Analisti dhe profesori amerikan Daniel Serwer ka zhvilluar një vizitë 40-minutëshe me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, në qendrën e paraburgimit në Hagë. Ai tha se qëllimi i takimit ishte rifreskimi i miqësisë së vjetër dhe njohja më e thellë me realitetin e gjykates speciale. Serwer kujtoi se me Thaçin kishte pasur debate të forta në të kaluarën, por gjithmonë marrëdhënie të respektueshme. Në një shkrim në platformën e tij, ai u shpreh i shqetësuar për kohën e gjatë të paraburgimit të Thaçit dhe bashkëluftëtarëve të tij. “Është qesharake që këta njerëz mbahen pesë vjet në paraburgim pa vendim përfundimtar. Ata u dorëzuan vullnetarisht dhe nuk paraqesin rrezik arratisjeje,” shkroi ai, duke theksuar se parimi “i pafajshëm derisa të provohet fajësia” nuk duhet të mbetet një slogan bosh. Serwer tha se shpreson që gjykata të marrë një vendim të drejtë e të pavarur, të paprekur nga pritjet politike apo nga “qindra miliona euro” të investuara nga qeveritë evropiane në këtë proces. Në fund, ai solli në kujtesë takimin e parë me Thaçin në vitin 1999 në SHBA, kur ish-udhëheqësi i UÇK-së i kishte thënë me sinqeritet: “Unë kurrë nuk kam qenë luftëtar i vërtetë, por zëdhënësi politik.” Sipas Serwer, ajo sinqeritet e ka shoqëruar Thaçin përgjatë gjithë rrugëtimit të tij politik.
