Vaso Pasha: Shqyptarë me vëllezër jeni tuj u vra, ndër një qind çeta jeni shpërnda!

Bujar M. Hoxha: Një botim anastatik i veprës manifest të Pashko Vasës, një kujtesë për osmanofobët

Ndër gjërat të cilat nuk ndryshuan dhe me kryeneçësi nuk duan të ndryshojnë pas rënies së regjimit komunist në vend është pa dyshim qasja ndaj Perandorisë Osmane. Kjo perandori mori damkën e së keqes prej historiografisë së diktaturës. Prapambetja iu la në derë asaj. Çakërdisja antiosmane nuk u ndal as kur ai regjim iku. Shumë prej “elitës” së sotme me kahje “perëndimore” e përdor antiosmanizmin si pjesë të rëndësishme të ligjërimit. Termat “otomanizëm” apo “neootomanizëm” kanë marrë ngjyrim tërësisht keqësues, aq sa shihet si sakrilegj të flasësh pozitivisht për otomanët, a, mos o Zot, të shprehësh mall për ta dhe kohën e tyre. Madje shpesh të pabërat e shumta të sotme i faturohen trashëgimisë së lënë prej qenies pjesë e asaj perandorie. Historiografia ende vazhdon të shpërudhë!

Por a ka një të vërtetë tjetër, më bindëse? A ishin vërtet otomanët e keqja e madhe e shqiptarëve?

Një botim anastatik i shkëlqyer i këtyre ditëve i veprës së Pashko Vasës, “E vërteta mbi Shqipninë dhe shqiptarët”, na thotë shumë përmes pak rreshtave.

Idetë e këtij autori në këtë vepër janë shumë të rëndësishme për vetë peshën e jashtëzakonshme të figurës së tij. E çuditshme është se si pak është thelluar ndokush gjer më tani në to.

Pashko Vasa ishte një ofiqar i Perandorisë Osmane; ndër të tjera kreu detyrën e guvernatorit të Libanit. Historianët e quajnë mendimtar i nacionalizmit shqiptar, ideolog të Rilindjes Kombëtare, ideolog të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Sipas një jetëshkrimi të tij, ai ka marrë medalje të klasit të parë dhe nga Papa, mes shumë medaljeve të tjera.

Vepra e tij, “E vërteta mbi Shqipninë dhe shqiptarët”, cilësohet në një studim historik si një manifest politik autentik i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Për një historian, kjo vepër është një projekt historiko-politik për nacionalizmin shqiptar. Ajo u botua për herë të parë në fillim të vitit 1879, “La vérité sur l’Albanie et les Albanais”, për ta parë dritën e botimit në disa gjuhë. Si botim i parë në shqip njihet ai i vitit 1935, i përkthyer nga Mehdi Frashëri, që ka shtuar në vepër dhe komentet e tij.

Dhe ja ç’shkruan Pashko Vasa në kapitullin e dymbëdhjetë të këtij libri, siç mësojmë nga ky botim anastatik, më i vlefshmi, pa diskutim (fq. 110):

“Përkundrazi, (ata, pra, shqiptarët; B. M. H.) janë të bindur, dhe eksperienca e pesë shekujve e ka provuar, se bashkimi i tyre i ngushtë me Perandorinë Otomane formon shansin e vetëm të shpëtimit; është ky bashkim që u siguron një jetë të përshtatshme, me dëshirat dhe me aspiratat e tyre, se pse nuk cenon as mendimet kombëtare, as gjuhën, as edhe traditat e tyre; nuk transformon karakterin e popullit dhe nuk kërcënon ekzistencën e tij nga pikëpamja e racës dhe e kombësisë.”

