Njohësi i politikave në Ballkan dhe profesor në Universitetin “Johns Hopkins”, Daniel Serwer, ka vlerësuar situatën aktuale të sigurisë në Kosovë si stabile, por ka paralajmëruar se prania e trupave amerikane nuk është e garantuar për një kohë të pacaktuar. Serwer deklaroi: “Kosova është mirë për tani, por nuk e di sa më gjatë do të dëshirojnë Shtetet e Bashkuara të mbajnë praninë e trupave të saj.” Ai komentoi edhe deklaratën e presidentit amerikan Joe Biden, i cili së fundmi theksoi se në Kosovë është ndalur një përshkallëzim i mundshëm. Sipas Serwer, kjo është sinjal që Forca e Sigurisë së Kosovës do të përballet shumë shpejt me obligime shtesë në fushën e sigurisë. “FSK një ditë, ndoshta shumë shpejt, do të ketë përgjegjësi të mëdha”, tha Serwer, duke theksuar se krizat globale po i zhvendosin prioritetet e Shteteve të Bashkuara, edhe pse Kosova mbetet ende një çështje me rëndësi për aleatët ndërkombëtarë.
