Analisti politik, Dardan Sejdiu, ka hedhur poshtë mundësinë që zgjedhjet lokale dhe ato nacionale të mbahen në një ditë të vetme, duke e cilësuar një ide të tillë si një kërcënim të dobët politik nga Lëvizja Vetëvendosje. Sejdiu tha se kjo nuk është një alternativë reale dhe se më shumë shërben si presion politik në një moment të pafavorshëm për Qeverinë aktuale. “Më shumë e shoh si një kërcënim të dobët, duke e parë edhe pozicionin goxha komod politik të një personi që e ka bllokuar Kuvendin dhe rri në Zyrën e Kryeministrit”, – deklaroi Sejdiu. Ai shtoi se, sipas analizës së tij, skenari më i mundshëm është që zgjedhjet nacionale të mbahen pas përfundimit të atyre lokale, duke theksuar se diskutimet për kandidatët lokalë tashmë kanë nisur. Sipas tij, vendi mund të ketë qeveri të re në mars ose prill të vitit të ardhshëm, nëse nuk ka zgjedhje të parakohshme, ndërsa në rast të zgjedhjeve, atëherë krijimi i qeverisë mund të shtyhet deri në qershor.