Mehdi Frashëri shkruan në komentin e tij për këtë kapitull se paria intelektuale e atëhershme nuk kishte vendosur plotësisht për një ndarje definitive nga Perandoria Otomane, por se autonominë e donin me gjithë shpirt. Ai sigurisht që analizon kontekstin historik, ama për lexuesin e sotëm janë me shumë rëndësi fjalët e mësipërme të theksuara me të errët. Prej tyre ai kupton një të vërtetë asnjëherë të thënë me forcë, në mos të pathënë fare.

Vazhdojmë, po aty:

“Janë këto idera, dhe duke folur politikisht, është ky shpirt mendues, që e kanë lidhur racën shqiptare në mënyrë të pandashme me fatin e perandorisë. Këto idera dhe ky shpirt akoma janë e qëndrojnë me gjithë fuqinë e tyre: këto janë rezultat i logjikshëm dhe i shtytkës së situatës së tyre. Si Shqipëri, nuk mund të vazhdojë të jetojë veç se nën një zotnim që nderon ekzistencën, zakonet dhe kombësinë e saj, dhe gjer tashti ka qenë Perandoria Otomane që i ka përmbushur gjithë këto kondita.

Fjalët flasin vetë. Çdo koment tjetër është i tepërt!

Me qenë se lumturia e Perandorisë Otomane është një konditë e domosdoshme për ekzistencën e Shqipërisë dhe të lumturisë së saj, nga kjo rezulton se zhvillimi i Shqipërisë jo vetëm që nuk vjen në kundërshtim me interesat e qeverisë perandore, por me arsye të drejtë do t’ishte një element fuqie….” (fq. 112)

Thotë kështu Pashko Vasa!

Është akoma më interesante si i përshkruan ky mendimtar atdhetar muslimanët shqiptarë dhe marrëdhëniet e tyre me të krishterët (fq. 111):

“Muslimanët e Shqipërisë janë shqiptarë si dhe të krishterët; flasin po atë gjuhë, kanë po ato zakone, vazhdojnë po ato doke dhe po ato tradita. Në mes të atyre dhe të krishterëve kurrë s’ka pasur smirë të rrënjosur, as dhe armiqësira shekullore. Ndryshimi i fesë kurrë s’ka qenë një shkak për t’i shtytur në një përçarje sistematike; muslimanët e të krishterët, me pak përjashtime, gjithmonë kanë jetuar në një shkallë barazijeqë gëzojnë po ato të drejta dhe përmbushin ato detyra.”

Për ta përcjellë plotësisht idenë e këtij shkrimi më duhet të kaloj te një tjetër vepër e Pashko Vasës, e ribotuar tani nga i njëjti ent po ashtu me një cilësi të jashtëzakonshme, “Skicë historike mbi Malin e Zi sipas traditave gojore shqiptare”.

Aty gjejmë Pashko Vasën të shkruajë (fq. 14):

“Askush nuk mund të mohojë që Turqia (nënkupton këtu, sigurisht, Perandorinë Osmane; B. M. H.) e ka respektuar gjithnjë besimin fetar të të mundurve. Ajo është kënaqur pothuajse gjithmonë me nënshtrimin e tyre ndaj ligjeve politike që ajo zbatonte… Një prej provave më bindëse të kësaj që sapo thamë është pozicioni që qeveria osmane kishte mbajtur ndaj popullsisë katolike të maleve të Shqipërisë, veçanërisht ndaj mirditorëve, të cilët, megjithëse politikisht iu nënshtruan Perandorisë, prapëseprapë mundën të ruanin kanunet e tyre, zakonet e tyre, armët e tyre, dhe mundësinë për t’u administruar sipas mënyrës së tyre. Autoritetet turke nuk ndërhynë seriozisht për t’i prekur privilegjet e tyre. Kjo gjendje gjysmëpavarësie që kanë gëzuar gjithnjë të krishterët katolikë të Shqipërisë dëshmon për tolerancën dhe moderacionin e turqve (kupto, osmanëve; B. M. H.) ndaj besimeve fetare…”

Kjo është e vërteta e Pashko Vasës! Merreni e lexojeni! /tesheshi.com/      

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …