Dhe tani, disa fjalë për diplomatët e huaj.

Është fakt i pamohueshëm se bashkësia ndërkombëtare i ka dhënë një ndihmë të konsiderueshme popullit shqiptar në fushat ekonomike, politike dhe juridike. Prapambetja jonë, përveç shkaqeve historike, është padyshim rrjedhojë e mendësive dhe papjekurisë tonë si shoqëri. Por, për hir të së vërtetës, duhet pohuar se në mjaft raste diplomacia perëndimore ka luajtur një rol negativ në shënjestrimin, demaskimin dhe dënimin e së keqes dhe shkaktarëve kryesor të saj. Mbështetja që vazhduan t’i japin Sali Berishës edhe pas krimeve të 1996-1997 dhe ndërhyrjet e dëmshme gjermano-franceze për mosndëshkimin e tij pas krimit të 14 shtatorit 1998 janë njëri nga faktorët e gjendjes aktuale. Duke u përpjekur t’i shërbejnë stabilitetit në kurriz të demokracisë ata mundësuan humbjen e të dyjave. Është e vërtetë se Sali Berisha nuk është fajtori i vetëm i pastabilitetit dhe ngadalësisë tonë, por berishizmi përbën sëmundjen më të dëmshme politike, morale dhe antidemokratike të periudhës pasdiktatoriale.

Duke e shpëtuar atë nga ndëshkimet për krimet e kryer i mundësuan mbijetesën politike, çka krijoi klimën dhe, hap pas hapi, gjendjen e mosndëshkimit për Saliun dhe, për rrjedhojë, për të gjithë politikanët majtas dhe djathtas. Të gjithëve u doli frika për fajet dhe krimet që kryenin. Ndërrimi i pushteteve nuk kishte asnjë efekt për ish-pushtetarët shkelës të ligjeve. Deklaratat dykuptimëshe të tipit, “Iu bëjmë thirrje të gjitha palëve ….etj. etj.” kanë mundësuar relativizmin e së keqes dhe mos individualizimin e fajtorit. Sikur të ishte dënuar Berisha për krimet e kryera dhe, rrjedhimisht, të zhvlerësohej berishizmi si moral dhe sjellje vulgare, anakronike, kriminale dhe antidemokratike, atëherë do të kishim pasur një PD më të shëndoshë dhe ky fakt do të impononte edhe ngritjen e nivelit moral dhe politik edhe të palës kundërshtare.

Ka ardhur koha që gjërat të thuhen pa dorashka dhe banditët politikë, djathtas apo majtas të stigmatizohen dhe t’i bëhet e qartë popullit shqiptar kush e ka penguar dhe e pengon në rrugën e tij të natyrshme drejt Evropës së Bashkuar. Kërkesat lutëse që iu bëhen sot deputetëve pa personalitet të opozitës janë shpenzim i kotë. Këta janë ata që kanë qenë gjithmonë, fatkeqësisht disa zero që kur vihen pas njëshit besojnë se marrin vlera dhe frymëzojnë njëshat sharlatanë në aventurat e tyre të dëmshme. Është po ai moral dhe po ai detashment njerëzish të papërgjegjshëm që kanë duartrokitur, përkrahur e brohoritur një njeri si Sali Berisha në të gjitha aktet dhe aventurat e tij kriminale, që kanë miratuar veprimet e tij banditeske në 1996-1998 dhe që, ashtu si sot, me unanimitet e patën rizgjedhur President të vendit në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme kur vendi digjej dhe njerëzit vriteshin në një kaos të shkaktuar prej tij. Shumica e tyre janë njerëz të depersonalizuar, prandaj mos i bëni thirrje ndërgjegjes së tyre sepse ajo u mungon, mos i besoni moralit të tyre sepse ai mban erë të rëndë qysh larg, mos iu përmendni parimet dhe interesat e Shqipërisë sepse do ju përqeshin pas krahëve. Vetëm kërcënojini me ato për të cilat i kanë hyrë politikës dhe për të cilat po sakrifikojnë ardhmërinë kombëtare, pra me interesat vetjake, ashtu si në 2016 dhe kemi për t’i parë si do të tërhiqen si minj të spërdhuar. Unë besoj fort se ka ardhur koha t’i jepet fund aventurës berishiste, madje e konsideroj aktin e tyre më të fundit si një rast të artë për të kryer operacionin e domosdoshëm politik në Shqipëri. Tridhjetë vjet janë tepër për cilindo popull që të mbetet peng i sharlatanizmit dhe banditizmit politik të një individi me të gjithë parametrat kriminalë. Ndëshkimi i tij dhe një grushti individësh që kanë kryer krime do të mundësonte, ndoshta, shkëputjen e PD-së nga trashëgimia e turpshme berishiste, rinovimin e saj apo edhe krijimin e partive të tjera djathtas e majtas dhe, në këtë mënyrë edhe largimin në vitin 2021 të Kryeministrit aktual nëpërmjet procesit votues dhe jo kaosit pengues. Kërcënimet dhe tentativat për destabilitet do të vijnë duke u shuar sapo nxitësit e dhunës dhe kaosit të provojnë ftohtësinë e prangave dhe vetminë e qelisë.

Nëse bashkësia ndërkombëtare do të vazhdojë me politikën “tërhiq e mos këput”, duke e lejuar berishizmin të jetë faktor politik, atëherë është e sigurt se as e sotmja dhe as e ardhmja e shqiptarëve nuk do të jenë optimiste. Dhe, njëkohësisht, prestigji perëndimor do të pësojë rënie deri në atë shkallë sa gjithçka është bërë do të shkojë dëm, duke i vlerësuar propagandën dhe përpjekjet e dështuara si “Përralla Diplomatike Perëndimore”. (Dita)

Kontrolloni gjithashtu

Fronti Europian: Fitorja më e madhe në histori na pret më 24 prill

Sot në Tetovë, kryetari i BDI-së Ali Ahmeti bashkë me kryetarin e PDSH Menduh Thaçi, …