Ram Geci është ndër ata biznesmenë që krijojnë punë, mirëqenie, ushqejnë familje, sjellin të ardhura nga taksat, marrin pjesë në projekte të rëndësishme, duke kontribuar në zhvillimin e vendit. Është një njeri i nderuar dhe i respektuar. Kompaninë e tij “Geci sh.p.k.”e ka krijuar dhe e mban puna, nuk e ka krijuar krimi dhe nuk e mban ai. Ç’lidhje ka ai me krimin që e ka ngritur Intercontinentalin 33 katësh?! Vetëm nga ky projekt që në themel shteti shqiptar ka marrë 14 milionë euro taksa.
Kryeqyteti shqiptar do t’u ofrojë turistëve një brand të ri hotelerie Intercontinental Hotel, pjesë e të cilit është vepra që përmendëm më sipër. Një kompani globale, me të cilën ka marrëveshje Ram Geci, me shtrirje në mbi 100 vende të botës vjen edhe në vendin tonë. Intercontinental Hotel ka mbi 6000 hotele në funksion, mbi 900 mijë dhoma dhe mbi 1900 hotele të tjera që priten të hapen së shpejti. Kjo kompani ka të ardhura vjetore prej 3 miliardë dollarë në vit.
Është i pakuptimtë sulmi i opozitës shqiptare ndaj Ram Gecit e biznesmenëve të tjerë. Aq më tepër kërcënimi se “kur opozita të vijë në pushtet do t’i konfiskojë pronat e tyre, se janë para të pista, pastrim parash”. Leja e dhënë, më 18 mars 2019 për 33 katëshin e Ram Gecit me destinacion Hotel me pesë yje për brandin ndërkombëtar “Intercontinental” është zbatuar pikë për pikë. Shpifjet dashakeqëse se “janë ndërtuar kate pa leje”, se “trotuari publik është zaptuar prej 6 vitesh nga kulla e oligarkut, por IMT nuk e sheh” – janë sulme me karakter “Gjobëvënie”.
Deklarata të tilla krijojnë ndjesinë e Dhunimit, Shantazhit, Grabitjes të pronës së ndershme. Asnjë centimetër katror nuk është ndërtuar pa leje, asnjë shkelje nuk ka në shfrytëzimin e hapësirës që i takon për ndërtimin e tij. Përballë këtyre, Ram Geci nuk frikësohet e nuk dekurajohet. Vazhdon të punojë e të ndërtojë për të rritur të ardhurat e kompanisë së tij e për t’i shërbyer më mirë komunitetit. Për vitin 2025, kompania e ndërtimit “Geci sh.p.k.” raportoi një fitim neto prej mbi 300 milionë lekë, ndërsa të ardhurat totale të shfrytëzimit arritën në rreth 2.5 miliardë lekë. Këto shifra përfshijnë veprimtarinë e saj në fushën e infrastrukturës dhe të ndërtimeve.
- Humbja e kohës, në mënyrë që koha të jetë e përsosur është justifikimi më i keq. Nuk ka kohë të përsosur, koha më e mirë është tani
“Koha është flori” – thotë populli. Të gjesh momentin e kohën e duhur për projektin tënd është aftësi, mençuri dhe guxim. Guximi është mungesa e frikës, është të ndërmarrësh veprime, pavarësisht frikës, të bësh atë që dëshiron të bësh gjithsesi. Këtë pati parasysh kur vendosi të ndërtojë Intercontinental Hotel. Kur nënshkroi marrëveshjen ai deklaroi: “Presim dhe shpresojmë se do të na vijnë rezultate dhe do të jetë një risi për Tiranën ky brand i ri që po vjen”.
Është pranuar se kur gjërrat që ke dashur t’i bësh gjithmonë i bën tani, të sjellin sukses.
Turizmi shqiptar po njeh një rritje të qendrueshme cilësore, duke u bërë kështu një nga sektorët më të rëndësishëm e në rritje të ekonomisë shqiptare, një nga motorët kryesorë të rritjes kombëtare. Ky sektor ka gjeneruar zhvillim ekonomik, punësim dhe mundësi të vetëpunësimit. Të huajt po shprehin interes për turizmin bregdetar, malor, liqenor, historik dhe kulturor. Tirana, ku po investon Ram Geci për vetë pozicionin që ka, afër plazheve dhe zonave turistike malore, për vlerat e saj historike dhe kulturore, për popullsinë që ka – thith çdo ditë me mijëra turistë. Është koha të investosh, të mos presësh. Hotelet e tij ndodhen pranë pikave më atraktive historike e kulturore të qytetit si: Muzeu Kombëtar, Teatri i Operas dhe Baletit, Kalaja e Tiranës, Galeria e Arteve, institucionet kryesore si Ministritë, Banka e Shqipërisë, Bashkia e Tiranës dhe Parlamenti. Është vetëm disa minuta larg të gjitha linjave urbane dhe 20 minuta larg Aeroportit “Nënë Tereza”.
