Një darkë festive me motive tradicionale, e organizuar më 2 dhjetor 2024 nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural nën nikoqirin e ministrit Faton Peci, i ka kushtuar buxhetit të shtetit mbi 16 mijë euro. “Darka e Lamës”, e cila më parë organizohej nga Presidenca, për herë të parë u mbajt nga një ministri, në një prej hoteleve më moderne të Prishtinës. Për ushqim dhe pije janë paguar 7,560 euro, për zërim dhe pajisje teknologjike 1,500 euro, për sallën 800 euro, dhe për 200 copë reçel 896 euro – shpenzime të konfirmuara nga vetë Ministria përmes dokumenteve publike të siguruara nga emisioni “Kallxo Përnime”. Por një pjesë e madhe e shpenzimeve nuk figuron në sistemin zyrtar të prokurimit. Fatura për dekorimin e sallës, në vlerë prej 5,575.90 euro, nuk u pagua përmes Ministrisë – edhe pse shërbimi u ofrua nga kompania “Fiorista” Sh.P.K. Pronari i saj, Andi Belegu, ka rrëfyer se komunikimi për dekorin u bë përmes shefes së kabinetit të ministrit, Flutur Mustafa, dhe se pagesa u krye në dorë, në një parking në Prishtinë, më 15 prill 2025 – pikërisht ditën kur ministrat e Qeverisë dhanë dorëheqje. Rasti ka ngritur dyshime të forta për shkelje të rënda të procedurave ligjore, keqpërdorim të parasë publike dhe mundësi për hetim nga organet përkatëse të drejtësisë.