Ram Geci është i hapur, i sinqertë, transparent, i prerë dhe i palëkundur në vendimet dhe marrëdhëniet me stafin e tij, me institucionet shtetërore dhe me firmat e tjera, me të cilat e lidh puna. Thotë po kur duhet, thotë jo kur e kërkon puna. Kjo është mënyra e vetme për të rifituar kontrollin e kohës.
Janë tre lloje njerëzish që na rrethojnë:
- Në të parin janë ata njerëz, të cilët nuk bëjnë asgjë, janë dembelë, presin thjesht t’iu vijë diçka e mirë nga të tjerët.
- Në të dytin janë ata njerëz, që fillojnë diçka, por sapo gjërat vështirësohen dorëzohen dhe më pas pendohen, përse hoqën dorë.
- Në të tretin janë ata njerëz, që punojnë shumë, nuk dorëzohen pavarësisht vështirësive, por vazhdojnë të ecin përpara. Në këtë kategori bën pjesë biznesmeni, Ram Geci.
- Përqendrimi dhe këmbëngulja – elementë të rëndësishëm të suksesit
Përqendrimi është element i rëndësishëm i suksesit, aq më tepër përqendrimi i plotë dhe për gjërat më të rëndësishme. E gjithë vëmendja e biznesmenit Ram Geci është përqendruar tek Intercontinental Hotel. Përfundimi i tij, vendosja në punë 100% rrit reputacionin e tij dhe sjell shumë të ardhura. Ai nuk iu ik punëve të vështira. Këto të lodhin, të mërzisin kur ngec për shumë e shumë arsye, por të gëzojnë kur i përfundon. Përqendrimi është i lidhur edhe me objektivat dhe qëllimet. I ka përcaktuar drejt sipas prioritetit qëllimet dhe objektivat. Kështu ai mendon e punon për të ardhmen, por merr përsipër edhe rreziqet: konkurencën e pandershme, mungesën e specialistëve vendas për punë të veçanta, mungesën e përvojës nga stafi drejtues për ndërtime të një cilësie të lartë, për shërbime që aplikohen për herë të parë etj. Pra sekreti i suksesit është të mbash lart ritmin e përditshëm. Kjo na ndihmon të përqendrohemi tërësisht, të jemi të palëkundur në përmbushjen e detyrave në kohë e me cilësi dhe të jemi më afër qëllimeve. Ambicioz dhe vizionar, Ram Geci me vendosmëri po realizon planin e tij për zgjerim “New Hotel Tirana Intercontinental”, po investon në sektorin e turizmit në Shqipëri me një vlerë rreth 65 milionë euro. Një Hotel i standardit me 5 yje superior dhe me Qendrën e Konferencave më të madhe në Ballkan, me 21 salla mbledhjesh. Ka 500 dhoma hoteli, sallën më të madhe në Shqipëri me 1100 vende, Pishina të Brendshme, Dhoma Masazhi, Palestra, Dhoma Superiore, Suita Presidenciale, Restorant Panoramik në ndërtesën më të lartë në Tiranë, në katin e fundit.
Ram Geci udhëhiqet nga aksioma e njohur në sipërmarrje: “Asnjëherë mos u shqetësoni për ato që nuk mund t’i kontrolloni dhe nëse mund t’i kontrolloni, veproni menjëherë”.
- Zona e rehatisë është armiku i suksesit, një zonë rehatie është një vend i bukur, por asgjë nuk rritet atje
Zona e rehatisë të dembelos. Është më lehtë të zvarritesh se sa të punosh shumë. Arsyeja, pse Ram Geci zgjohet shpejt çdo ditë dhe punon fort është e lidhur me realizimin e qëllimit dhe objektivave ditore. Kur kemi një qëllim, nuk ndihemi dembelë dhe të pamotivuar. Bëjë atë që të pëlqen, atë që di ta bësh mirë dhe do të kesh sukses. Qëllimet dhe objektivat e mëdha nuk duhen parë si diçka më vete. Duhet t’i ndajmë në qëllime dhe objektiva vogla, t’i trajtojmë secilin një nga një. Kështu e shfrytëzon më mirë kohën, bën organizimin e vogël të punës, korrigjohesh, bën më të mirën e mundshme dhe pret me durim rezultatet dhe frytet e punës. Dembelët frikësohen nga gjërat e thjeshta. Gjëja më e vështirë është të fillosh. Këtu ngecin shumica e njerëzve. Ata nuk fillojnë kurrë, vazhdojnë të presin dhe nxjerrin justifikime. Ram Geci nuk bën pjesë në këtë kategori njerëzish. Është aksioma tjetër e njohur në sipërmarrje, nga e cila orientohet: “Trego durim dhe këmbëngulje kur gjërat vështirësohen”. Çdokush has vështirësi kur fillon të bëjë atë që dëshiron. Të mos trembemi e të mos tërhiqemi nga dështimet. Ato janë pjesë e biznesit, por duhet të jenë të përkohëshme. Çdo ditë për Ram Gecin është e rëndësishme, duke reflektuar e analizuar veprimet dhe vendimet e tij, nëse po bën gjërat e duhura e si duhet t’i përmirësojë ato. Nëse i zvarritni punët humbisni edhe besimin e njerëzve. Mençuria është të dish çfarë do të bësh më pas. Aftësia është të dish se si ta bësh.
Një sipërmarrës ka nevojë për ekspertë, për këshilla të dobishme, për të ndërtuar një rreth shoqëror që sjell ndryshime në mendim, në organizim, në komunikim, në vizion. Teoria e komunikimit na mëson se kur merrni këshilla nga njerëz të zemëruar, do të zemëroheni edhe ju. Kur merrni këshilla nga njerëz të pakënaqur, do të bëheni edhe ju të pakënaqur. Kur merrni këshilla nga njerëz të sëmurë, do të bëheni një person i pashëndetshëm. Pra është e domosdoshme të rrethohesh nga njerëzit e duhur. Dështimi edhe në politikë, edhe në biznes ka të bëjë edhe me njerëzit me të cilët punon, të rrethojnë e ju beson. Po ndenjte me njerëz të pistë, bëhesh edhe vetë pis. Ram Geci po qendron larg tyre.
Sipas Edgar Moren, sociolog dhe filozof “e keqja nuk është nga moskomunikimi, sesa nga moskuptimi i njerëzve me njëri-tjetrin”. Detyra e procesit të formimit lidhet me atë: A ofron mirëkuptim njerëzor, i cili kërkon hapje ndaj të tjerëve. Ram Geci është i hapur ndaj gjithë elementëve që lidhen me biznesin e tij: me stafin, punonjësit, administratën shtetërore, me privatët vendas e të huaj.
Epilogu
Asnjë arritje dhe sukses në kompaninë e Ram Gecit nuk është rastësore. Pas tyre është një njeri që ngrihet herët në mëngjes, punon fort, me guxim, këmbëngulje dhe vullnet. Planifikon kohën në mënyrë racionale, bën organizimin e punës në çdo detaj dhe bilancin ditor. Nuk është ashtu, siç thuhet nga mediat dashakeqëse se mori lekë “nga tendera me porosi dhe transaksione të dyshimta”. Ka një xhelozi të pashpjegueshme dhe dëmprurëse për zhvillimin e vendit ndaj njerëzve që punojnë dhe arrijnë suksese. Mediokriteti është pjesë e saj dhe te ne nuk ndodhet rastësisht. Mediokrit nuk kanë motivim dhe energji, duan që edhe të tjerët të mos kenë, i urrejnë ata që punojnë. Në jetën e njeriut puna zë vendin kryesor. E vetmja mënyrë për të bërë punë të mëdha është të duash atë që bën, ashtu siç po demonstron Ram Geci. Asnjë person që nuk bën gjërat që dëshiron nuk mund të jetë i lumtur. Ram Geci i qendron besnik punës së tij, beson në veten e tij. Vetbesimi të nxit, të inkurajon, të frymëzon, të mobilizon dhe të shumfishon forcat. Egoja, aq më tepër e një sipërmarrësi jeton përmes krahasimit, nuk është e kënaqur kurrë, dëshiron gjithmonë më shumë. Edhe Ram Geci ka ambicie t’i çojë më tej punët e nisura.
Tragjedia në jetë nuk qendron në mosarritjen e qëllimit, tragjedia është të mos kesh një qëllim për ta arritur. Ram Geci i ka përcaktuar me kohë objektivat dhe qëllimet e tij. Punon papushim për t’i realizuar ato. Çelësi i suksesit të tij është: Çdo ditë, çdo orë dhe çdo çast është i rëndësishëm për të realizuar punë të mëdha për veten e në dobi të komunitetit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
